Historia e vajzës më të bukur të Tiranës, që u tentua të përdhunohej nga vëllai i ministrit dhe hakmarrja e tij!

Jeta e vajzës më të lakmuar të kryeqytetit në vitet ‘5O – ‘6O-të, marrëdhëniet me meshkujt dhe shpërfillja ndaj pushtetit përmes jetës së saj të lirë. Rrëfimi i ish-të dashurit dhe të të tjerëve, që e kanë njohur. Nga xhirot në Bulevardin “Zogu I-rë”, tek internimi në Grabian të Lushnjes, në një stallë derrash, ku edhe u vetëvar bashkë me të ëmën.

“Duhet të kishe guximin e një boksieri, që t’i afroheshe Ganimet Cukës, një prej vajzave më të bukura të viteve ’50-të në Tiranë”. Këtë e thonë të gjithë vëzhgonjësit, djemtë e rinj të atyre viteve, që mundeshin ta përshëndesnin vetëm për së largu.

Mjaftonte mendimi për të, që të ndiheshin të pasigurt me veten. A ishin të pashëm sa duhet!? O më mirë, sa duhet të ishin për t’i pëlqyer Ganimetit?! Shumica prej tyre, nuk e kalonin as me veten këtë test, ndaj edhe mjaftoheshin vetëm duke e parë në shëtitjen e saj të çdo mbrëmjeje në bulevardin “Zogu I-rë”.

****

Këta që e “përndiqnin”, e i shkonin pas aromës që linte mbrapa në shëtitore, nuk ishin vetëm djemtë e Tiranës së vjetër të “Rrugës së Dibrës e Barrikadave|. Të tjerë, të ardhur nga të katër qoshet e kryeqytetit, sajonin ndonjë punë asaj lagjeje, për ta parë! Shikimet nuk u ndesheshin, sepse Ganimeti rrallë kujt ia hidhte sytë. Veç duke pasur të freskët imazhin e saj në kokë, bënin net “më të qeta”, falë fantazisë…!

Ahmet Golemi, kampion boksi në atë kohë, i përmbushte të gjitha kushtet për t’iu afruar. Djalë i ri, i pashëm, e ç’është më e rëndësishme, kishte guximin që u mungonte të tjerëve. Sado që, as ai, nuk guxoi me të parën…! Mati çdo pllakë të shëtitores, përpara se t’i fliste. I siguruar paraprakisht aq, në ajër, shikimi i tij ngulmues, kishte marrë aprovimin që i duhej.

E theu akullin, që të shijonte pastaj ëndrrën, për tri vite me radhë, deri sa e ndaluan. E rënë në gjurmët e Sigurimit të Shtetit, historia e tyre a pengua. Jo se Golemi shpresonte t’i vishte fustanin e bardhë. Gjatë historisë së tyre që e lakmonin të gjithë, sado i ri që ishte, kishte marrë sinjalizime të heshtura, se ajo nuk ishte grua për të. Kjo, jo vetëm pse ishte gati 5 vite më e madhe në moshë se ai. Një zhurmnajë e vjetër në Tiranë, nga ato që jehojnë ende sot, gati 50 vite pas vdekjes së saj, e bënte të padenjë, për të krijuar një marrëdhënie familjare.

Në fakt, që Ganimet Cukës i pëlqenin djemtë e pashëm, e që shijonte shoqërinë e tyre, këtë e pohojnë të gjithë, por qoftë Ahmet Golemi, qoftë bashkëmoshatarë të tjerë të kohës së tij, refuzojnë të pranojnë se për këtë, Ganimeti merrte para. Së pari sepse vinte nga një familje e pasur, me babanë tregtar të vjetër të Tiranës, dhe nuk kishte nevojë për para. Së dyti, sepse nuk kishin parë ndonjëherë, që meshkujt të hynin pa hesap në shtëpinë e saj, sikundër flitet në romanin “Përballë pasqyrës se një gruaje”, të shkrimtarit Ismail Kadare. Të gjitha të dhënat në romanin e Kadaresë, të çojnë te vila e Ganimetit, të cilën ai e ka quajtur Margaritë.

Pra romani, ndofta me të drejtën e krijuesit, të çon në një realitet tjetër, që të gjithë ëndërrimtarët e kohës e mohojnë. Domosdo, që nuk ishte asnjë nga vajzat klasike, që kalojnë kohën pranë furnelës në pritje të të shoqit, por as prostitutë. Ndonjë lexues që di më shumë, mund edhe të rrudhë buzët, tek lexon këtë, por ne nuk po nxjerrim asnjë konkluzion. Po ju tregojmë vetëm dëshmitë e të dashurit të saj, trevjeçar, Ahmet Golemit, dhe një tjetër sportisti. Kapiteni i ekipit të futbollit të Tiranës, Osman Reçi, i cili ka banuar pak metra larg saj. T’i lexoni të dyja, bashkë me copëzat e romanit të Kadaresë, krijoni pa dyshim një parafytyrim të realitetit, ku jetonte Ganimeti, e lakmuara e të gjithëve…! Ajo që më vonë sfidoi sistemin, pse u vetëvar bashkë me të ëmën…! Menjëherë pasi e internuan në Lushnjë.

Zoti Golemi, si e keni njohu Ganimetin?

Në fillim të viteve ’60-të, kur unë isha vetëm 22 vjeç, të gjithë djemtë e moshës sime, apo edhe burra në moshë, e njihnin Ganimetin. Ishte ëndrra e të gjithëve, mjaft e bukur. Me këmbë të gjata të holla. Për herë të parë, e kam parë pranë shtëpisë së saj, tek shëtiste me të ëmën, aty ku bëhej xhiroja e vogël. Natyrisht që nuk e gjeta menjëherë guximin ta ndalja, duhet më parë të dija kush ishte, ç’reagim mund të kishte, nëse e merrja këtë hap. Pyes një shokun tim, banor të asaj lagjeje, se kush ishte. “Nuk e njeh Ganimetin, i ka qejf djemtë e rinj”, kaq më duhej, që të mendoja si ta takoja. E vazhdova xhiron mbrapa saj edhe 3-4 herë të tjera, përpara se ta ndalja, e të linim takim përpara shtëpisë së saj.

Menjëherë në shtëpi…?!

U takuam aty përpara, e pastaj shkuam të shëtisnim. Kaluan disa përvoja të tilla përpara se marrëdhënia jonë të kalonte në një stad tjetër, pra të bëhej më e plotë.

Siç ju thanë edhe ju, Ganimetit i pëlqenin djemtë e rinj, e të pashëm. A folët për këtë, kur biseduat për herë të parë, qoftë edhe për t’u siguruar, që nuk kishte një histori paralele…?

Folëm patjetër, më tregonte gjëra mjaft, duke filluar që nga historia e saj e parë e dashurisë në Itali, me një toger, kur kishte qenë 14 vjeçe. Pastaj më tregonte për fejesën e saj me një oficer anglez, i cili u largua nga Shqipëria në ’45-ën. Ganimeti tentoi të arratisej e, t’i shkonte pas, por nuk mundi, kështu që historia e tyre mori fund. Pastaj kishte edhe ndonjë histori tjetër, për të cilat ne natyrisht, nuk mund të hynim në detaje.

Ajo mund të kishte sa të donte, por në atë kohë mjaftojnë edhe dy, pa përfshirë ju, që pasi t’i përmendej emri, t’i vinte edhe historia…! Ju nuk kishit frikë mos cënoheshit vetë, mos dëmtonit karrierën tuaj, prej imazhit të saj?

Siç ju thashë, unë isha vetëm 22 vjeç, tepër i ri për t’u shkuar gjërave kaq thellë. Shijoja gjënë që doja dhe mjaftohesha me kaq, mbase për shkak edhe të naivitetit. Por erdhi edhe koha kur, me gjithë shpengimin tim, më tërhoqën veshin të tjerët.

Çfarë iu thanë? Kush?

Domosdo që Sigurimi i Shtetit, që gjendej ngado, dinte gjithçka. Për më tepër që ne dilnim haptazi, nuk është se u përpoqëm ta fshehim lidhjen tonë. Më thanë se nuk duhet të vazhdoja më me të, se do dëmtoja të ardhmen time dhe, në fakt, më penguan atë kohë të dilja jashtë shtetit, me boksin. Më kërkuan të bëhesha edhe informator i tyre për të.

Informator, për çfarë?!

I ati i saj kishte qenë mjaft i pasur e kishte pasur flori, të cilin shteti, nuk ia kishte gjetur dot të gjithin. Për këtë ata kërkonin, që unë të bëja provokimet e mia, për të marrë informacione. Gjë që natyrisht nuk e bëra.

Pas kësaj, u ndatë?

Po, pasi kishim ndenjur tri vite bashkë, u ndamë. Nuk ishte pak, të të thërrisnin në Degë të Brendshme asokohe. Për më tepër që, sado që e shijoja apo ndihesha mirë, edhe për shkak të moshës së saj më të madhe se imja, nuk kishim menduar për ndonjë lidhje, që mund të zgjaste përgjithnjë.

Çfarë kujtoni prej atyre 3 viteve? Përveçse, siç thuhet, ju kanë ndjekur vështrimet ziliqare të shokëve tuaj, ku shkonit, ç’kohë kalonit bashkë?

Dilnim shpesh të shëtisnim. Mblidheshim bashkë me dy mikesha të sajat dhe dy shokë të mitë, për të vallëzuar tek oborri i shtëpisë së saj. Pra, bëheshim tri çifte. Unë e thërrisja Ganush, ajo Metush. Kemi shkuar te taverna “Dajti”, dilnim nga Liqeni Artificial. Shkonim te dhoma ime, apo te vila e Ali Pazarit, siç quhej atëhere ajo te zona e Zogut të Zi. Vetëm se asnjëherë, nuk më ka marrë në dhomën e saj dhe nuk më ka lejuar ta qeras. E gjithë Tirana, historinë tonë, nuk e konsideronte si romantike, por si romaneske.

Meqenëse dolët tek e qerasura, shkrimtari Ismail Kadare, në romanin e tij; “Përballë pasqyrës së një gruaje”, kushtuar Ganimetit, e përshkruan si prostitutë, e cila paguhej për të shkuar me meshkuj. Me klas, por prostitute! Vila e Ali Pazarit që përmendni, qoftë për shkak të zonës ku ndodhej, qoftë për shkak të aksesit që Ganimeti kishte në të, ngelet element i dyshimtë…! Ç’keni për të thënë për këtë?

Nuk e di pse Kadare e ka përshkruar si të tillë! Pa dyshim që ajo i kishte qejf historitë me djem të pashëm, të cilët mund të ishin më tepër se 2 apo 3, por nuk di të jetë paguar, për të shkuar me ta. Siç ju thashë, mua nuk më ka lejuar asnjëherë, qoftë edhe t’i blej diçka. Megjithatë, nuk mund të them, se nuk e kam dëgjuar këtë variant, që qarkullonte qysh atëhere. Një mik i imi, më ka treguar se pati tentuar t’i shkojë te shtëpia, duke i treguar qysh prej derës së jashtme, një 500 lekësh. Kujtoj vetëm fytyrën e tij të fyer, pas një përgjigjeje që kishte marrë prej saj. Për vilën e Ali Pazarit, nuk di, ajo kishte njohjet e veta me të zotët, që na lejonin të rrinim.

A ju ka ndodhur që, kur keni qenë duke shëtitur, të ndienit shikimet e meshkujve të tjerë, që i drejtoheshin Ganimetit?

Po, patjetër, disa herë. Madje në një rast, kemi qenë duke shëtitur nga liqeni, kur vumë re që pas nesh, po ecte një djalë më i madh në moshë se unë. I pata thënë se do kthehem ta kap e ta pyes, ç’kërkon, por më ndali. “Lëre Met”, tha. E kishte pikasur edhe herë të tjera që i shkonte pas, ishte mjek i ri, në spital. Kishte filluar ta ngarkonte kjo gjë, gjithë ato shikime e përndjekje. Ishte mjaft e mërzitur. E pyeta nëse mund ta ndihmoja, apo në mos unë, t’i drejtohej ndokujt tjetër që mund ta ndihmonte.

Dhe, ç’përgjigje morët?

Më pati përmendur Enver Hoxhën dhe miqësinë që kishte pasur familja e tyre me të, përpara çlirimit. Burri i motrës së Ganimetit, ka qenë ushtarak i lartë, Rakip Kalenja. Mblidheshin e luanin poker bashkë. Pak kohë më pas, erdhi ndarja jonë, pra kishin nisur ngacmimet përreth. Ajo kishte filluar të kishte një parandjenjë të keqe dhe ma shprehu këtë gjë. Por askush nuk mundi të bëjë gjë, për ta penguar në atë c’ka bëri.

Çfarë ndodhi?

Ndodhi ajo që Ganimeti kishte parandier. Një nga ata që donin ta shtinin në dorë, ishte edhe i vëllai i Beqir Ballukut, Qemali. Ai u hakmor deri në atë pikë, sa e çoi drejt internimit, meqenëse nuk arriti dot ta bëjë të tijën.

Po ti referohemi sërish romanit të Kadaresë, thuhet se në Shqipëri, në ’67-ën, nisi një spastrim i atyre që mbillnin frymë të keqe, pijanecë, kurvarë, homoseksuale të Teatrit të Operës, rrufjanë morale e politikë, kumarxhinj etj…! A ka mundësi që edhe Ganimeti, të jetë përfshirë në këtë fushatë?

Ajo i bënte vazhdimisht sfidë regjimit, duke jetuar jetën që kishte zgjedhur të jetonte dhe ndoshta ka ndikuar patjetër, por mendoj që arsyeja kryesore, ka qenë ajo që ju përmenda më lart.

Pas ndarjes, ç’ndodhi me të?

Siç mora vesh, kishte krijuar miqësi me një tjetër djalosh, që mbahej si më të bukurit në Tiranë, Jani Xhumani, pastaj nuk di. Lajmi i fundit që mësova, ishte më i tmerrshmi, ai i vetëflijimit të saj, në fshatin ku ishte internuar në Lushnjë. Ishte vetëvarur bashkë me të ëmën, pak ditë pasi i kishin çuar atje. Bëri atë që asnjë burrë nuk mundi të bënte. Dhe mbeti kështu e pavdekshme, jo vetëm në kujtimet e mia, por në ato të të gjithëve. Atyre që e kishin dashur e, nuk e kishin dashur…!

Kapiteni i skuadrës së futbollit të Tiranës, Osman Reçi, banonte pak shtëpi larg asaj të Ganimet Cukës!

-Osmani na tregon për “famën” e Ganimetit në Tiranë-

“Për të njerëzit mund të flasin shumë, por e vërteta është që Ganimeti, i përzgjidhte njerëzit me të cilët rrinte. I donte së pari të bukur, të veshur e të pastër. E, përveç këtyre, duhet doemos të ishin të pa fjalë, në mënyrë që të mos ekspozoheshin. Ato kanë qenë dy motra që jetonin me nënën, babai u ishte vrarë. Nexhmija, e motra, u martua me Rakip Kalenjën, kuadro i lartë i kohës, pati dy fëmijë. Pas pushkatimit të tij, rruga e Nexhmijes devijoi nga ajo e drejta, prandaj edhe ia mori fëmijët Ganimeti, e cila u kujdes t’i rriste më së miri, e ti shkollonte. Njëri nga nipërit e saj, u bë doktor e, më vonë, Astrit Kalenja, për një farë kohe, ministër i Shëndetësisë, ndërsa tjetri inxhinier.

Janë teprime e abuzime ato që janë dëgjuar për Ganimetin. Është e vërtetë që ajo nuk ishte krejt si vajzat e tjera të Tiranës, i pëlqenin djemtë e rinj e të bukur, por ishte shumë përzgjedhëse. Ne kemi jetuar pranë saj, shihnim e dinim thuajse gjithçka që bëhej në lagje. Sado që secili shihte punën e vet, në një vend kaq të vogël, gjërat merreshin vesh dhe di të them, që në shtëpinë e saj, nuk kanë hyrë e dalë meshkuj, siç është pretenduar. Ajo ka punuar me rregullime nusesh, ndër të parat që ka bërë grimin e tyre në Tiranë, sipas mundësive të kohës. Rregullonte fustanet e bardhë, apo bënte jastëk e qepje me dekoracion. Cuka, ka qenë një familje e lashtë tiranase dhe Ganimeti e reflektonte këtë, me kulturën e klasin që kishte”.

Sado që kanë kaluar rreth 50 vite, që kur i ka këto kujtime, Osman Reçi, është i bindur se, edhe nëse Ganimet Cuka, do të kalonte tani përbri tij, sërish do ta kthente kokën. Siç bënte asokohe, kushdo që e shihte…!

Agim Musta: “Si u flijua Ganimeti me të njëjtin litar me të ëmën”?!

Një vetëvrasje e dyfishtë u krye në vitin 1967 po në Grabian të Lushnjes. Ganimet Cuka, ishte një nga femrat më të bukura të Tiranës në vitet ’40-të, të shekullit të kaluar. Ajo kishte mbaruar Institutin “Nana Mbretëreshe” të Tiranës dhe zotëronte disa gjuhë të huaja. Në vitin 1945, një oficer i misionit anglez u dashurua marrëzisht pas saj, por ai u detyrua të largohej brenda 24 orëve, me kërkesë të qeverisë shqiptare, ndërsa Ganimetit i vunë prangat në duar dhe e rrasën në një qeli burgu të Tiranës. Në burg atë e torturuan barbarisht, ndërsa disa funksionarë të lartë të Sigurimit të Shtetit, tentuan ta përdhunojnë. E mbajtën disa muaj në hetuesi, por nuk mundën ta bënin të pranonte se ishte agjente e zbulimeve të huaja, prandaj u detyruan ta lironin.

Kur Ganimet Cuka doli nga burgu, e lanë pa punë, që të vdiste urie. Për të mbijetuar, ajo merrej me zbukurimin e vajzave të Tiranës, ditën e martesës. Ajo ishte tepër krenare dhe e sfidonte regjimin, duke bërë çdo mbrëmje shëtitjen e saj në Bulevardin “Zogu i I-rë”. Asnjëherë nuk u përkul të kërkonte mëshirë. E internuan së bashku me të ëmën, në një ditë tetori me shi të vitit 1967. Aty i vendosën në një kthinë të një stalle derrash për të banuar. Vrimat e mureve të pa suvatuar ishin plot akrepa që të kallnin datën. Lagështia të hynte deri në palcë. Jashtë balta ishte deri në gju. Për herë të parë në jetën e saj, Ganimeti u pushtua nga një dëshpërim i tejskajshëm. Asnjë rreze shprese nuk shihte në horizont.

E shtrydhi trupin për disa ditë dhe net pa gjumë, për të gjetur rrugën e shpëtimit por më kot. Më në fund, ajo arriti në përfundimin se vdekja ishte shpëtim për to, ndërsa vetëvrasja e tyre do të ishte sfidë dhe akuzë për diktaturën e urryer të Enver Hoshës. Ia tregoi dhe nënës plakë vendimin e saj dhe, si e përqafoi, i tha të vdisnim së bashku. Të nesërmen, ajo bleu 10 metra litar dhe e ndau në dy pjesë të barabarta. U ul pranë tavolinës dhe shkroi një letër. Kujt ia drejtonte dhe çfarë ishte shkruar në të, askush nuk e mori vesh, përveç operativit të Sigurimit të Shtetit. Si mbaroi letrën, hipi në karrige dhe vari mbi një tra dy litarët e bërë lak. Pasi pinë kafen e mëngjesit, hipi nënën mbi karrige, i hodhi litarin në qafë dhe i ra karriges në shkelm.

Nëna mbeti e varur. E çoi karrigen një metër më larg, hipi sipër saj dhe vendosi lakun në fyt. Shtrëngoi dhëmbët fort që, kur të vdiste, të mbetej e bukur. E rrëzoi karrigen me këmbë dhe mbeti e varur si nëna e saj. Disa fëmijë të internuar, kur dëgjuan zhurmën që bëri karrigia e rrëzuar, u afruan e panë skenën makabre. Ata u lebetitën kur panë nga vrimat e stallave dy gra, që rrinin të varura në hapësirë…! Ata ikën me vrap, të frikësuar, për t’u treguar prindërve, por askush nuk merrte guximin të hapte derën e viktimave dhe t’i ulte në tokë. Shitësja e dyqanit, lajmëroi të plotfuqishmin e policisë dhe nuk vonoi shumë, kur aty mbërriti operativi i Sigurimit. Në mbrëmje vonë, kufomat e viktimave i hodhën në një gropë që ndodhej buzë kanalit, i cili kalonte pranë stallës së derrave, pa u vendosur asnjë shenjë dalluese mbi pirgun e dheut që i mbuloi.

Heroina në romanin e shkurtër të Ismail Kadaresë, Ganimeti, “Përballë pasqyrës së një gruaje”!

“Që Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, të vihej në lidhje krahasuese me një lavire, kjo do të më dukej kundruallsi tejet vulgare, siç janë zakonisht metaforat e shpërdorura, sidomos pas rënies së komunizmit. E megjithatë, mendimi se si mund të shkruhej saktë historia e Lidhjes (së paku historia e saj midis viteve ’62-67), prej kohësh më shoqërohej aty për aty, nga kujtimi i gruas me emrin Margaritë. Më dukej e pamundur të shkëputesha prej saj, siç ndodh shpesh me kujtimin që sjell një aromë e largët. Margarita ishte një prostitutë. Shtëpia e saj ndodhej në një rrugicë të shkurtër, që dilte te ‘Rruga e Dibrës’, pak a shumë në të njëjtin nivel, ku dilte edhe rrugica, në fundin e së cilës, ndodhej Lidhja e Shkrimtarëve, në krahun kundruall.

Kisha dëgjuar se pas projektimit prej një arkitekti francez, të një ndërtese moderne, në qelq-najën e së cilës pasqyrohej Katedralja përballë, një gjë e tillë, nisi të bëhej e modës. Megjithatë, ishte e vështirë të krijohej një lidhje shëmbëllimi e diçkaje, e aq më tepër e një institucioni, me një grua që banonte përballë, vetëm për shkak të kësaj rastësie…! Që e njoha Margaritën për arsyen e thjeshtë, se Lidhja e Shkrimtarëve ndodhej pikërisht kundruall rrugicës së saj, kjo ishte jashtë çdo dyshimi. Në trotuarin e djathtë të ‘Rrugës së Dibrës’ ishte një mëngjesore e vogël, ku në ditët e nxehta, gazetarët e rinj që punonin në Lidhje, merrinn zakonisht ndonjë gotë birrë. Ngjitur me të ishte një tregtize private frutash. Aty për herë të parë pashë Margaritën. Ishim duke dalë nga lokali, kur dikush më tha me zë të ulët: “Kjo është Marga, që banon përballë”. Diçka më kishte zënë veshi për të, por çfarë turbull, që e kisha harruar sakaq. Një e ‘atillë’, e modës së shkuar, që jetonte bashke me nënën në një shtëpizë të rrugica. Ndryshe nga ‘e kisha menduar, ishte rreth të tridhjetave, me një fustan të hollë vere, që e tregonte edhe më të re. E pa nxirë nga dielli, pa kurrfarë shenje vulgariteti, me flokë gështenje, që i krijonin ca dredhka të buta te qafa, njëfarë Ane Kareninë, por pa Vronsk dhe pa goditjen e hekurt të vagonit hekurudhor, në vend të të cilit, kishte marrë një fat gruaje të përdalë, në një shtet komunist ballkanik, në fillim të viteve ’60.

Ndërsa ktheheshim në Lidhje të Shkrimtarëve, dëgjoja me vëmendje kureshtitë që tregonte kolegu ynë për të. Ishte prostituta më me klas të lartë në Tiranë dhe, me sa dukej, e vetmja. Një çudi e vërtetë se si kishte mbetur ende në këtë vend. Klientët i kishte të zgjedhur, zakonisht me njohje, gojë pas goje. I mbante gjithë natën. Në orën 3 te mëngjesit, nëna ua sillte kafene te dyve, asaj dhe atij. Shpërblimin prej 1000 lekësh, klienti e linte kujdesshëm poshtë nënkresës. Rrallëherë më kishte qëlluar të përpija me aq etje, hollësitë e një tregimi. Pak kohë më parë, sikur dikush të më thoshte se do të shastisesha kështu pas një femre të modës së shkuar, nga ato, fotografitë e të cilave gjendeshin shpesh në albumet e familjeve të vjetra qytetare, me kapele e me vel të pikëzuar, disa herë në fundajën e ndonjë gondole, aty për aty, do të shqyhesha gazit.

Paskëshe qenë një matuf i fshehur, do t’i gërmushesha vetes, një lolo sentimental i maskuar, pas pantallonave të modës. Të rruashin pulovrat me dy ikse sipër, simbole të shekullit XX, të rruashin edhe profkat e tjera për t’u pëlqyer vajzave. I mendoja këto e megjithatë, në asnjë cep të ndërgjegjes sime, nuk qasej dyshimi, se po vjetrohesha. Përkundrazi, në mënyrë të turbullt, më dukej se kishte diçka të mirëfillte, diçka tepër të re e moderne, në këtë pasion të ri. Në Moskë, prej nga isha kthyer para një viti, kisha kaluar një krizë të ngjashme, por kjo e tanishmja, ishte më e thellë. Kishte lidhje me një thelb prej të cilit, fshihej tjetër gjë: tipi i femrës që më tërhiqte.

Si në një krisje të gëzueshme akujsh, në mendjen time u kthjellua një e vërtetë që, me sa dukej, kishte kohë që përgatitej: vajza që njihja, ato trupe e bardhe të lëmuar nga sporti, ekskursionet dhe pishina, m’u dukën befas shterpa e pa mister, në krahasim me trupin e përfytyruar të Margaritës. Pas mesnate, nuk di sa ishte ora, ndoshta pikërisht koha kur nëna e saj u çonte kafenë e dytë në shtrat, më kishte dalë gjumi e po përpiqesha të merrja me mend, zhartierat e saj të zeza, të hedhura në fund të shtratit, si dhe mëndafshin e lodhur të mbathjeve, pas dashurisë. Një zi zhartieresh zonjash të një tjetër kohe. Në mendjen time bie si muzg…! Mendimi për të shkuar te rrugica përballe, gjallonte brenda meje i këndshëm, por i mbështjelle me një mjegull penguese. Si të merresha vesh me të?!

Ku ndodhej rrjeti që ia gjente klientët? Nganjëherë më dukej se kurrfarë rrjeti s’mund të kishte, ngaqë gjera të tilla quheshin të rrezikshme, megjithatë edhe e kundërta, vajtja tek ajo ashtu thjesht, pa një marrëveshje, s’mund të bëhej. Ishte ndoshta nëna e saj, me anë mikeshash të vjetra besnike, ato që nuk mungonin kurrë në rruginat e Tiranës, që ia siguronin vizitorët. Ndoshta xansa për Margaritën do të më zbehej shkallë – shkallë, si shumë gjëra të tjera, sikur të mos e ndeshja përsëri, te shitorja e frutave…! Do të shkoja patjetër te Margarita. Kisha ndjesinë se ketë vendim, e kishte marrë gjithë qenia ime, që nga truri e gjer te qendra e trupit tim. Edhe kur një pjesë të kësaj qenieje i binte vrulli, ishte pjesa tjetër që e shtynte drejt mëkatit.

Dhe, për habinë time, shtytësi nuk ishte gjithmonë mishi. Ndryshe nga të gjitha ato që quheshin aventura dashurie, kur faza e parë: njohja, shoqërimi në rrugë ose në kafe, ose dërgimi i nje letre, ishin gjera gjithsesi të lehta, kurse i panjohur mbetej gjithmonë përfundimi, domethënë ajo gjë në mënyrë vulgare quhej “shtirja në dorë”, në ketë rast ishte kjo e fundit që ishte siguruar, kurse vështirë, gati e pamundur ngjante faza e parë: rënia në përkitje me Margaritën. Duhej të ishte një hartë tjetër e Tiranës, me adresa dhe kode të tjera, që ne nuk i njihnim. Një mbrëmje, pasi kthyem nga një gotë birrë te Bar “Voza”, mua dhe shokun tim të redaksisë, i vetmi me tē cilin e kishim bërë bisedën e M., siç e quanim tani midis nesh, këmbët po na çonin si padashur, në drejtimin ku duhej të ishte shtëpia e saj. Nga “Rruga e Barrikadave”, dolëm ne atë të Dibrës dhe atje unë e mbaja mend shumë mirë, rruginën ku ajo ishte futur herën e fundit, me ato këmbë me gishta me manikyr ngjyrë ëndrre…! Memorie.al

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Tifozët e Crvena Zvezdas shfaqën flamurin “Kosova është Serbi”, vjen reagimi i UEFA-s

Tifozët huliganë serb nuk lëshojnë rast për të sulmuar shtetin e Kosovës me parulla propaganduese në ndeshjet e futbollit.Një rast i tillë ndodhi edhe...

Prodhuesi japonez i veturave, Nissan largon 9,000 punëtorë nga puna

Prodhuesi japonez i veturave, Nissan, pritet ta reduktojë numrin e punëtorëve për nëntë mijë, si dhe kapacitetin e tij prodhues global për 20 për...

“Në burg kam pyetur vetëm a ka palestër”, Meta flet nga qelia

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur nga burgu pas më shumë se dy javësh brenda. Për Top Channel ai ka thënë se...

Ziberi: Kushtet në Burgun e Idrizovës alarmante, dy të burgosur shfrytëzojnë një shtrat ose flenë në dysheme

Për shkak të mbipopullimit në burgun e Idrizovës, derisa një i burgosur fle, tjetri duhet të rrijë zgjuar dhe të presë radhën sepse një...

Zeqiri: VLEN përmes Gashit urdhëroi të thiret seanca për branitellat, sot bëhen sikur ndihmojnë

Zëdhënësi i Aleancë për Shqiptarët, Arben Zeqiri tha se, përmes Afrim Gashit, VLEN ia lshoi të gjithë peshën deputetes Ilire Dauti në lidhje me...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu