Meqë jetojmë në epokën digjitale nuk do mend që jemi të bombarduar dhe mediat sociale na vijnë si ushqim i servuar dhe i imponuar për t’i pranuar me ose pa dashjen tonë. Çështja është se kur ndikimi i tyre është kaq i madh mund të paraqes edhe rrezik eventual. Rreziku është edhe më i madh kur mediat sociale përdoren nga fëmijët e mitur, të moshave minore të cilët akoma nuk janë të vetëdijshëm për dëmet dhe pasojat e përmbajtjeve të shumta pa cenzurë, shkruan Zhurnal.
Si mbrohen fëmijët në botë nga dëmet që mund të shkaktojnë përdorimi i mediave sociale?
Qeveria laburiste australiane dëshiron vetëm t’i lejojë fëmijët dhe të rinjtë të kenë qasje në mediat sociale nga mosha 16 vjeç në të ardhmen. “Kam folur me mijëra prindër, gjyshër, teze dhe xhaxhallarë dhe, si unë, ata janë thellësisht të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve tanë në internet,” u tha gazetarëve kryeministri dhe lideri i partisë laburiste, Anthony Albanese. “Dua që prindërit të jenë në gjendje të thonë: “Më fal mik, por kjo është kundër ligjit”.
Ligji i propozuar pritet të diskutohet në një takim kabineti dhe të futet në parlament më vonë këtë muaj. Pas kësaj, mund të duhet rreth një vit përpara se rregullorja e re të hyjë në fuqi, raportoi televizioni australian ABC. “Ky është legjislacioni global dhe ne duam të sigurohemi që ta bëjmë siç duhet”, theksoi Albanese, përcjelli DW.
Kreu i qeverisë i kishte njoftuar planet që në shtator. Albanese e përshkroi efektin e rrjeteve online si Facebook, Instagram dhe Tiktok tek fëmijët si një “pengmarrje”. Ai dëshiron që fëmijët të kenë një fëmijëri: “Ne e dimë se rrjetet sociale shkaktojnë dëme shoqërore dhe i mbajnë fëmijët larg miqve të vërtetë dhe përvojave reale”. Edhe opozita i mbështet planet e qeverisë. Ne nuk besojmë se TikTok mund të bëhet ndonjëherë i sigurt për fëmijët, ne nuk besojmë se Snapchat mund të bëhet ndonjëherë i sigurt për fëmijët dhe ne nuk besojmë se Instagram mund të bëhet ndonjëherë i sigurt për fëmijët,” tha zëdhënësi i komunikimit i Partisë Liberale. David Coleman.
Është ende e paqartë se si do të kontrollohet teknikisht qasja në mediat sociale. Megjithatë, detyrimi për të kontrolluar moshën minimale të përdoruesve nuk duhet të bjerë mbi prindërit, por mbi kompanitë e teknologjisë dhe platformat e internetit. Sipas planeve, nuk duhet të ketë dënime për përdoruesit. Në mjaft vende të tjera nuk ka moshë ligjore të përcaktuar, për përdorues të rrjeteve sociale. Në Gjermani platformat e mediave sociale duhet t’i vendosin kufizimet e moshës në udhëzuesin e kushteve të shërbimit.
Çdo ditë e më shumë ka fëmijë me autizëm virtual, i cili shkaktohet nga përdorimi i tepërt i telefonave inteligjentë –
Ndryshimet dhe zhvillimet shoqërore që kanë ndodhur kanë bërë që shkenca, teknologjia dhe informatika të arrijnë ndoshta piedestalet më të larta të shoqërisë. Në ditët e sotme është e pamundur të shohësh shoqëri dhe kultura pa teknologjitë më të fundit.
Gjithashtu, përdorimi i teknologjive të reja të informacionit nga të rinjtë, më saktë nga fëmijët, është rritur ndjeshëm. Kalimi i orëve para ekraneve dhe formave të tjera të teknologjisë ndikon shumë keq në shëndetin mendor të fëmijëve, duke i bërë ata pasivë dhe duke shkaktuar mjaft shqetësime edhe në fusha të tjera.
Që fëmijët të zhvillohen siç duhet, u duhet më shumë kohë jashtë në natyrë për të luajtur lojëra të ndryshme argëtuese. Çdo ditë e më shumë ka fëmijë me autizëm virtual, por edhe fëmijë që kanë pasoja të tjera në sjelljen e tyre dhe është shumë alarmante që përveç nesh si profesionistë, duhet të zgjohen dhe të reagojnë për marrjen e masave edhe prindërit. Nuk është vetëm një privilegj të kesh fëmijë, është një përgjegjësi e madhe. Ne duhet të sakrifikojmë rehatinë tonë për të ulur gjysmë ore ose një orë më shumë me fëmijën tonë, sepse një fëmijë që përdor telefonin është një fëmijë që nuk ka aktivitet, nuk ka përkushtim”, tha psikologia Edina Mitsi Ademi për Gradska.mk.
Fëmijët me autizëm virtual, siç shpjegon psikologia Ademi, nuk bëjnë kontakt me sy, nuk i përgjigjen thirrjes me emër dhe u mungon socializimi. Ajo thotë se ky fenomen është shqetësues dhe vjen si pasojë e neglizhencës së prindërve pa menduar për pasojat, duke i lejuar fëmijët të përdorin teknologjinë që në moshë të vogël.
“Me trajtimin në kohë dhe këmbëngulës si nga prindërit ashtu edhe nga terapistët, shihet se sa sukses ka ai fëmijë, nëse është autizëm virtual, fëmijët kanë arritur sukses të dukshëm, fillojnë të bëjnë miq, fillojnë të funksionojnë normalisht”, thotë Ademi. Ajo sqaron se truri që përdor vazhdimisht telefonin, qelizat e trurit fillojnë të shkatërrohen dhe janë të vetmet qeliza që nuk rigjenerohen, prandaj fëmija fillon të humbasë përqendrimin, bëhet më agresiv.
Rekomandohet që fëmijët në dy vitet e para të jetës të ecin më gjatë, të jenë jashtë në natyrë dhe të komunikojnë sa më shumë me të rriturit apo fëmijët më të mëdhenj që flasin dhe luajnë me ta. Kjo mbase nënkupton edhe përkujdesje normale prindërore. Sepse, gjithë kjo porblematik që po shfaqet te të fëmijët, por edhe degjenerimi te një masë e caktuar e të rinjve vjen si pasojë e prindërimit jo të përgjegjshëm. Neglizhencë e paarsyeshme, prindërit duke vrapuar pas karrierës apo punës po shkatërrojnë fëmijët dhe të rinjtë.