Protestat e studentëve “trondisin” Serbinë- Kryeministri i Serbisë jep dorëheqje: Çka pritet tash?

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dha dorëheqje nga posti, mes valës së protestave për tragjedinë në Novi Sad.

Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarët në Beograd, ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pranauar vendimin e tij.

“Unë besoj se politika që unë përfaqësoj, partia që unë drejtoj, duhet të demonstrojë nivelin më të lartë të përgjegjësisë dhe të futë norma të reja në politikën serbe, duke dëshmuar se është e përgjegjshme”, tha Vuçeviq, njëherësh kryetar i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.

Për më shumë se dy muaj në Serbi, mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku, më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor.

Incidenti ndodhi pasi ky stacion u rinovua dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium kompanish, i udhëhequr nga Kina.

Vuçeviq tha se “pas ngjarjeve të mbrëmshme, dorëheqja nga posti i kryeministrit është vendim i parevokueshëm”.

“Unë do ta kryej punën time derisa të zgjidhet Qeveria e re. Kjo qeveri tani është në mandat teknik, në dorëheqje”, tha ai.

Natën mes 27 dhe 28 janarit, disa studentë thanë se u sulmuan gjatë protestave në Novi Sad.

Një studente, A.V., u pranua për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Vojvodinës.

Sipas raportimeve të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, incidenti ndodhi jashtë ambienteve të Partisë Përparimtare Serbe.

Pamje nga protestat në Serbi natën mes 27 dhe 28 janarit.
Pamje nga protestat në Serbi natën mes 27 dhe 28 janarit.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha një ditë më herët se të gjitha kërkesat e studentëve janë plotësuar.

Gjatë atij fjalimi, ai kërkoi edhe ristrukturimin e Qeverisë së Serbisë, në krye të së cilës Vuçeviq ishte nga maji i vitit 2024.

Përndryshe, Prokuroria e Lartë Publike e Novi Sadit deri më tani ka marrë në pyetje 48 persona, përfshirë zyrtarë nga Hekurudhat dhe Infrastruktura e Serbisë.

Prokuroria ka konfiskuar edhe dokumente nga institucione dhe kompani të shumta, si dhe ka urdhëruar një ekspertizë për të përcaktuar shkakun e shembjes së strehës së stacionit dhe përgjegjësit.

Kërkesat e studentëve
Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.

Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

Pasi që i renditi ato që i cilësoi si suksese të Qeverisë së tij, Vuçeviq tha se ajo që hodhi hije të madhe mbi mandatin e tij, ishte ngjarja në Novi Sad.

“Që nga ai moment, Serbia sikur ka mbetur e ngujuar në atë fatkeqësi”, tha ai dhe paralajmëroi, gjithashtu, se gjatë ditës do të japë dorëheqje edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriq.

“Kryetari i Novi Sadit dhe unë e konsiderojmë veten objektivisht përgjegjës për atë që ka ndodhur në Novi Sad dhe, për këtë arsye, e paguajmë me dëshirë çmimin politik”, tha kryeministri i dorëhequr serb.

Me këtë veprim, sipas tij, plotësohen edhe kërkesat politike të një pjese të demonstruesve më ekstremë.

“Le të çojë kjo në qetësimin e situatës dhe në kthimin e dialogut politik e shoqëror”, shtoi ai.

Çka tash?

Neni 132 i Kushtetutës së Serbisë thotë se kryeministri e paraqet dorëheqjen te kryetari i Kuvendit dhe e njofton njëkohësisht presidentin e Republikës dhe publikun për vendimin e tij.

Kuvendi, në seancën e parë të radhës, konstaton dorëheqjen e kryeministrit.

Mandati i Qeverisë përfundon në ditën e konfirmimit të dorëheqjes së kryeministrit.

Pasi që Kuvendi ta konfirmojë dorëheqjen e kryeministrit, presidenti i Republikës është i detyruar të fillojë procedurën për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Qeverinë e re brenda 30 ditëve nga data e dorëheqjes së kryeministrit, presidenti i Republikës është i detyruar të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhjet e reja.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Arrestimi i Noizyt në Zvicër/ Stresi zbulon EMRIN: Ja kush e çoi në burg Rigelsin!

Pas raportimeve për arrestimin e reperit të njohur Noizy, ka reaguar menjëherë, Stresi. Në një postim në Instagram, ai ka hedhur dritë mbi ngjarjen që...

Vriten 5 ushtarë izraelitë në Gaza, 10 të tjerë plagosen

Sulmi vjen mes luftimeve të ashpra në Gaza, ndërsa Izraeli vazhdon fushatën e tij ushtarake kundër Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura Pesë ushtarë...

Albrim Hoxha reagon, por nuk mohon: Asnjë shqiptar nuk është avancuar – faji, sipas tij, i “VLEN-it të djeshëm”

Pas publikimit të lajmit nga portali ynë, ku zbuluam se në Ministrinë e Bujqësisë nuk është avancuar asnjë shqiptar në pozita më të larta,...

Alasani paralajmëron: Ziadin Sela kandidat i Frontit Europian për Strugën

Argent Alasani ka sinjalizuar përmes një reagimi publik se Ziadin Sela do të rikandidojë për kryetar të Komunës së Strugës nën siglën e Frontit...

VAZHDON TRENDI: NË MINISTRINË E MBROJTJES PUNËSOHEN 25 MAQEDONAS 🇲🇰 DHE VETËM 1 SHQIPTAR 🇦🇱

Pabarazia në institucionet shtetërore nuk ndalet. Rasti i fundit vjen nga Ministria e Mbrojtjes, ku nga 26 punësime të reja, 25 janë maqedonas dhe...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu