Google ka lëshuar një paralajmërim për tre javët e ardhme për përdoruesit e Gmail, duke njoftuar se do të fshijë llogaritë inaktive si pjesë e një përditësimi të madh të sigurisë.
Kjo masë ndërmerret për të adresuar shqetësimet e sigurisë, pasi llogaritë e ‘braktisura’ janë më të rrezikuara nga sulmet dhe përdorimi i fjalëkalimeve të vjetra, transmeton Telegrafi.
Përdoruesit që nuk e kanë përdorur llogarinë e tyre për të paktën dy vjet, mund të përballen me fshirjen e llogarive të tyre dhe të gjitha të dhënave të ruajtura brenda tyre, duke përfshirë email-et, fotografitë dhe videot.
Google do të dërgojë njoftime të shumta për përdoruesit e prekur përpara se të fillojë procesi i fshirjes më 1 Dhjetor.
Megjithatë, Google ka bërë të qartë se llogaritë që kanë përdorur për të ngarkuar video në YouTube nuk do të fshihen.
Për të shmangur fshirjen, përdoruesit duhet të tregojnë aktivitet në llogarinë e tyre, të tilla si të lexojnë apo dërgojnë email-e, të përdorin Google Drive, të shohin video në YouTube, të ndajnë foto, të shkarkojnë aplikacione, të përdorin Google Search, ose të hyjnë me Google në një aplikacion apo shërbim të palës së tretë.
Google ka shtuar disa përjashtime ku llogaritë mund të ruhen edhe pa aktivitet të dukshëm, si nëse llogaria është përdorur për të bërë blerje të produkteve, aplikacioneve, shërbimeve, ose nëse përmban kartë dhurate me bilanc monetar, apo nëse menaxhon një llogari të mitur aktive përmes Family Link. /Telegrafi/