Maqedonia nuk do të bëhet anëtare e BE-së me çdo çmim, tha kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë në televizionin Kanal 5, ku foli për bllokadat nga Bullgaria dhe kushtet që po vendosen për hyrjen e vendit në BE. Sipas Mickoskit, “ky popull dhe Maqedonia kanë dhënë shumë gjatë 30 viteve të fundit”, transmeton Portalb.mk.
“Ne të gjithë jemi për BE-në dhe të gjithë duam të jemi në BE, por jo me çdo çmim. Sepse nëse kjo do të ishte gjëja e parë, nuk ka problem, do të uleshim dhe do të bisedonim. Ky popull, dhe këta qytetarë dhe ky vend kanë dhënë shumë si askush tjetër dhe qytetarët janë të ngopur me këtë lloj politike, tani ose kurrë, dritarja është e hapur, tani është momenti”, tha kryeministri.
Sipas tij, këto nuk janë ndryshimet e para që kërkohen.
“Identiteti ynë ka ndryshuar, nga flamuri te emri, të gjitha këto janë pjesë e vlerave themelore të një identiteti, atribute që përcaktojnë identitetin”, thotë Mickoski, duke vlerësuar se në të kaluarën këto atribute kanë ndryshuar një nga një – por kjo nuk do të jetë më kështu.
Deklarata vjen pas forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, pas raportit të Parlamentit Evropian, i cili u miratua pa referencat për “gjuhën dhe identitetin maqedonas”, për shkak të presionit nga Bullgaria.
Mickoski thotë se është gati të paraqesë një rezolutë në PE së bashku me Bullgarinë që garanton identitetin dhe gjuhën maqedonase.
“Le të bëjmë një përpjekje”, them unë, dhe kjo përpjekje është që Parlamenti Evropian të miratojë një vendim me shumicë votash që ose do të jetë një rezolutë, ose do të jetë pjesë e një raporti që do ta njohë qartë identitetin dhe gjuhën maqedonase si të dallueshme”, tha Mickoski, duke folur për qëndrimin e Bullgarisë ndaj integrimit evropian të Maqedonisë. Sipas kryeministrit, kërkesa e Bullgarisë nuk është vetëm për bullgarët në Kushtetutë, dhe se ky është vetëm fillimi, dhe jo, siç thotë LSDM, se më pas na pret një rrugë e hapur.
Mickoski theksoi se disa figura politike në Bullgari e deklarojnë qartë se ndryshimet kushtetuese nuk janë pengesa e vetme në rrugën e Maqedonisë drejt BE-së.
“Ajo që Evropa dhe bota mund të shohin është se ndryshimi i Kushtetutës nuk është e vetmja gjë që duhet të bëjmë për të vazhduar. Në fakt, shumë figura politike me ndikim në Bullgari e thonë këtë”, tha Mickoski.
Sipas tij, deklarata e Presidentit bullgar Rumen Radev, në të cilën ai thotë se kushti i vetëm janë ndryshimet kushtetuese, nuk është e saktë, sepse nuk ka asnjë kusht në Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë, dhe tani ne de facto kemi një të tillë.
“Ditën tjetër dëgjova një deklaratë nga Presidenti Radev në të cilën ai tha se kushti i vetëm që Maqedonia duhet të bëjë është ndryshimi i Kushtetutës. Ne nuk kishim asnjë kusht në Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë. Një marrëveshje e nënshkruar në të cilën Bullgaria duhet të na mbështesë në kuadër të procesit të negociatave dhe anëtarësimit. Pra, morëm një veto, sepse nuk e kemi përmbushur marrëveshjen dhe nuk i kemi përmbushur të drejtat e pakicave të komunitetit bullgar në Maqedoni”, vuri në dukje kryeministri.
Parlamenti Evropian, në një postim në rrjetet sociale, tha se Maqedonia mund t’i afrohet anëtarësimit në BE, por duhet të veprojë.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Kujtojmë se me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.