Raporti i organizatës, “Human Right Watch”, i hartuar nga Fred Abrahams do të mbetet si provë në gjykimin e krerëve të UÇK-së. Pavarësisht ankesës së avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, trupi gjykues konsideron se nuk ka bazë që ky raport të përjashtohet nga provat. U konfimua nga vetë Fred Abrahams që në raportin e tij kishte përdorur të dhëna e informacione nga Qeveria e mediat e Serbisë. Trupi gjykues thekson më tej se Mbrojtjes Veseli iu kishte dhënë kohë e mjaftueshme për të marrë në pyetje dëshmitarin, duke përfshirë metodologjinë dhe burimet e përdorura nga HRW. Ben Emmerson argumenton se faktet dhe rrethanat e reja dolën gjatë marrjes në pyetje të tërthortë, të cilat përbënin rrethana të jashtëzakonshme që garantojnë rishqyrtimin e Vendimit të kundërshtuar për të shmangur një padrejtësi. Asgjë e nxjerrë gjatë marrjes në pyetje të kryqëzuar nuk ka ndikuar në asnjë nga kërkesat e Rregullit në lidhje me pranueshmërinë e këtij artikulli, thuhet në vendimin e trupit gjykues të Gjykatës Speciale e cila i konsideron të drejta informatat dhe burimet serbe të kohës së regjimi të Millosheviqit, në të cilat është mbështetur, Fred Abrahams.