Çfarë përfshin marrëveshja SHBA-Ukrainë për mineralet?

Pas muajsh negociatash të tensionuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje që pritet t’i japë Washingtonit aqasje në mineralet kritike të Ukrainës dhe burimet e tjera natyrore, marrëveshje që Kievi shpreson se do të sigurojë mbështetje afatgjatë për mbrojtjen e saj kundër Rusisë.

Sipas zyrtarëve ukrainas, versioni i marrëveshjes së nënshkruar të mërkurën (sipas kohës lokale në SHBA) është shumë më i dobishëm për Ukrainën sesa versionet e mëparshme, për të cilat thanë se e reduktuan Kievin në një partner të vogël dhe i dhanë Washingtonit të drejta të shumta për burimet e vendit.

Marrëveshja — të cilën parlamenti ukrainas duhet ta ratifikojë — do të krijojë një fond rindërtimi për Ukrainën. Zyrtarët ukrainas shpresojnë se ky do të jetë mjet për të siguruar ndihmën ushtarake amerikane në të ardhmen. Një marrëveshje e mëparshme ishte gati për nënshkrim përpara se të dështonte në një takim të tensionuar në Zyrën Ovale, në mes të presidentit të SHBA-së Donald Trump, zëvendëspresidentit JD Vance dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Ne kemi hartuar një version të marrëveshjes që ofron kushte të dobishme për të dyja vendet. Kjo është një marrëveshje në të cilën Shtetet e Bashkuara shfaqin angazhimin e tyre për ta promovuar paqen afatgjatë në Ukrainë dhe njohin kontributin që Ukraina ka dhënë për sigurinë globale duke hequr dorë nga arsenali i saj bërthamor”, ka shkruar në Facebook ministrja e Ekonomisë Yulia Svyrydenko, e cila nënshkroi marrëveshjen për Ukrainën.

Nënshkrimi vjen gjatë asaj që sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, e quajti një javë “shumë kritike” për përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës, e cila duket se ka ngecur. Ukraina e sheh marrëveshjen si mënyrë për t’u siguruar që aleati i saj më i madh dhe më i rëndësishëm të mbetet i angazhuar dhe të mos e zbehë mbështetjen ushtarake, e cila ka qenë thelbësore në luftën e saj 3-vjeçare kundër pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë.

“Kjo marrëveshje e sinjalizon qartë Rusinë se administrata Trump është e përkushtuar ndaj një procesi paqeje të përqendruar në një Ukrainë të lirë, sovrane dhe të begatë në planin afatgjatë”, ka thënë sekretari i Thesarit, Scott Bessent, i cili nënshkroi për SHBA-në.

Çfarë përfshin marrëveshja?

Sipas tekstit të publikuar nga Qeveria e Ukrainës, marrëveshja mbulon mineralet, duke përfshirë elementët e rrallë të tokës, por edhe burime të tjera të vlefshme, përfshirë naftën dhe gazin natyror.

Ajo nuk përfshin burimet që janë tashmë një burim të hyrash për shtetin ukrainas. Me fjalë të tjera, çdo fitim sipas marrëveshjes varet nga suksesi i investimeve të reja. Zyrtarët ukrainas kanë vënë në dukje gjithashtu se ajo nuk i referohet asnjë detyrimi borxhi për Kievin, që do të thotë se fitimet nga fondi ka të ngjarë të mos shfrytëzohen për të paguar SHBA-në për mbështetjen e saj të mëparshme.

Zyrtarët kanë theksuar gjithashtu se marrëveshja siguron që pronësia e plotë e burimeve mbetet te Ukraina, dhe shteti do të përcaktojë se çfarë mund të nxirret dhe ku.

Teksti liston 55 minerale, por thekson se mund të zgjerohet. Trumpi vazhdimisht ka thënë se është i interesuar në minerale kritike si titani, litiumi dhe uraniumi.

Çfarë janë elementët e rrallë të tokës?

Janë grup prej 17 elementësh që janë thelbësorë për shumë lloje të teknologjisë së konsumit, përfshirë telefonat, disqet dhe automjetet elektrike e hibride.

Kina është prodhuesi më i madh në botë i elementëve të rrallë të tokës, dhe si SHBA-ja ashtu edhe Evropa janë përpjekur ta zvogëlojnë varësinë e tyre nga Pekini, kundërshtari kryesor gjeopolitik i Trumpit.

Ato përfshijnë elementë të tillë si lantani, ceriumi dhe skandiumi, të cilët janë të listuar në marrëveshje.

Si do të funksionojë fondi?

Marrëveshja krijon një fond investimi për rindërtim, dhe si SHBA-ja ashtu edhe Ukraina do të kenë të drejtë të barabartë në menaxhimin e tij, sipas Svyrydenkos.

Fondi do të mbështetet nga Qeveria e SHBA-së përmes agjencisë së Korporatës Ndërkombëtare të Financimit të Zhvillimit të SHBA-së, për të cilën Ukraina shpreson se do të tërheqë investime dhe teknologji nga vendet amerikane dhe evropiane.

Ukraina pritet të kontribuojë 50% të të gjitha fitimeve të ardhshme nga burimet natyrore në pronësi të qeverisë në fond. Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të kontribuojnë në formën e fondeve dhe pajisjeve të drejtpërdrejta, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore shumë të nevojshme dhe ndihmë tjetër ushtarake.

Kontributet në fond do të riinvestohen në projekte që lidhen me minierat, naftën dhe gazin, si dhe infrastrukturën.

Nuk do të merren fitime nga fondi për 10 vitet e para, tha Svyrydenko.

Zyrtarët e administratës Trump fillimisht nxitën një marrëveshje në të cilën Washingtoni do të merrte 500 miliardë dollarë fitime nga mineralet e shfrytëzuara si kompensim për mbështetjen e tij gjatë kohës së luftës.

Por Zelenskyy e refuzoi ofertën, duke thënë se nuk do të nënshkruante një marrëveshje “që do të paguhet nga 10 breza ukrainasish”.

Cila është gjendja e industrisë minerale të Ukrainës?

Elementet e rralla të tokës së Ukrainës janë kryesisht të pashfrytëzuara për shkak të politikave shtetërore që rregullojnë industrinë, mungesës së informacionit të mirë në lidhje me depozitat dhe luftës.

Potenciali i industrisë është i paqartë pasi të dhënat gjeologjike janë të pakta sepse rezervat minerale janë të shpërndara në të gjithë Ukrainën dhe studimet ekzistuese konsiderohen kryesisht të pamjaftueshme, sipas biznesmenëve dhe analistëve.

Megjithatë, në përgjithësi, perspektiva për burimet natyrore të Ukrainës është premtuese. Rezervat e titanit të vendit, komponent kyç për industrinë hapësinore, mjekësore dhe automobilistike, besohet të jenë ndër më të mëdhatë në Evropë. Ukraina gjithashtu mban disa nga rezervat më të mëdha të njohura të litiumit në Evropë, i cili është i nevojshëm për të prodhuar bateri, qeramikë dhe xham.

Në vitin 2021, industria minerale e Ukrainës përbënte 6.1% të produktit të brendshëm bruto të vendit dhe 30% të eksporteve.

Rreth 40% e burimeve minerale metalike të Ukrainës janë të paarritshme për shkak të pushtimit rus, sipas të dhënave nga “We Build Ukraine”, grup ekspertësh me seli në Kiev. Ukraina ka argumentuar se është në interes të Trumpit të zhvillojë pjesën e mbetur përpara se Rusia të pushtojë më shumë pjesë të vendit.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Ahmeti sot në Sllupçan për të shënuar 24 vjetorin e shpalljes së kësaj zone si zonë e lirë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, do të marrë pjesë sot në Sllupçan në shënimin e 24-vjetorit të fillimit të luftës së...

Protesta për 1 Majin në Turqi, policia rreh protestuesit, më shumë se 400 të arrestuar

TURQI – Protestuesit janë përleshur me policinë në Stamboll gjatë tubimeve të 1 Majit ditën e sotme, të cilat qeveria turke i ka ndaluar. Siç...

Plaçkitja e dyqaneve sinjalizon përkeqësim të krizës së urisë

Rritja e plaçkitjeve të dyqaneve ushqimore dhe kuzhinave të komunitetit në Rripin e Gazës tregon një dëshpërim në rritje, ndërsa uria përhapet dy muaj...

Shala: Dy deputete të LDK-së janë gati ta votojnë Qeverinë Kurti

Analisti politik, Azdren Shala ka thënë se dy deputete të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë të gatshme të votojnë Qeverinë Kurti. Ai shton se votimi...

OVLUÇK Kosovë: Paralajmërimet për dënime të tjera të krerëve të UÇK-së janë alarm për drejtësinë dhe shtetin

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ashpër pas paralajmërimeve të fundit të bëra publike nga ekipi mbrojtës i...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu