2.9 milionë euro dëm shtetit – Rozeta Hajdari përballë drejtësisë

Kryeministri në atë kohë, Albin Kurti, i doli në mbrojtje Hajdarit, duke mohuar çdo shkelje apo korrupsion
Prokuroria Speciale e Kosovës, të martën e 11 nëntorit, ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore. Sipas Prokurorisë Speciale ajo akuzohet për shkaktimin e dëmtimit të buxhetit të shtetit, i cili llogaritet në 2 milionë e 912 mijë euro.

Përveç ministres Hajdari, Prokuroria Speciale, të martën, e 11 nëntorit ka ngritur aktakuzë edhe ndaj tre personave të tjerë: Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi, për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe zbulimin e fshehtësisë shtetërore.

Sipas aktakuzës, Hajdari, Lipovica dhe Gara dyshohen se gjatë muajve shkurt-mars 2022 kanë keqpërdorur detyrat zyrtare në bashkëkryerje, me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimin e dëmtimit të buxhetit të shtetit, i cili llogaritet në 2 milionë e 912 mijë euro.

Po ashtu, të pandehurit akuzohen për zbulim të fshehtësisë zyrtare, duke iu dhënë informacione për vendndodhjen e rezervave shtetërore, që konsiderohet sekret shtetëror sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, të pandehurit Ridvan Muharremi.

Muharremi akuzohet gjithashtu për ndihmë në kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë që kishin lidhje me rezervat shtetërore.

Ngritjen e aktakuzës fillimisht e ka konfirmuar vetë Hajdari, nëpërmjet në postimi në platformën sociale, Facebook.

Hajdari është shprehur krenare për punën e saj si ministre e Tregtisë.

“Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”.

Ajo ka bërë të ditur se do të deklarohet për media më gjerësisht sapo të pranojë të plotë dokumentin e aktakuzës.

Rezervat shtetërore të Kosovës u bënë kryelajm në gusht të vitit 2023, pas dyshimeve për keqpërdorim të tyre. Në atë kohë, Policia e Kosovës arrestoi disa persona, përfshirë punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nën udhëheqjen asokohe të ministres Rozeta Hajdari.

Bastisjet dhe arrestimet pasuan publikimin e disa audio-incizimeve nga portali “Nacionale”, në të cilat pretendoheshin mungesa të produkteve të kontraktuara për rezervat shtetërore, si vaji i blerë dhe paguar në Poloni, por që nuk kishte mbërritur në Kosovë, si dhe gruri.

Hajdari kishte deklaruar se blerjet ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha detaje, duke theksuar se informacioni mbi rezervat është sekret shtetëror. Ajo gjithashtu akuzoi policinë për marrjen e dokumenteve të klasifikuara gjatë bastisjeve.

Kryeministri në atë kohë, Albin Kurti, i doli në mbrojtje Hajdarit, duke mohuar çdo shkelje apo korrupsion dhe duke akuzuar, siç tha, “elitën e vjetër politike, gjykatësit dhe prokurorët e saj, si dhe mediat e keqpërdorura”.

Tetë muaj më vonë, në prill 2025, Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rezervat shtetërore. Ajo u mbrojt duke heshtur, ndërkohë që opozita kërkoi dorëheqjen e saj. Hajdari mohoi se ka arsye për tërheqje nga detyra.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri thirrje për pritjen e epilogut të rastit.

Prokuroria Speciale i kishte kërkuar Gjykatës Themelore ta urdhëroi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin të dëshmoi para Prokurorisë për rastin e rezervave shtetërore. Kurti i kishte refuzuar tri ftesat e Prokurorisë.

Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj ministres në detyrë Hajdari, në lidhje me çështjen e rezervave shtetërore, kanë reaguar Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duke e lidhur rastin drejtpërdrejt me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se asnjë vendim i ministrave të Qeverisë Kurti nuk është marrë pa dijeninë e tij.

“Në fakt, Rozeta, sikurse edhe të gjithë kolegët e saj në kabinetin Kurti 2, nuk ka bërë as edhe një hap pa dijeninë dhe aprovimin e A.K. Ka qenë e qartë për këdo që A.K. nuk ka pasur ministra me mandat të plotë e me autoritet vendimmarrës. Ka pasur ndihmës, zbatues të urdhrave të tij”, ka shkruar Çitaku, në platformën sociale, Facebook.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, është shprehur e habitur që në aktakuzën e ngritur ndaj Hajdarit nuk figuron edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Bajrami ka akuzuar Kurtin për, siç ka thënë ajo, “vendime të fshehta dhe kontrata të dyshimta” lidhur me furnizimin dhe menaxhimin e mallrave strategjike.

“Albini ka marrë vendim me ba blerje sekrete të miellit e vajit, Albini ka leju me u nënshkru mbi 3000 tenderë sekret, në vlerë prej 240 milionë euro, Albini ka leju mafinë energjetike dhe rreth 800 milionë euro import të rrymës, andaj edhe unë dhe gjithë ata që e duan këtë Republikë kemi probleme me Albin Kurtin!”, ka shkruar Bajrami, në platformën sociale, Facebook.

Ajo ka shtuar se është e befasuar që Kurti nuk është përfshirë në aktakuzë, duke aluduar në përgjegjësi politike për vendimet e marra në kohën e tij.

“U befasova se si ai nuk qenka pjesë e aktakuzës!”, ka theksuar Bajrami.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Filmi për Kosovën: De Niro paguhet 1 milion dollarë për një ditë, edhe ujin e do special nga Amerika

Aktori hollivudian Robert De Niro ka konfirmuar se do të jetë pjesë e kastit të filmit i cili do të xhirohet për luftën në...

Gjykata Kushtetuese njofton afate për shqyrtimin e Ligjit për Gjuhët

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, komentoi raportin e fundit të Komisionit Evropian, duke shprehur shqetësim për situatën e gjatë “status quo” në sistemin...

Hill: Millosheviqi mendonte se po hiqnim dorë nga Rugova për UÇK-në

I dërguari i SHBA-së për Kosovën gjatë kohës së luftës, Christopher Hill, ka folur për procesin e Rambujesë dhe raportet që kishte me ish-presidentin...

Fletëvotimi në Mitrovicë “teleportohet” nga Bare tek “Tuneli i Parë” – i kalon 9 kilometra, 7 fshatra

Dyshimet për manipulim të votave në Mitrovicë të Jugut sa vazhdojnë të rriten. Zyrtari i PDK-së, Adil Behramaj ka publikuar faktin e fundit, transmeton lajmi.net. Një...

Burri i Albulena Haxhiut “kërcënon” Sami Lushtakun: Në Skënderaj së shpejti ka me përjetu fundin e vet politik

Alban Krasniqi, burri i Albulena Haxhiut me një gjuhë të ulët është kapur me PDK, dhe Sami Lushtakun, raporton Periskopi. Ai në një postim në...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu