Drejtoria e Doganave ka njoftuar për mallin e sekuestruar gjatë vikendit të zgjatur në pikën kufitare “Tabanoc” dhe “Bogorodicë”, përcjell TV21. Janë konfiskuar cigare, mjete pune dhe atlete në disa raste të ndryshme.
“62 palë atlete, 37 copë vegla pune, kaçavida elektrike, 5 copë mjete për prerje të hekurit, 7 copë bateri me karikues, janë sekuestruar në hyrje të shtetit në vendkalimin kufitar Tabanoc. Malli i padeklaruar është gjetur në një automjet pasagjerësh me targa të huaja. Në pyetjen e doganierit nëse ka diçka për të deklaruar, drejtuesi i mjetit ka deklaruar se ka vetëm sende personale, por gjatë kontrollit të automjetit në bagazh, në sediljet e pasme dhe poshtë tyre, janë gjetur mallra të padeklaruara në thasë najloni dhe çanta. Malli është ndaluar përkohësisht”, thonë mes tjerash nga Drejtoria e Doganave.
“26 pako me paqeta të cigareve janë zbuluar nga ekipet mobile doganore në hyrje të vendit, në vendkalimin kufitar Bogorodicë, në dy raste të ndara. Në rastin e parë, në një kamion me targa të Maqedonisë janë zbuluar 12 paketa cigare. Cigaret e padeklaruara janë gjetur në kabinën dhe pjesës së jashtme të kamionit. Në rastin e dytë, 14 pako cigare janë zbuluar gjithashtu në një kamion me targa të Maqedonisë, në kabinën e mjetit dhe në zgavrat anësore të mjetit. Në të dy rastet malli është mbajtur, ndërsa ndaj drejtuesve të mjeteve është iniciuar procedurë kundërvajtëse”, shtojnë nga Drejtoria e Doganave.
“11 pako me paqeta të cigareve janë zbuluar nga doganierët në vendkalimin kufitar Bogorodicë, në veturë me targa të Maqedonisë, e regjistruar për hyrje në vend. Cigaret e padeklaruara janë gjetur në bagazhin në pjesën e pasme të mjetit, në hapësirën rreth gomës rezervë si dhe në sediljen e pasme të mjetit. Cigaret janë ndalur përkohësisht, ndërsa ndaj pasagjerit është nisur procedimi përkatëse”, theksojnë nga Drejtoria e Doganave.