Ministri i Investimeve i Arabisë Saudite udhëhoqi një delegacion biznesor që udhëtoi drejt Sirisë të mërkurën, ku pritet të nënshkruajnë marrëveshje me vlerë mes 4 e 6 miliardë dollarësh si pjesë e përpjekjeve të Riadit për ta mbështetur rimëkëmbjen e vendit pas luftës së gjatë.
Arabia Saudite ka qenë mbështetëse kyçe e qeverisë së presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, e cila erdhi në pushtet pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad dhe tani po synon që ta rindërtojë vendin pas luftës civile 14-vjeçare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ministri i Investimeve i Arabisë Saudite, Khalid bin Abdulaziz Al-Falih, i cili dërgoi në Damask rreth 130 biznesmenë sauditë, pritet të mbajë takime me udhëheqjen siriane para një konference dyditore të investimeve që hapet të mërkurën, sipas personave që pritet të marrin pjesë në të.
Ministri i Informacionit i Sirisë, Hamza al-Moustafa, tha në një konferencë për gazetarë të mërkurën se vendi i tij do të nënshkruajë 44 marrëveshje me Arabinë Saudite me vlerë të gati 6 miliardë dollarëve.
Marrëveshjet mbulojnë fusha të ndryshme, përfshirë energjinë, telekomunikimin, financat dhe bankat, fondet për investime dhe të tjera, tha ministri sirian. Sipas tij, disa prej marrëveshjeve do të nënshkruhen mes Qeverisë dhe kompanive private.
Televizioni shtetëror saudit, “Al Ekhbariya”, raportoi të martën se marrëveshjet që do të nënshkruhen mes Damaskut dhe Riadit do ta kenë vlerën e më shumë se 4 miliardë dollarëve.
Gjatë vizitës së tij në Siri, ministri Al-Falih dhe homologu i tij sirian nisën të mërkurën një projekt të fabrikës së betonit në qytetin industrial Adra, me një investim me vlerë të 20 milionë dollarëve, tha agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA.
Al-Falih gjithashtu e vuri gurthemelin e një projekti të integruar të shitjeve me pakicë nga kompania investuese saudite, “Ehtraa Holding”, me vlerë të rreth 100 milionë dollarëve.
Arabia Saudite ka shfaqur interesim në sektorët e energjisë dhe gastronomisë në Siri si dhe në aeroportet e saj, i thanë agjencisë “Reuters” një diplomat dhe një biznesmen sirian i afërt me çështjen.
Biznesmeni sirian tha se dy vendet pritet që gjithashtu të themelojnë një këshill të përbashkët biznesor.
Konferenca e investimeve fillimisht ishte planifikuar të mbahej në qershor, por ishte shtyrë për shkak të shpërthimit të luftës mes Izraelit e Iranit./Nacionale