Volodymyr Zelensky shtyn udhëtimin në Arabinë Saudite

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se ka ndryshuar planet e tij për një vizitë në Arabinë Saudite, që ishte paraparë të zhvillohej të mërkurën.

Këtë njoftim ai e bëri më 18 shkurt gjatë një konference për media me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Turqi.

Ai tha se përfaqësuesit ukrainas nuk u ftuan në takimin e mbajtur midis delegacioneve amerikane dhe ruse në Arabinë Saudite, duke theksuar se kjo “ishte befasi për ne”.

“Nuk duam që askush të vendosë prapa shpinës sonë… Asnjë vendim nuk mund të merret pa Ukrainën lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë”, tha Zelensky.

Delegacioni amerikan dhe ai rus në Riad, më 18 shkurt 2025.
SHIKONI EDHE:
DASH pas takimit në Riad: SHBA-ja dhe Rusia u pajtuan të punojnë drejt paqes në Ukrainë
Kur u pyet nëse planifikonte të takohej me përfaqësuesit amerikanë që do të qëndrojnë në Riad, Zelensky tha se nuk e di se kush saktësisht do të qëndrojë në Arabinë Saudite.

“Sinqerisht, nuk më intereson. Nuk më intereson nëse partnerët tanë mendojnë shumë për ne. Ne jemi të sinqert dhe të hapur. Kjo është arsyeja pse nuk do të shkoj në Arabinë Saudite. Kam një raport të mirë me Princin e Kurorës, Muhammad bin Salman. I kemi kontaktuar dhe jemi pajtuar që do të zhvilloj një vizitë zyrtare më 10 mars”, tha ai.

Presidenti ukrainas tha se do të presë për vizitë në Kiev përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më 14 shkurt, Zelensky kishte njoftuar se do të vizitonte Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë. Megjithatë, pas vizitës në Emirate, presidenti ukrainas shkoi në Turqi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takuan në Riad më 18 shkurt. Ata u pajtuan që “sa më shpejt që të jetë e mundur” të krijojnë grupe që të nisin punën për t’i dhënë fund luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se palët do të angazhojnë ekipe që t’i jepet fund luftës sa më shpejt që të jetë e mundur “në një mënyrë që është e qëndrueshme dhe e pranueshme për të dyja palët”.

Zelensky deklaroi në Turqi se as Kievi e as Moska nuk mund të fitojnë në fushëbetejë.

Luftime të ashpra po zhvillohen në vijën e frontit të gjatë mbi 1.000 kilometra, teksa forcat ruse po avancojnë ngadalë në rajonin lindor të Donjeckut. Ukraina, ndërkaq, ka marrë nën kontroll një pjesë të vogël të rajonit rus të Kurskut, pasi nisi një sulm të befasishëm atje në gusht të vitit të kaluar.

Zelensky tha se për të siguruar paqe të drejtë, SHBA-ja, Ukraina dhe Evropa duhet të marrin pjesë në bisedime lidhur me garancitë e sigurisë për Kievin. Ai tha se për këto garanci ka biseduar edhe me Erdoganin.

Ndërkaq, gjatë konferencës për media Erdogan deklaroi se Turqia është “mikpritëse ideale” për çdo bisedim për t’i dhënë fund luftës, duke kujtuar se palët ishin takuar në Stamboll më 2022, disa javë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

“Turqia është një mikpritëse ideale për bisedimet e mundshme mes Rusisë, Ukrainës dhe Amerikës në një të ardhme të afërt”, tha ai, duke shtuar se bisedimet në Stamboll kanë qenë një “pikë e rëndësishme reference dhe platformë ku palët iu afruan arritjes së një marrëveshjeje”.

Erdogan tha po ashtu se në sytë e Ankarasë, sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës janë të padiskutueshëm.

Kjo ishte vizita e tretë e Zelenskyt në Turqi që nga nisja e luftës. Turqia, anëtare e NATO-s, ka synuar të mbajë raporte të mira me të dyja palët dhe Erdogan e ka paraqitur veten si një politikan që mund të ndihmojë në arritjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Shumica e institucioneve në Tetovë pa plan evakuimi

Zjarri tragjik në kabarenë Pulse në Koçan ka ngritur shqetësime të mëdha mbi kushtet e sigurisë në objekte të ndryshme në vend. Por duket...

Counter-Strike 2 më në fund theu rekordin e mbajtur nga CS:GO

Cunter Strike 2 më në fund ka arritur të kapërcejë numrat që CS:GO ka mbajtur me xhelozi për vite me radhë. Videoja e njohur CS:GO...

Artan Dika: Po zhvillohet një gjueti shtrigash për të mbuluar fajtorët e vërtetë të lidhur me VMRO-në

E lexova një analizë të detajuar të emisionit/portalit te njohur "360 gradë" ku sqarohet procedura e licencimit të klubeve të natës/diskotekave. Aty thuhet se...

Tateshi: Ministri i Shëndetësisë të merret me problemet themelore mjekësore, numri i personelit ka rënë në nivel kritik!

Mjeku Bekim Tateshi nga Aleanca për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës, ka kritikuar qasjen që ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka ndaj ngjarjeve...

Vazhdojnë tentativat për ta shndërruar tragjedinë e Koçanit në incident me prapavijë etnike!

Një reagim i fuqishëm ka ardhur pas një akti të papranueshëm dhe të dënueshëm të disa të rinjve adoleshentë maqedonas në Komunën e Butelit,...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu