Në një veprim të pazakontë politik, partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM janë bashkuar për të dorëzuar një ankesë të përbashkët në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) lidhur me dy vendvotime në Komunën e Çashkës, shkruan Koha.mk.
Pavarësisht se të gjitha Komisionet Komunale Zgjedhore kanë dorëzuar raportet e tyre që të dielën në mbrëmje, duke konfirmuar se procesi zgjedhor ka qenë i rregullt dhe demokratik, VMRO dhe LSDM po përpiqen të kontestojnë rezultatin përfundimtar.
Sipas rezultateve zyrtare, kandidati shqiptar Suat Shaqiri ka siguruar 2322 vota, duke fituar me mbi 50% të mbështetjes ndaj dy kundërkandidatëve maqedonas. Kandidati i LSDM-së, Goran Stonajovski, ka marrë 1110 vota, ndërsa ai i VMRO-së, Dejan Andonovsko, ka përfunduar me 1074 vota.
Burime nga terreni theksojnë se përpjekjet për të kontestuar rezultatin janë një tentativë për ta zvarritur certifikimin e fitores së Shaqirit, i cili konsiderohet si një simbol i përfaqësimit të shqiptarëve në komunat e përziera të rajonit të Vardarit.
Ndërkohë, subjekti shqiptar VLEN po hesht për këtë situatë të pazakontë, duke mos reaguar publikisht as për përpjekjet e përbashkëta të VMRO-së dhe LSDM-së, as për tentativën që mund të vonojë konfirmimin e fitores së kandidatit shqiptar.
Vendimi përfundimtar pritet të merret nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor në ditët në vijim.