Trump kërkon zhbërjen e programit bërthamor të Iranit, por sinjalizon fleksibilitet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se objektivi i negociatave me Iranin është sigurimi i “zhbërjes së plotë” të programit bërthamor të Teheranit, por se do ta shqyrtonte mundësinë e lejimit të Iranit për ta mbajtur një program civil për energji bërthamore.

Në një intervistë me NBC, më 4 maj, Trump deklaroi se shpërbërja e programit bërthamor të Iranit do të ishte “krejt çfarë do të pranoja”.

Komenti përbën herën e parë që Trump ka thënë shprehimisht se çfarë dëshiron të bëjë me programin bërthamor të Iranit, që Teherani thotë se është paqësor.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sugjeroi javën e kaluar se Uashingtoni do të ishte i hapur për ta lejuar Iranin të operojë një program paqësor civil bërthamor, duke thënë se “ekziston një mënyrë për ta bërë këtë”.

“Dhe, kjo mënyrë është ndërtimi i reaktorëve dhe importimi i uraniumit të pasuruar për vënien në funksion të këtyre reaktorëve. Kështu veprojnë dhjetëra vende nëpër botë”, tha ai për Fox News, më 1 maj.

Trump u duk se i bëri jehonë komenteve të Rubios, duke i thënë NBC-së se do të ishte “i hapur për ta dëgjuar atë”.

“Quhet energji civile. Por, siç e dini, energjia civile shpesh çon në luftëra ushtarake. Dhe, ne nuk duam që ata të kenë armë bërthamore. Është shumë e thjeshtë”, shtoi ai.

Trump tha se një program civil bërthamor do të përdorej për prodhim të energjisë elektrike, por duke marrë parasysh se Irani është vend i pasur me energji, atij vërtet nuk do t’i duhej ai.

“Jam i prirë të them, ‘Për çfarë ju duhet ai? Keni mjaft naftë’”, shtoi ai.

Jason Brodsky, drejtor politikash në organizatën United Against Nuclear Iran (Të bashkuar kundër Iranit bërthamor), deklaroi se komentet e Trumpit e kanë bërë të qartë se administrata nuk është e interesuar për një version të ri të marrëveshjes bërthamore të 2015-tës me Iranin.

“Kjo intervistë e vë në pikëpyetje atë fantazi”, shkroi ai në rrjetin social X.

Ndërkohë, të tjerë ngulmojnë se thirrja e Trumpit për zhbërjen e programit bërthamor të Iranit, teksa në të njëjtën kohë vazhdon të jetë i hapur për mundësinë që Irani të operojë një program civil të energjisë bërthamore, sugjeron se ai është ende i pavendosur.

“Mbase mund të argumentohet se ekipi i Trumpit ende nuk e di saktësisht se çfarë do nga Irani, por ai vetë e dëshiron një marrëveshje ndryshe” nga ajo e 2015-tës, shkroi analisti i politikës së jashtme me bazë në Iran, Rahman Qahremanpour.

Irani ka hedhur poshtë thirrjet për zhbërjen e programit të tij bërthamor dhe për heqjen dorë nga aftësia e tij për pasurimin e uraniumit.

Duke iu përgjigjur komentit të Trumpit, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha më 5 maj se Irani “ka të drejtë për energji paqësore bërthamore”, dhe hodhi poshtë komentin e presidentit amerikan për naftën.

“Programi paqësor bërthamor i Iranit daton nga vitet ’70, kur Irani kishte më shumë karburante fosile dhe më pak konsum”, tha Esmail Baqaei, gjatë një konference të përjavshme për media.

“Prandaj, disa komente të gabuara për qasjen e Iranit në rezerva të mëdha të karburanteve fosile dhe mosnevojën për energji bërthamore nuk mbështeten në shkencë apo realitet”, shtoi ai.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar tri runde diskutimesh bërthamore që nga muaji i kaluar. Një rund i katërt, me ndërmjetësimin e Omanit, ishte paraparë të mbahej më 2 maj, në Romë, por u shty për shkak të atyre që Muskati i quajti “arsye logjistike”./REL

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Nga errësira drejt ëndrrës: kush është Stenaldo Mëhilli, banori i ri i verbër i Big Brother

Stenaldo Mëhilli është banori tjetër që është futur në shtëpinë e Big Brother, edhe pse ai e ka prekur i pari këtë shtëpi. Stenaldo Mëhilli,...

“Nëse VV zbutet, atëherë çahet dhe humbet”: Qe pse Kurti nuk është zbutur, sipas fjalëve të veta

Kordet zënore në këtë fushatë s’i ka ndezur. Me gjuhë të përzbutur, Albin Kurti, i ka ulur volumin decibelëve agresivë të fushatës së janarit....

Specialja refuzon kërkesën e Veselit për lirim të parakohshëm

Gjykata në Hagë ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për lirim të përkohshëm, duke vendosur vazhdimin e paraburgimit të tij në Qendrën...

Aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit, dyshohet se nuk i deklaroi 172 mijë euro

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti. Ai akuzohet se në cilësinë e kryetarit gjatë viteve...

Filipçe: Nëse Ali Ahmeti mendon ta shkatërrojë Maqedoninë siç mburret për Jugosllavinë, kjo nuk do t’i kalojë

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, ka deklaruar se kërkesat dhe deklaratat e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, janë të motivuara...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu