Kane kaluar shtatë muaj kurse problemi i transportit publik për studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup ende nuk është zgjidhur. Ata vazhdojnë të përballen me vështirësi për shkak të mungesës së linjave direkte nga konvikti shtetëror “Pellagonia” deri në universitet. Kjo situatë i detyron ata të ecin në këmbë dhe të presin autobusë, gjë që shkakton vonesa në ligjërata. Për këtë problem, Ndërmarrja e Transportit Publik është në heshtje totale, shkruan Portalb.mk.
Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup ankohen se kanë probleme me transportin publik. Ata thonë se për shkak të mungesave së linjave direkte nga konvikti shtetëror “Pellagonia” deri në universitet detyrohen të ecin në këmbë, dhe t’i ndërrojnë tre linja të autobusit deri sa të arrijnë në universitet.
Në lidhje me këtë problem Portalb.mk kontaktoi Qytetin e Shkupit, Ndërmarrjen e Transportit Publik, dhe Ministrinë e Arsimit.
Nga Qyteti i Shkupit pjesë e së cilës është Ndërmarrja e Transportit Publik duke mos u përgjigjur konkretisht në pyetjen tonë thanë se propozim-vendimet për rishikimin dhe ndryshimet e orarit të linjave, nuk janë miratuar për disa seanca me radhë.
“Këshilli i Qytetit të Shkupit, i udhëhequr nga koalicioni qeverisës i kryesuar nga VMRO-DPMNE, për më shumë se 40 seanca nuk ka votuar për rinovimin e parkut të automjeteve dhe plotësimin e numrit të nevojshëm të automjeteve për Ndërmarrjen Publike për Transport, me qëllim të sigurimit të një transporti publik të sigurt dhe të besueshëm për të gjitha kategoritë e qytetarëve. E njëjta gjë vlen edhe për propozim-vendimet për rishikimin dhe ndryshimin e orarit të linjave, të cilat nuk po miratohen për disa seanca me radhë, pa asnjë arsyetim pse nuk po votojnë”, thanë nga Qyteti i Shkupit.
Lidhur me këtë problem nga Ndërmarrja e Transportit Publik as këtë herë nuk u përgjigjën në pyetjet tona gazetareske.
Pyetëm edhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nëse janë të njoftuar për problemin me transportin publik për studentët e Universitetit ‘Nënë Tereza’, por nga kjo ministri theksuan vetëm se nuk kanë kompetenca për vendosjen e transportit të rregullt publik në qytet.
Nga universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, edhe pse na konfirmuan se do të na japin përgjigje, deri publikimin e këtij teksti nuk dërguan asnjë fjalë.
Kujtojmë se, në muajin nëntor 2024, nga rektorati i Universitetit “Nënë Tereza” për Portalb.mk theksuan se me transferimin e tyre në kampusin e ri kanë tentuar ta zgjidhin edhe problemin me transportin e studentëve, por institucionet përgjegjëse nuk i kanë dëgjuar.
“Për një linjë të re autobusi (transporti) për të lehtësuar lëvizjen më të mirë dhe më adekuate. Kërkesa kemi bërë deri te Ndërmarrja e Qarkullimit Publik dhe Qyteti i Shkupit, po deri më tani nuk kemi marrë përgjigje pozitive”, thanë nga rektorati i UNT-së me 11 nëntor 2024.
Po ashtu ata thanë se presionet ndaj institucioneve përkatëse do vazhdojnë deri në përfundimin pozitiv të kësaj çështje.