SHBA-ja kritikon ashpër Francën që paralajmëroi njohjen e shtetit palestinez

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Uashingtoni “e kundërshton fuqishëm” planin e presidentit francez, Emmanuel Macron për të njohur shtetin palestinez, ndërsa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump njoftoi se nuk do të marrë pjesë në konferencën e ardhshme të Kombeve të Bashkuara që synon zgjidhjen me dy shtete për palestinezët.

Rubio, të enjten vonë, në rrjetin X kritikoi vendimin e Macronit, duke e quajtur atë një “vendim të pamatur” dhe duke thënë se ai “vetëm i shërben propagandës së Hamasit dhe pengon paqen”.

Më herët, Macron kishte deklaruar se do ta formalizojë vendimin e Francës për të njohur shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.
“Në përputhje me angazhimin historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë Shtetin e Palestinës”, shkroi Macron në rrjetin X.

Aktualisht, të paktën 142 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e njohin ose planifikojnë të njohin shtetin palestinez. Megjithatë, disa vende perëndimore me ndikim – përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë – e kanë refuzuar një gjë të tillë.

Anëtarë të Bashkimit Evropian si Norvegjia, Irlanda dhe Spanja njoftuan në muajin maj se kishin nisur procesin e njohjes së shtetit palestinez.

Por vendimi i Macronit do ta bënte Francën – një nga aleatët më të afërt të Izraelit dhe anëtare të G7-ës – shtetin më të madh dhe ndoshta më me ndikim evropian që e njeh Palestinën.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e dënoi këtë vendim, duke thënë se një hap i tillë “shpërblen terrorizmin dhe rrezikon krijimin e një vasali tjetër iranian”.

“Shteti palestinez në këto kushte do të ishte një platformë për shkatërrimin e Izraelit, jo për bashkëjetesë paqësore me të”, tha Netanyahu në rrjetin X.

Megjithëse pozicioni zyrtar i SHBA-së tradicionalisht mbështet një zgjidhje me dy shtete, vetë presidenti Donald Trump ka shprehur dyshime për realizueshmërinë e saj. Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka sugjeruar që SHBA mund të “marrë nën kontroll” Gazën, të zhvendosë mbi dy milionë palestinezë nga territori dhe ta shndërrojë atë në një “rivierë të Lindjes së Mesme”.

Ky plan i Trumpit është dënuar nga shumë organizata për të drejtat e njeriut, vende arabe, palestinezët dhe OKB-ja, duke e cilësuar si një formë të “spastrimit etnik”.

Në qershor, ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, deklaroi se nuk beson se një shtet i pavarur palestinez është më një objektiv i politikës së jashtme amerikane.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, u përgjigj duke thënë se Huckabee “flet në emër të vet” dhe se vendimmarrja për politikën i takon Trumpit dhe Shtëpisë së Bardhë.

Të enjten, zëvendëszëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, deklaroi se SHBA nuk do të marrë pjesë në konferencën e ardhshme të OKB-së për zgjidhjen me dy shtete. Konferenca, e cila organizohet bashkë nga Franca dhe Arabia Saudite, është planifikuar të mbahet midis 28 dhe 30 korrikut dhe synon të hartojë një plan për t’i dhënë fund konfliktit shumëdekadësh dhe për njohjen e shtetit palestinez.

Pigott u tha gazetarëve se nuk kishte asgjë të re për të shtuar, përveç se Uashingtoni “nuk do të jetë i pranishëm”.

Po rritet presioni ndërkombëtar mbi Izraelin për të përfunduar luftën shkatërrimtare në Gazë, e cila filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1.139 persona dhe mbi 200 të tjerë u morën peng dhe u dërguan në Rripin e Gazës.

Përgjigjja e Izraelit, që ka zgjatur tashmë 21 muaj, ka rezultuar në vdekjen e pothuajse 60 mijë palestinezëve dhe plagosjen e mbi 144 mijë të tjerëve.

Bisedimet shumëmujore për armëpushim, me ndërmjetësim nga SHBA, Egjipti dhe Katari, ende nuk kanë sjellë një marrëveshje.

Të hënën, 28 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë dhe disa shtete evropiane, publikuan një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje Izraelit që “të ndalojë menjëherë luftën” në Gazë.

Në atë deklaratë u dënua gjithashtu “dërgimi pikë-pikë i ndihmave” si dhe “vrasjet çnjerëzore të civilëve, përfshirë fëmijë, që përpiqen të plotësojnë nevojat bazë për ujë dhe ushqim”.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Mexhiti: S’ka më na jepni votën, do ta bëjmë këtë ose atë! E bëjmë punën, ju e vlerësoni

Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, pasditen e sotme zhvilloi një takim me banorët e Çairit të Vjetër në...

Krizë në VLEN Gostivar: Shefi i Shtabit Zgjedhor, Fisnik Ristemi, jep dorëheqje – Lista e këshilltarëve, shkak përçarjeje

Në prag të zgjedhjeve lokale, koalicioni VLEN në Gostivar përballet me krizë të brendshme: Shefi i shtabit zgjedhor, Fisnik Ristemi, ka dhënë dorëheqje nga...

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut refuzojnë të mbështesin rezolutën për Palestinën

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin mes 12 vendeve që abstenuan në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila miratoi...

Skandal politik në Tetovë: Adnan Azizi i kërkon falje Mickoskit – “Nuk e përsëris më”!

TetovaSot sipas burimeve të saja zbulon se deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, është detyruar t’i kërkojë falje kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski,...

LAJMI I FUNDIT: Deklaratë e sapolëshuar nga Ambasada Amerikane: Amerika e prishë alancën me Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën, për shkak të shqetësimeve mbi veprimet e qeverisë...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu