Pjesëmarrja e Izraelit në “Eurovision” nxit protesta

Për shkak të luftës kundër Hamasit në Gaza po intensifikohen dhe thirrjet për të mos lejuar Izraelin të marrë pjesë këtë vit në “Eurovisionin”, që do të mbahet në Malmo.

Në vitin 2018, gjithçka ishte ende relativisht në rregull në universin e “Eurovision Song Contest”, të cilën rregullat e përcaktojnë si një ”ngjarje jopolitike”.

Atë vit, këngëtarja izraelite Netta fitoi garën në Lisbonë me thirrjet e saj brilante për diversitet dhe vetëbesim, duke e bërë Tel-Avivin qytet nikoqir të “Eurovisionit” në maj të 2019-s.

Demonstrata më të vogla propalestineze u zhvilluan po atë vit, rreth kësaj ngjarjeje popullore, por morën pak vëmendje, duke pasur parasysh mijëra fansa të “Eurovisionit” që thjesht donin të festonin në Tel-Aviv.

Në mbrëmjen e finales, grupi islandez “Hatari” u shfaq në skenë duke mbajtur pankarta propalestineze, duke shkelur rregullat e Festivalit. Transmetuesi islandez, RUV, duhej të paguante një gjobë prej 5 mijë dollarë për Unionin Evropian të Transmetimeve (EBU), i cili organizon këtë konkurs ndërkombëtar.

Duke performuar në festival, po atë mbrëmje, Madonna kërkoi një kërcimtare me një flamur izraelit dhe një tjetër të veshur me një flamur palestinez të ngjiste shkallët krah për krah gjatë aktit të saj. Superylli amerikan më vonë tha se ishte një “mesazh paqeje dhe uniteti”.

Edhe pse rregullat e konkursit specifikojnë se çdo promovim i mesazheve politike është i ndaluar, rregullorja është thyer vazhdimisht në të kaluarën.

Veprimtaria e vitit të kaluar në Liverpool, e organizuar nga Mbretëria e Bashkuar në emër të Ukrainës, shfaqi flamuj blu dhe të verdhë, si shenjë solidariteti me vendin që i është nënshtruar luftës së agresionit të Rusisë që nga shkurti 2022. Ndërkohë, Rusisë i është mohuar pjesëmarrja në konkurs për dy vjetët e fundit.

Duke pasur parasysh luftën në Gaza, disa vende tani po vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e Izraelit në manifestimin të quajtur “Eurovision”.

Rreth 1 mijë e 400 muzikantë finlandezë u janë bashkuar artistëve dhe aktivistëve propalestinezë në Finlandë, duke nënshkruar një peticion që kërkon që Izraeli të përjashtohet nga “Eurovision Song Contest”.

Ata u shprehën se “nuk është në përputhje me vlerat tona që një vendi që kryen krime lufte dhe vazhdon pushtimin ushtarak, t’i jepet një skenë publike për të pastruar imazhin e tij në emër të muzikës”.

Një fushatë e ngjashme u organizua më parë në Islandë. Në Norvegji, sipas raportimeve të mediave lokale, demonstruesit nga “Aksjonsgruppa for Palestine” (Grupi i Veprimit për Palestinën) u mblodhën para selisë së stacionit televiziv NRK në Oslo dhe kërkuan që Norvegjia gjithashtu të mbështesë përjashtimin e Izraelit.

Në Irlandë, një deputet laburist bëri thirrje publikisht për një bojkot të Festivalit të Këngës në “Eurovision” nëse Izraeli do të vazhdonte të ishte në garë. Duke qenë se Irlanda ka qenë vendi më i suksesshëm në historinë e këtij festivali, ai mendoi se thirrja e tij do të ndiqej nga pjesëmarrësit e tjerë. Kryeministri irlandez Leo Varadkar kundërshtoi bojkotin, megjithatë, duke deklaruar se përcaktimi i përfshirjes së Izraelit në “Eurovision” ishte një çështje e EBU-së.

Kandidati britanik i “Eurovisionit”, Olly Alexander, ka nënshkruar një deklaratë propalestineze nga një aleancë “queer”, duke i quajtur ngjarjet në Gaza një “përshkallëzim të regjimit të aparteidit të Izraelit në Izrael”. Ambasada izraelite në Londër reagoi menjëherë: “Veçanërisht në këtë kohë, vendimi i BBC-së për të dërguar një pjesëmarrës në “Eurovision, i cili përkrah pikëpamje të tilla të pjesshme për Izraelin dhe promovon një gjuhë të tillë çnjerëzore të izraelitëve, është një shkak i madh për t’u shqetësuar”.

Ambasadori izraelit në Suedi shprehu gjithashtu pikëpamjet e tij: “Më 7 tetor, Izraeli u sulmua brutalisht nga një organizatë e egër terroriste. Promovimi i bojkotit të Izraelit është mbështetje për aktet e Hamasit, është dhënia e një çmimi për terrorizmin dhe është e papajtueshme me vlerat e (Bashkimit Evropian të Transmetuesve) dhe të ngjarjes”.

Hamasi është klasifikuar si një organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, mes kombeve të tjera.

Ndërkohë EBU ka përsëritur se “Eurovisioni” është apolitik, Sindikata e transmetimeve ka hedhur poshtë gjithashtu akuzat se ka standarde të dyfishta, duke thënë se sulmi rus ndaj Ukrainës nuk mund të krahasohet me veprimet e Izraelit në Gaza.

Izraeli bëri debutimin e tij në “Eurovision” në vitin 1973. Në atë kohë, ngjarja quhej ende “Grand Prix Eurovision de la Chanson”.

Izraeli nuk është i vetmi vend joevropian që merr pjesë në konkurs. Armenia dhe Azerbajxhani janë gjithashtu pjesëmarrës. Bjellorusia bëri debutimin e saj në vitin 2004, por u pezullua në 2021, sepse kënga që ata donin të paraqisnin talleshin me protestat kundër sundimtarit autoritar Alexander Lukashenko.

Australia ka qenë vendi “më ekzotik” i “Eurovisionit”, duke marrë pjesë që nga viti 2015. Ajo u bashkua, sepse kishte tashmë një bazë të madhe fansash në vend, dhe tani është një anëtar i asociuar i EBU-së.

Shoqata grupon shumë radiostacione dhe vende përtej kufijve evropianë, prandaj ngjarja quhet “Eurovision Song Contest”, dhe jo Konkursi Evropian i Këngës.

Izraeli është një nga pjesëmarrësit më të suksesshëm në këtë garë, pasi ka fituar konkursin katër herë deri më sot, dhe ka dalë i dyti ose i treti katër herë. Ky vend, gjithashtu nuk ka përfunduar kurrë në vend të fundit, ndryshe nga Gjermania.

Pavarësisht luftës në Gaza, përgatitjet për pjesëmarrjen e Izraelit në Malmo janë duke u zhvilluar. Shfaqja e kastingut “HaKokhav HaBa: Ylli i ardhshëm”, në të cilin kandidatët bënin audicione për “Eurovision”, u shty për shkak të fillimit të luftës, por tani po vihet sërish në skenë, megjithëse në mënyrë të parregullt dhe pa audiencë të drejtpërdrejtë: një prodhim me kaq shumë njerëz. Në një studio televizive u konsiderua shumë e rrezikshme.

Rastësisht, në mesin e këngëtarëve pjesëmarrës në shfaqje ishte një toger i cili vdiq në Rripin e Gazës vetëm disa javë pas paraqitjes së tij televizive.

Në mediat izraelite dhe në rrjetet sociale u ngrit pyetja nëse një shfaqje e tillë ishte e përshtatshme në kohë lufte. Ndër kritikët kryesorë të spektaklit janë të afërmit e pengjeve që janë ende të ndaluar nga Hamasi.

Ky spektakël izraelit do të vazhdojë për momentin, megjithëse organizatorët pretendojnë se është më pak e gjallë dhe entuziaste se zakonisht. Drejtuesit e emisionit shpjeguan se ky nuk do të jetë një sezon normal; do t’i përshtatet situatës. “Por ne jemi të sigurt se pak muzikë vetëm mund të ndihmojë”.

lajmet e fundit

Bebe Rexha: 24 orët e mia të para në Kosovë kanë qenë një ëndërr

ëngëtarja me famë botërore, Bebe Rexha dje ka ardhur në Kosovë, ku edhe po qëndron akoma. - Advertisements - E përmes Instagramit të saj, ajo ka...

Humbjet e mëdha në front, zbulohet ‘bonusi rekord’ që Putini po u ofron banorëve të Moskës për të luftuar në Ukrainë

Autoritetet në qytetin e Moskës po ofrojnë një bonus rekord për rekrutët e rinj për të luftuar në Ukrainë, në shenjën e fundit të...

Toshkovski: LSDM mbron krimet e BDI-së, së shpejti do të nisin procedurat ndaj “të paprekshëmve”

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski akuzoi LSDM-në se po mbron, siç tha, krimet e BDI-së. Toshkovski paralajmëroi se do të nisin procedura...

Aleanca për Shqiptarët: Me dy licenca nuk bëhet lufta kundër kumarit, por luftë mes kumarxhinjve

Paralajmërimet pompoze për gjoja luftën kundër kumarit, përmes marjes së licencës dy kompanive që nuk kanë paguar tatime, janë një tentim për t’i hedhur...

Ahmeti pret ambasadoren norvegjeze, konfirmon angazhimin e Poll Villiams mbi platformën e legjitimitetit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka takuar Ambasadoren e Norvegjisë në Maqedoninë e veriut, zonjën Kristin Melsom. Bashkëbiseduesit këmbyen opinione mbi...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu