New York Times: Pse Amerika bëri një zgjedhje të rrezikshme

Votuesit amerikanë zgjodhën të kthejnë Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke e vendosur kombin në një kurs të pasigurt që askush nuk mund ta parashikojë plotësisht.

Themeluesit e këtij shteti e kanë ditur mundësinë që votuesit mund të zgjidhnin një ditë një lider autoritar dhe kanë vendosur disa masa mbrojtëse në Kushtetutë, përfshirë dhënien e kompetencave të dy degëve të tjera të qeverisë, të krijuara për të qenë mekanizma kontrolli ndaj një presidenti që do t’i deformojë dhe do t’i shkelë ligjet për t’i arritur qëllimet veta. Dhe themeluesit miratuan një sërë të drejtash, më e rëndësishmja Amendamenti i Parë, si e drejta e tubimit për qytetarët, e fjalës dhe e protestës kundër fjalëve dhe akteve të udhëheqësit të tyre.

Gjatë katër viteve të ardhshme, amerikanët duhet të jenë të qartë për kërcënimet ndaj kombit dhe ligjeve të tij nga presidenti i tij i 47-të dhe duhet të jenë të përgatitur të ushtrojnë të drejtat e tyre në mbrojtje të vendit dhe popullit, ligjeve, institucioneve dhe vlerave që e kanë mbajtur të fortë vendin.

Nuk mund të injorohet që miliona amerikanë votuan për një kandidat, (për të cilin edhe disa nga mbështetësit më të afërt pranojnë se ka të meta të mëdha), të bindur se ai kishte më shumë gjasa të ndryshojë dhe të rregullojë ato që ata i konsiderojnë si problemet urgjente të vendit: çmimet e larta, fluksi i emigrantëve të jashtligjshëm, një kufi jugor i depërtueshëm, dhe politika ekonomike që kanë krijuar pabarabarazi të thella në shoqëri. Disa i hodhën votat e tyre për shkak të pakënaqësisë ndaj status kuo-së në politikë apo për gjendjen e institucioneve amerikane më gjerësisht.

Sidoqoftë, çfarëdo që i çoi këta votues të merrnin këtë vendim, të gjithë amerikanët tani duhet të jenë të kujdesshëm ndaj një administrate të ardhshme të Trump që ka të ngjarë të ketë si prioritet kryesor krijimin e një pushteti të pakontrolluar dhe ndëshkimin e armiqve të tij, gjëra të cilat Trump është zotuar vazhdimisht se do t’i bëjë. Të gjithë amerikanët, pavarësisht nga përkatësia partiake apo politike, duhet të insistojnë që shtyllat themelore të demokracisë së vendit (duke përfshirë kontrollet dhe balancat kushtetuese, prokurorët dhe gjyqtarët federalë të ndershëm, një sistem zgjedhjesh të paanshme dhe të drejtat themelore civile) të ruhen kundër një sulmi që Trump e ka filluar tashmë dhe ka thënë se do ta vazhdojë.

Në këtë pikë, nuk mund të ketë iluzione se kush është Donald Trump dhe si synon të qeverisë. Ai na tregoi në mandatin e tij të parë dhe në vitet pas largimit nga detyra se nuk ka respekt për ligjin, e lëre më për vlerat, normat dhe traditat e demokracisë. Ndërsa merr përgjegjësinë për shtetin më të fuqishëm në botë, ai motivohet në mënyrë të qartë vetëm nga etja për pushtet dhe ruajtja e kultit të individit që ka ndërtuar. Këto cilësi shpalosen hapur tashmë, sepse ato i pranojnë jo vetëm kritikët e tij, por edhe ata që i shërbyen më së afërmi.

Ne jemi një komb që gjithmonë kemi dalë nga udhëkryqet, me ideale të paprekura dhe shpesh më të forta dhe më të mprehura. Institucionet e qeverisë sonë, të brumosura nga gati 250 vjet mosmarrëveshje, trazira, vrasje dhe luftëra, qëndruan të palëkundura kur Trump i sulmoi katër vjet më parë. Dhe amerikanët dinë t’i dalin përballë instinkteve më të këqija të Trump (veprime që ishin të padrejta, imorale ose të paligjshme) sepse ata e bënë këtë, pa pushim, gjatë administratës së tij të parë. Nëpunësit civilë, anëtarët e Kongresit, anëtarët e partisë së tij dhe njerëzit që ai emëroi në poste të larta shpesh i penguan planet e ish-presidentit bashkë me institucione të tjera të shoqërisë sonë, përfshirë shtypin e lirë dhe agjencitë e pavarura të zbatimit të ligjit, që i treguan përgjegjësitë ndaj publikut.

Zoti Trump dhe lëvizja e tij kanë pushtuar sot Partinë Republikane. Megjithatë, është e rëndësishme të kujtojmë se Trump nuk mund të kandidojë për një mandat tjetër. Që nga dita kur do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, ai do të jetë, në fakt, një president në mandatin e fundit. Kushtetuta e kufizon atë në dy mandate. Kongresi ka fuqinë (dhe disa republikanë ambiciozë brenda tij) të vendosë një kurs të ndryshëm nga agjenda antidemokratike e Trump, nëse ai zgjedh ta ndjekë atë.

Guvernatorët dhe ligjvënësit në të gjithë vendin kanë shpenzuar muaj për të mbështetur ligjet dhe kushtetutat e tyre shtetërore për të mbrojtur të drejtat dhe liritë civile, duke përfshirë aksesin për abortin dhe aksesin për ndryshimin e gjinive. Edhe shtetet që votuan me shumicë dërrmuese për Trump, duke përfshirë Kentakin, Ohajo dhe Kansasin, kanë hedhur poshtë pozicionet më ekstreme për abortin. Institucionet e tjera të shoqërisë civile amerikane do të luajnë një rol vendimtar në sfidimin e administratës Trump në gjykata, në komunitetet tona dhe në protestat që me siguri do të rifillojnë.

Edhe pjesa tjetër e botës nuk ka iluzione për liderin që së shpejti do të përfaqësojë përsëri Shtetet e Bashkuara në skenën botërore. Vendet e aleancës së NATO-s u tronditën gjatë administratës së parë të Trump nga gatishmëria e tij për të minuar atë partneritet të gjatë dhe të vlefshëm. Por kombet europiane, duke sfiduar parashikimet e Trump, jo vetëm që u bashkuan me Shtetet e Bashkuara përballë pushtimit rus të Ukrainës, por gjithashtu zgjeruan NATO-n deri në kufi me Rusinë.

Për Partinë Demokratike nuk do të mjaftojë aksioni në prapavijë si opozitë politike. Partia gjithashtu duhet të shikojë me kujdes se pse i humbi zgjedhjet. U çua dëm shumë kohë për të kuptuar se Presidenti Biden nuk ishte në gjendje të kandidonte për një mandat të dytë. U çua dëm shumë kohë për të kuptuar se axhenda e tyre progresive po i largonte votuesit, duke përfshirë disa nga mbështetësit më besnikë të partisë së tyre.

Dhe Demokratët kanë pasur vështirësi për tre zgjedhje radhazi që të gjejnë një mesazh bindës që rezonon me amerikanët e të dyja partive, të cilët kanë humbur besimin në sistem. Kjo ka shtyrë votuesit skeptikë drejt një figure më shpërthyese, edhe pse një shumicë e madhe e amerikanëve e pranojnë atë me të gjithë problemet që ka.

Nëse demokratët duan t’i dalin përballë në mënyrë efektive zotit Trump, duhet jo vetëm rezistencë ndaj impulseve të tij më të këqija, por duhet edhe ti ofrojnë një vizion se çfarë do të bëjnë ata për të përmirësuar jetën e të gjithë amerikanëve dhe t’i përgjigjen frikës që kanë njerëzit për drejtimin e vendit dhe si do ta ndryshojnë ata.

Testi për anëtarët e këtij Kongresi të ri do të fillojë menjëherë pasi të bëjnë betimin. Presidenti i zgjedhur ka premtuar se do ta rrethojë veten në mandatin e tij të dytë me njerëz të besuar, të cilët do të jenë të gatshëm të bëjnë gjithçka që ai urdhëron. Por një president ka nevojë që Senati të miratojë shumë prej këtyre emërimeve. Senatorët mund të ndalojnë kandidatët më ekstremë ose të pakualifikuar që të marrin poste në kabinet si sekretari i mbrojtjes dhe prokurori i përgjithshëm, si dhe vendet në Gjykatën e Lartë dhe qeverinë federale. Ata mund të veprojnë për të refuzuar kandidatët qartësisht të papërshtatshëm nga mbajtja e ndonjë pozicioni të fuqishëm. Senati e bëri këtë në vitin 2020, kur bllokoi përpjekjet e zotit Trump për të vendosur njerëz të pakualifikuar në bordin e Rezervës Federale dhe dhoma nuk duhet të hezitojë ta bëjë këtë përsëri.

Ndoshta përgjegjësia më e rëndësishme qëndron tek të gjithë ata që do të shërbejnë në një administratë të dytë Trump. Ata që ai emëron si prokuror të përgjithshëm, si sekretar të mbrojtjes dhe në role të tjera të larta drejtuese duhet të presin që ai mund t’u kërkojë atyre të kryejnë akte të paligjshme ose të shkelin betimet e tyre ndaj Kushtetutës në emër të tij, siç bëri në mandatin e parë. Ne i nxisim ata të pranojnë se çfarëdo zotimi besnikërie që ai mund të kërkojë, besnikëria e tyre e parë është ndaj vendit të tyre. Qëndrimi kundër zotit Trump është i mundur dhe është detyrë e çdo nëpunësi publik amerikan kur është e përshtatshme.

Por përgjegjësia përfundimtare për sigurimin e vazhdimësisë së vlerave të qëndrueshme të Amerikës qëndron tek votuesit e saj. Ata që e mbështetën zotin Trump në këto zgjedhje duhet të vëzhgojnë nga afër sjelljen e tij në detyrë për të parë nëse ajo përputhet me shpresat dhe pritshmëritë e tyre, dhe nëse nuk përputhet, ata duhet të bëjnë të ditur zhgënjimin e tyre dhe të hedhin votat në zgjedhjet mes mandatit në vitin 2026 dhe në 2028 në mënyrë që vendi të kthehet në drejtimin e duhur. Ata që e kundërshtojnë nuk duhet të hezitojnë të ngrenë alarmin kur ai abuzon me pushtetin e tij, dhe nëse ai përpiqet të përdorë pushtetin e qeverisë për t’u hakmarrë ndaj kritikëve, bota do të jetë duke e parë.

Benjamin Franklin i dha një këshillë të famshme popullit amerikan kur tha se kombi ishte “një republikë, nëse mund ta ruani atë”. Zgjedhja e zotit Trump përbën një kërcënim të madh për atë republikë, por ai nuk përcakton dot fatin e demokracisë amerikane përgjithmonë. Kjo mbetet në duart e popullit amerikan. Dhe do të jetë vepër e katër viteve të ardhshme.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Stoilkoviç me vendim qeverie dëbon nga ndërtesa agjensionin për zbatimin e gjuhës shqipe, VLEN heshti në qeveri (Dokument)

Në seancën e mbajtur të qeverisë së Maqedonisë së Veriut më 27 Gusht me vendim të qeverisë është vendosur që Agjensionit për zbatimin e...

Policia konfiskon mbi 40 mijë mjete piroteknike në Bit Pazar

Në Bit Pazar të Shkupit, policia ka ndaluar dy persona, ndërsa janë gjetur mbi 40,000 copë piroteknikë, duhan dhe cigare pa banderola. Tek B.I....

Spiropali pret Ali Ahmetin: Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë e duhet të jenë pakthyeshme

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali ka pritur sot në takim kreun E Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin. Spiropali shkruan se gjuha shqipe...

Mesazhi i fortë që ‘fshihet’ pas bisedës Trump-Osmani! Bytyçi zbërthen prapaskenat e takimit në Francë

“Presidentja e Kosovës duhet të ndërtojë një projekt informimi për zotin Trump dhe bashkëpunëtorët e tij” Presidentja Osmani vazhdon të përfaqësojë Kosovën në skenën ndërkombëtare. Ajo...

Grubi në ‘Listën e Zezë’, Mickovski paralajmëron veprime tjera!

Kryeministri Hristijan Mickoski sot ka komentuar vendimin e Departamenrit Amerikan të Shtetit për përfshirjen e zyrtarit të lartë të BDI-së, Artan Grubi në Listën...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu