Kur politika vishet me “etikë”, zakonisht fsheh një kalkulim të thatë interesash. Këtë e pamë qartë te Zeqirja Ibrahimi, i cili, në prag të zgjedhjeve, doli publikisht me teorinë se shqiptarëve u duhen kandidatë “etikë”, jo “etnikë”. Me këtë frazë, ai u përpoq të justifikonte mosmbështetjen e kandidatëve shqiptarë në Kërçovë dhe Dibër, dy qytete ku çdo votë shqiptare peshon më shumë se çdo fjalim “etik”.
Por, si çdo maskë që bie shpejt, edhe kjo “etikë” e Ibrahimit zgjati pak. Sepse pas fitores në Dibër, u pa duke festuar me këngë patriotike, flamuj dhe simbole që deri dje do t’i kishte quajtur “etnike”. Madje, për ta kompletuar ironinë, i vuri në kokë shefit të shtabit beretën e UÇK-së, simboli më i fortë i asaj që ai vetë e kishte relativizuar për interesa momentale.
Pra, kur flet për “etikë” dhe përfundon duke ngritur dolli për “etnicitet”, nuk je as etik, as etnik. Je thjesht oportunist. Një “Abija” modern që ndryshon ngjyrat sipas vendit, kohës dhe interesit.
Në fund, publiku nuk harron. Sepse njerëzit e Kërçovës dhe Dibrës nuk kanë nevojë për predikues që u shesin moral, por për zëra që nuk e përdorin “etikën” si mbulesë për frikë politike. Dhe në këtë rast, Zeqirja Ibrahimi tregoi se sa lehtë mund të shembet fasada e “parimeve” kur përballesh me tundimin e pushtetit.
