Ish-sekretari i Qeverisë, Dragi Rashkovski, është liruar nga arresti shtëpiak. Kjo vjen pasi Gjykata e Apelit në Shkup më 3 nëntor të këtij viti e konfirmoi vendimin e Gjykatës Penale për anulimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm në këmbim të një garancie në vlerë prej rreth 193 mijë euro në pronë të paluajtshme. Gjykata e shkallës së dytë po ashtu e refuzon si të pabazuar ankesën kundër vendimit të Gjykatës Penale të parashtruar nga prokurori kompetent nga PNKOK, transmeton Portalb.mk.
“Gjykata e Apelit në Shkup, duke vepruar në lëndën penale KSZh – 816/23, në seancë me dyer të mbyllura, e hodhi poshtë ankesën e Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit si të pabazuar dhe me aktvendim konfirmoi vendimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup është hequr masa e arrestit shtëpiak dhe është pranuar garancia si masë për sigurimin e pranisë ndaj të akuzuarit D.R. në kuadër të procedurës penale që zhvillohet kundër të akuzuarit, dhe për shkak të dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale, keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni. 353 paragrafi 3 të Kodit Penal dhe krimi i pastrimit të parave dhe produkteve të tjera kriminale nga neni. 273 paragrafi 1 i Kodit Penal”, bën të ditur Apeli.
Ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Draghi Rashkovski, u dënua fillimisht me tetë vjet burg në rastin “Softueri” më 6 korrik, ndërsa fajtor u shpallën edhe gjashtë të pandehurit e mbetur, dënimet e të cilëve variojnë nga tre deri në pesë vjet e gjysmë.
Rashkovski ka marrë dënimin me burg për veprën keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar – shtatë vjet dhe për pastrim parash – një vit e gjashtë muaj, të cilin gjykata e ka llogaritur në një dënim të vetëm prej tetë vjetësh. Nga ana tjetër, ai u shpall i pafajshëm për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Ndryshe, aktgjykimi nuk është i formës së prerë sepse palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në Shkup.
Të pandehurit e tjerë janë dënuar pa të drejtë për veprën penale të shpërdorimit të pozitës dhe kompetencave zyrtare.
Ndryshe, ndryshimet e fundit të diskutueshme në Kodin Penal pritet të kenë implikime edhe për këtë rast, në lidhje me veprën penale keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353. Përkatësisht, Rashkovski ishte ndjekur penalisht në “Softuer” nga paragrafi 5 i këtij neni, i cili u hoq me amendamente të KP dhe thoshte: “Nëse vepra nga paragrafët (1) dhe (4) është kryer gjatë prokurimit publik ose dëmtimi i mjeteve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë, nga mjetet publike ose nga fondet e tjera të shtetit, autori do të dënohet me të paktën pesë vjet burgim”.