Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, njëherësh kryetar i Tetovës, ka arsyetuar “përzierjen” e kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut. Kasami të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, ka thënë se “përzierja” e tij nuk është e dëmshme.
“Përzierja nuk është e dëmshme. Kur e kemi parasysh se Serbia e konteston shtetësinë e Kosovës, kur e kemi parasysh që Serbia pretendon për aneksim apo rikthim në Kosovë, është komplet kontekst tjetër. Kur e dimë se Vuçiq është një element i Rusisë në Ballkan, një agjent apo një faktor që më shumë sesa me Evropën dhe SAHBA-në është i lidhur me Rusinë, në gjithë këtë kontekst gjeostrategjik po del që nuk mund ta krahasojmë Prishtinën dhe çdo lloj aktiviteti politik me shqiptarët e Maqedonisë”, ka thënë ai.
Kasami ka shtuar se Kurti ka kërkuar përkrahje nga të gjitha partitë politike për një kandidat shqiptar dhe fatkeqësisht nuk e ka marrë. Kurti është përfshirë në fushatën elektorale në Maqedoninë e Veriut, ku do të mbahen zgjedhjet për president dhe ato parlamentare. Lëvizja Vetëvendosje, të cilën e drejton Kurti, është pjesë e koalicionit VLEN.