Jacques Chirac, presidenti i Francës në atë kohë dhe garant politik i procesit, në fjalimin e hapjes së Konferencës së Rambujesë e përshkroi këtë ngjarje si historike. Ai theksoi se e ardhmja e bisedimeve që po zhvilloheshin ndodhej në dorën e përfaqësuesve që merrnin pjesë në konferencë.
“Ekzistojnë disa momente, mjaft të rralla, ku Historia ndodhet në dorën e disa njerëzve. I tillë është rasti sot për ju që po uleni në tryezën e negociatave”, kishte nisur fjalimin e tij.
Fati i Kosovës, por edhe i popullit të saj, besonte Chirac, ndodhej në dorën e përfaqësuesve të delegacionit të Kosovës në Rambuje.
“Më mirë se t’ju ballafaqoj në beteja shterpe dhe të kota, uroj që diskutimet tuaja t’ju çojnë drejt masave praktike, nëpërmjet të cilave autonomia e dëshirueshme do të sigurohet me fakte, ditë pas dite, në mënyrë që paqja të rikthehet në mendjet dhe zemrat”, vazhdonte ai.
Në vlerësimin e Chirac ishte në dorën e delegacionit të zgjidhnin midis vazhdimit të tragjedive të së kaluarës ose “shpresës për jetë që po merr formë”.
“Nuk bëhet fjalë për harresë. Askush nuk mund të harrojë djalin e humbur apo fshatin e shkatërruar. Aty do të duhet të vihet drejtësi dhe fajtorët të gjykohen”.
Gjatë fjalimit të tij presidenti i Francës i kishte ftuar delegacionet të jenë përgjegjës dhe të guximshëm.
“Juve, përfaqësues të të dyja palëve, Serbë dhe Shqiptarë të Kosovës, ju them: paqja është ndër duart tuaja. I bëj thirrje ndjenjës tuaj të përgjegjësisë. I bëj thirrje kurajos suaj. Jo asaj kurajoje që të shpie në luftë, në hakmarrje e drejt një cikli pambarim dhune, por kurajos së vërtetë, më madhështore e fisnike. Kurajos për të pranuar negociatën dhe për të bërë paqen”.
“Ditët e ardhshme ju japin rastin të kapërceni një etapë vendimtare drejt pajtimit. Të angazhoni një proces që të çojë drejt një autonomie substanciale të Kosovës me respektimin e të drejtave të gjithsecilit. Do t’ju duhet këmbëngulje dhe vullnet i pathyeshëm. Por, të jeni të sigurt: kur të largoheni nga Rambuje, një faqe e historisë së Evropës do të jetë kthyer”.
Konferenca e Rambujesë: Fjalimi i Presidentit të Francës, Jacques Chirac
Zonja, Zotërinj,
Ekzistojnë disa momente, mjaft të rralla, ku Historia ndodhet në dorën e disa njerëzve.
I tillë është rasti sot për ju që po uleni në tryezën e negociatave.
Eshtë fati i Kosovës, por është sidomos fati i grave, burrave dhe fëmijëve që jetojnë mbi këtë tokë, rrugën e të cilit do ta caktoni ju.
Kuadri i kësaj negociate është përcaktuar qartë nga Grupi i kontaktit. Parimet e një autonomie substanciale do t’ju paraqiten. Ju takon juve t’i përcaktoni dhe t’u jepni formë, në mënyrë që brenda kufijve ekzistues, të gjithë banorët e provincës, cilado qoftë origjina e tyre, të mund të jetojnë në paqe dhe në respektin e njerëzve e të të drejtave të tyre.
Më mirë se t’ju ballafaqoj në beteja shterpe dhe të kota, uroj që diskutimet tuaja t’ju çojnë drejt masave praktike, nëpërmjet të cilave autonomia e dëshirueshme do të sigurohet me fakte, ditë pas dite, në mënyrë që paqja të rikthehet në mendjet dhe zemrat.
Ju mund të zgjidhni midis vazhdimit të tragjedive të së kaluarës ose shpresës për jetë që po merr formë.
Nuk bëhet fjalë për harresë. Askush nuk mund të harrojë djalin e humbur apo fshatin e shkatërruar. Aty do të duhet të vihet drejtësi dhe fajtorët të gjykohen.
Franca, siç i dini, ka njohur tmerret e luftës. Ajo ka njohur fytyrën e barbarisë. Por ka ditur të mjekojë plagët që dukeshin si të përjetshme. Ajo ka ditur të dominojë urrejtjet që thuhej se ishin të lashta. Ajo ju thotë juve sot se vullneti për paqe është më i fortë sesa tundimi për luftë. Ky mesazh merr kuptim të plotë këtu, ku, së bashku, Gjenerali Dë Gol dhe Kancelari Adenauer ndërtuan të ardhmen.
Duke ndërtuar paqen ju duhet ta ktheni shikimin gjithashtu drejt një horizonti të ri: atij të Evropës.
Ju përfaqësoni popuj që i përkasin tërësisht Europës ndaj edhe për këtë arsye ideja e një lufte në Kosovë është e padurueshme për ne. Europa ka arritur të pajtojë kombe në armiqësi. Ajo ka arritur të zhdukë pak nga pak frakturën e luftës së ftohtë e cila e ndau për pesëdhjetë vjet. Sot, së bashku me partnerët e saj, ajo po angazhohet përkrah jush në kërkim të një zgjidhjeje për paqe.
Duke ju bërë thirrje për të vendosur këtë paqe, ju ftoj t’i bëni tuajat vlerat e lirisë, të demokracisë dhe të tolerancës, të cilat përbëjnë thelbin e Bashkimit Europian. Kështu ju do të rigjeni vendin tuaj në familjen europiane.
Ja pra, një fat nga më madhorët e kësaj konference që po hapet sot.
Bashkësia ndërkombëtare është mobilizuar unanimisht. Veprimi i saj nuk është drejtuar kundra ndokujt. Ne të gjithë jemi të motivuar nga një ambicje pozitive. Por, duhet të dini se Franca, po ashtu si dhe partnerët e saj europianë, amerikanë, apo rusë, nuk do të tolerojë vazhdimin e këtij konflikti që shkel parimet thelbësore të dinjitetit njerëzor. Ne nuk duhet të pranojmë që cikli i dhunës të kërcënojë dalëngadalë stabilitetin e të gjithë juglindjes së Europës. Ne duam paqe në kontinentin tonë.
Përfaqësuesve të grupit të kontaktit dhe në veçanti, Ministrit britanik dhe Ministrit francez, të cilëve u është besuar detyra për të udhëhequr këto takime, u shpreh besimin tim të plotë. Përkrahur nga Këshilli i Sigurimit, pra edhe nga i gjithë Komuniteti Ndërkombëtar, mbështetur nga të gjitha mjetet e vëna në dispozicion të tij, Grupi i kontaktit disponon autoritetin e nevojshëm për të siguruar triumfin e të drejtës, të drejtësisë dhe të paqes.
Për më tej, duhet parashikuar një dispozitiv shoqërimi i domosdoshëm për aplikimin e këtij akordi. OSBE-ja do të ketë rol të rëndësishëm për të luajtur në vazhdimin e veprimit të ndërmarrë nga KVM, punën e guximshme e të efektshme të të cilit e përshëndes.
Dispozicioni ndërkombëtar i pranuar nga të gjithë na duket i nevojshëm për të garantuar heshtjen e armëve. Të jeni të sigurtë se Franca, ashtu siç ka vepruar që prej origjinës së konflikteve në ish-Jugosllavi, do të marrë përsipër përgjegjësitë e saja. Ajo e ka për detyrë këtë gjë në lidhje me ambicjen e saj europiane. Ajo i detyrohet gjithashtu kujtimit të bijve të saj, rënë në tokën jugosllave, për idealin e paqes e të lirisë të cilit ne do të vazhdojmë t’i kushtohemi me vendosmëri.
Juve, përfaqësues të të dyja palëve, Serbë dhe Shqiptarë të Kosovës, ju them: paqja është ndër duart tuaja. I bëj thirrje ndjenjës tuaj të përgjegjësisë. I bëj thirrje kurajos suaj. Jo asaj kurajoje që të shpie në luftë, në hakmarrje e drejt një cikli pambarim dhune, por kurajos së vërtetë, më madhështore e fisnike. Kurajos për të pranuar negociatën dhe për të bërë paqen.
Zonja, Zotërinj,
Ditët e ardhshme ju japin rastin të kapërceni një etapë vendimtare drejt pajtimit. Të angazhoni një proces që të çojë drejt një autonomie substanciale të Kosovës me respektimin e të drejtave të gjithsecilit. Do t’ju duhet këmbëngulje dhe vullnet i pathyeshëm. Por, të jeni të sigurtë: kur të largoheni nga Rambuje, një faqe e historisë së Europës do të jetë kthyer.
Ju takon juve të bëni përzgjedhjen e mirëkuptimit dhe të jetës. Mos i zhgënjeni të gjithë ata që besojnë dhe shpresojnë tek ju. Bota ju shikon. Ajo ju pret.