Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli e ka akuzuar Komunën e Prishtinës për gjendjen e keqe të stadiumit “Fadil Vokrri”.
Mbrëmë u luajt ndeshja futbollistike Kosovë-Izrael në Fadil Vokrri, dhe shumë kush u ankua për fushën në stadion e cila ishte mbrëmë në gjendje të mjerueshme.
E për këtë, reagoi edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, shkruan lajmi.net.
Ajo tha se mirëmbajtja e fushës në stadionin Fadil Vokrri është përgjegjësi e Komunës së Prishtinës për tu mirëmbajtur.
Ma dje Pacolli e quajti “pak rrenc e pak manipulant” kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama.
“Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për investime dhe mirëmbajtjen e fushës në stadiumin e Prishtinës. Kush po t’i bllokon investimet dhe mirëmbajtjen e fushës o Perparim Rama? “Pak llap, pak gollak”, pak rrenc e pak manipulant”, shkroi ajo në “X”.
E për këtë deklaratë të Pacollit, ka reaguar Komuna e Prishtinës.
Ata thanë se ajo çka ka thënë deputetja Pacolli është e “pasaktë”.
Madje nga kjo Komunë sqaruan edhe detaje ligjore se përgjegjësia për mirëmbajtjen e stadionit është krejt e tjetër kujt.
Reagimi i Komunës së Prishtinës:
Gjatë ditës kanë qarkulluar informata të pasakta se mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” është në përgjegjësi të Kryeqytetit Prishtina, dhe se institucioni nuk është kujdesur për fushën e stadiumit.
Ju informojmë se mirëmbajtja e stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” nuk është përgjegjësi e Kryeqytetit Prishtina, por është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kjo përgjegjësi është e rregulluar me nenin 3, paragrafi 1.3. të Memorandumit të Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet Kryeqytetit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës me datën 30 dhjetor 2022.
Ne jemi të vetëdijshëm se stadiumi “Fadil Vokrri” është i mbingarkuar me lojëra ndërkombëtare të klubeve dhe të Kombëtares së Kosovës dhe rrjedhimisht është në gjendje jo të mirë, prandaj Kryeqyteti bashkë me Federatën e Futbollit të Kosovës është duke punuar tash e sa kohë në projektin për ndërtimin e stadiumit të ri të Kryeqytetit.
Kosova luajti mbrëmë kundër Izraelit në një ndeshje futbolli për kualifikim në Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm dhe gjendja e keqe e fushës mori vëmendjen. Futbollisti izraelit, Eren Zahavi, e quajti “stallë derrash” terrenin e “Fadil Vokrrit”./Lajmi.net