Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) e ka dënuar ashpër incidentin që përfshinte thirrje fyese ndaj shqiptarëve në ndeshjen midis Maqedonisë dhe Rumanisë që u zhvillua të shtunën në Kumanovë. Përveç kësaj, Federata informoi se incidenti është objekt i një hetimi nga ana e saj, transmeton Portalb.mk.
“Në këtë fazë, ne po mbledhim raporte dhe deklarata përkatëse në bashkëpunim të ngushtë me federatat kombëtare të përfshira, si dhe me autoritetet lokale dhe agjencitë e zbatimit të ligjit”, tha FIBA, duke shtuar se dënon pa rezerva dhe fuqimisht gjuhën e urrejtjes dhe gjuhën diskriminuese ose raciste në çdo formë.
Kërcimet fyese në ndeshjen e basketbollit u dënuan paraprakisht nga partitë politike dhe udhëheqja shtetërore në vend, si dhe nga Federata Maqedonase e Basketbollit dhe Komuna e Kumanovës, në territorin e së cilës u luajt ndeshja. Policia dhe zyra e prokurorit, nga ana tjetër, informuan se po hetojnë rrethanat e incidentit.
Në Maqedoni të Veriut, në fundjavë, gjatë ndeshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në basketboll u dëgjuan thirrje sikurse “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.
Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin edhe kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq dhe ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski.
Mickoski gjatë një prononcimi për media më 4 gusht tha se edhe pse ishte i pranishëm në sallë, nuk i “vura re” tifozët që brohoritën këto thirrje, pasi tha se “fjalë për një grup të vogël njerëzish”.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë [së Veriut] dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha Mickoski.
Ai tha se thirrjet kundër shqiptarëve “do të jetë objekt hetimi dhe sanksionesh, pa marrë parasysh nga vjen”. Prokuroria maaqedonase ka nisur hetimet për këtë ngjarje.
“Dua të përsëris edhe një herë: e dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk hasën në mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë”, tha ai.
Kurse ministri i Sportit, Borko Ristovski, tha se kjo ministri nuk mund të reagojë konkretisht ndaj kësaj ngjarjeje, “sepse nuk vjen nga ndonjë subjekt sportiv – vjen nga tifozë në tribunë – dhe nuk kemi asnjë kompetencë për të reaguar kur bëhet fjalë për tifozët”.
“Megjithatë, le ta shfrytëzoj këtë rast për të bërë një apel: në Maqedoni nuk ka nevojë për brohoritje të tilla, as nga njëra anë, as nga tjetra, nga askush, nga cilado anë që të vijë”.
Ai shtoi se “nga pozita e Ministrisë së Sportit, nuk mund të bëjmë gjë tjetër përveç se të ndihmojmë në identifikimin e tyre dhe të veprojmë në përputhje me ligjin”.
Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parasheh dënime për thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes në disa nene, ndërsa më i rëndësishmi është neni 319, i cili parashikon se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.