Anketat godasin VLEN-in: Krizë besimi dhe përçarje të brendshme

Nga Nafie Selmani

Anketat e fundit nuk ishin thjesht matje të opinionit publik – ato ishin një pasqyrë brutale që zhveshi VLEN-in nga çdo iluzion për alternativë serioze politike. Në vend të ngritjes, shohim një rënie të lirë. Në vend të besimit, një zbrazëti që nuk mbushet më me retorikë të konsumuar.

Ky koalicion – që një vit më parë u shfaq si një përpjekje për të prodhuar “ndryshimin e madh” te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut – sot përballet me një krizë të thellë të besimit dhe identitetit. Dhe po, largimi i Arben Taravarit e ka shënuar këtë kthesë fatale.

Sepse me largimin e tij, VLEN-it iu shkëput boshti moral dhe politik. Taravari, me zërin e tij të qartë, me qëndrimet e maturuara dhe me përfaqësimin e një politike që ende e beson idealin, mbante në këmbë një strukturë që tashmë duket e shkapërderdhur. Pa të, VLEN duket më shumë si një platformë e improvizuar për interesa të ngushta sesa një projekt politik me busull të qartë.

Nuk është rastësi që sondazhet i goditën aq thellë. Nuk është rastësi që reagimi i tyre ishte i shpejtë, i zemëruar dhe pa asnjë përmbajtje reflektuese. Në vend të një analize të qetë mbi shkaqet e rënies, u dëgjuan akuzat e zakonshme: “të porositura”, “jo të sakta”, “të pavërteta”. Por ky është refreni i politikanëve që nuk duan t’i shohin pasqyrat kur e dinë se çfarë pasqyrojnë ato.

Dhe VLEN, në këtë fazë, nuk ka krizë vetëm me publikun. Ka krizë me veten. Deklaratat kontradiktore të drejtuesve të koalicionit, tensionet për emrat e kandidatëve, përplasjet për drejtimin e mëtejshëm – janë sinjalet e një trupi politik pa koordinim të brendshëm. Dhe një trup pa koordinim, nuk shkon dot larg.

Premtimi për “ndryshim” ka mbetur një klishe e lodhur. Sot, shqiptarët e këtij vendi kërkojnë më shumë se kaq. Kërkojnë qartësi, drejtim dhe vizion. Dhe kur këto mungojnë, anketat nuk falin. Ato flasin gjuhën e ftohtë të numrave dhe zhgënjimit.

Në vend që ta shihte këtë si një alarm për rishikim të vetvetes, VLEN zgjodhi viktimizimin. Por kur një subjekt politik i trembet pasqyrës, problemi nuk është te pasqyra – është te pamja që reflektohet në të.

Në fund të ditës, nuk janë sondazhet që e dëmtojnë VLEN-in. Janë zgjedhjet e veta, rrugët pa dalje që ka ndjekur dhe paaftësia për të mishëruar ndryshimin që vetë e proklamoi.

Dhe nëse nuk ndryshon brenda vetes, rënia nuk është thjesht e mundshme – është e pashmangshme.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Osmani: flet për humbjen, heshtjen dhe rikthimin me më shumë qetësi, përvojë dhe bindje

Pas një periudhe heshtjeje pas zgjedhjeve në Çair, Bujar Osmani është rikthyer me një shkrim të gjatë reflektues, ku flet për humbjen, politikën dhe...

Gjykata turke lëshon urdhër arresti për Netanyahun për gjenocid në Gaza

Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit ka lëshuar urdhër-arreste për 37 zyrtarë izraelitë, përfshirë kryeministrin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes Israel Katz dhe ministrin e...

Rusia “i tërheq veshin” Vuçiç: Kujdes me shitjen e armëve!

Rusia i kërkon sqarime Beogradit. Kjo pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për mundësinë e shitjes së municionit Bashkimit Evropian, pas shqetësimeve në...

Ushtria serbe ndëshkon oficerët që “pëlqejnë” protestat kundër regjimit serb

Në Serbi po shpërthen një skandal në radhët e ushtrisë. Agjencia e Sigurisë Ushtarake – VBA, e cila zyrtarisht duhet të merret me çështje...

Barazia gjinore! Iris Luarasi: Shtetet që kanë vetëm 2 gjini, NUK janë SHEMBUJ për t’u ndjekur!

Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka dalë sot me një deklaratë për mediat, duke sqaruar ligjin për barazinë gjinore të miratuar dje me...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu