Dje, në Shkup u mbajt samiti për përafrim dhe integrim në Bashkimin Europian, ndërsa një sondazh i fundit ka nxjerrë në pah një realitet shqetësues për të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut.
Sipas të dhënave, mbi 46% e të rinjve në vend besojnë se Maqedonia e Veriut, në një afat të shkurtër, nuk do të arrijë të anëtarësohet në BE. Edhe më alarmante janë shifrat që tregojnë se plot 86% e tyre mendojnë se pengesa kryesore është korrupsioni i përhapur në nivel institucional.
Këto të dhëna përkojnë me një moment kritik për vendin, kur një pjesë e mirë e eksponentëve të Bashkimit Europian ishin dje në Shkup për të diskutuar reformat, fondet e para-anëtarësimit dhe rrugën drejt unionit.