Nga Ministria e Punëve të Brendshme, njoftojnë se kanë nisur procedurë kundërvajtëse ndaj kryetarit të Komunës së Strugës për mospërdorimin e flamurit shtetëror në Strugë, transmeton TV21.
“Sektori i Punëve të Brendshme në Strugë ka paraqitur kërkesë për nisjen e procedurës kundërvajtëse ndaj personit juridik – Komuna e Strugës dhe ndaj personit përgjegjës M. Q. (65) nga fshati Biçevë i Strugës, për shkak të veprës së kryer në kundërshtim me nenin 6 dhe të dënueshme sipas nenit 11 të “Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive në RMV”.
Të raportuarit, si organizatorë të një ngjarjeje me rastin e Ditës së Flamurit Shqiptar, e cila më 28.11.2025 është mbajtur në rrugën “Marshal Tito” në Strugë, krahas flamurit të bashkësive, as në skenë e as në disa pjesë të shëtitores pranë lumit Drini i Zi, nuk e kanë vendosur dhe nuk e kanë ekspozuar flamurin shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjë që sipas ligjit kanë qenë të detyruar ta bëjnë”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ndërkaq, në një reagim kryetari i Strugës Mendi Qyra mospërdorimin e flamurit shtetëror në festën e 28 Nëntorit e quan lëshim. Mes tjerash Qyra theksoi se Komuna e Strugës është një projekt shumë i madh se sa një lëshim të një manifestimi që është bërë.
“Mendoj që edhe deklarata nuk do të prish punë me bashkëpunimin e mëtutjeshëm të kryeministrit me mua si kryetar i Komunës dhe Komunën e Strugës në përgjithësi, duke e ditur se Komuna e Strugës është një projekt shumë i madh se sa një lëshim të një manifestimi që është bërë. Mendoj që bashkëpunimi i jonë edhe me këshilltarët e VMRO-DPMNE-së do të jetë në nivel duke marrë parasysh se jemi në bisedime për t’u marrë vesh se si do të vazhdojë mandati katërvjeçar në Komunën e Strugës”, tha Mendi Qyra, Kryetar i Strugës.
