Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Blerim Bexheti, ka reaguar pas publikimit të disa përgjimeve në ditët e fundit, duke i quajtur ato tendencioze dhe të fabrikuara me qëllim politik.
Në një deklaratë për Alsat, Bexheti tha se përgjimet ndaj tij dhe një kolegu tjetër kanë pasur synim të qartë për të devijuar vëmendjen nga zhvillimet reale politike në Kërçovë dhe Bërvenicë.
“Për mua kanë lëshuar përgjime, dhe e gjithë kjo ka pasur një tendencë, si për mua ashtu edhe për kolegun tjetër, për të krijuar një defokusim nga ajo që ndodh në Kërçovë dhe Bërvenicë,” deklaroi Bexheti, njofton TS.
Ai kritikoi ashpër Adnan Azizin, duke e akuzuar se po përpiqet të përfitojë politikisht nga situata.
“Një njeri si Adnan Azizi, që kokën – dhe më shumë se kokën – e ka në Beograd, del e kërkon distancim,” u shpreh ai.
Deputeti i BDI-së gjithashtu theksoi se është krenar për origjinën dhe familjen e tij nga Tetova, duke hedhur poshtë çdo insinuatë që mund të vihet në dyshim lidhur me identitetin e tij.
“Sa për informimin e opinionit publik, familja e nënës sime është e tëra nga Tetova. Edhe familja e bashkëshortes sime, e cila është mbesë e Tetovës, është e tëra nga Tetova. Unë kam qenë student i gjeneratës së dytë të Universitetit të Tetovës,” tha Bexheti.
Në fund, ai theksoi se nuk dëshiron të merret me provokime, pasi qytetarët e njohin mirë karakterin dhe qëndrimet e tij.
“Nuk dua të merrem me këtë çështje, sepse shumë njerëz më njohin dhe e dinë që unë nuk mund të jem kundër familjes sime. Shumë më njohin dhe njohin personalitetin e karakterin tim,” përfundoi ai./TS
