Mbeturina dhe transport i çrregullt në Shkup para balotazhit

Shkupi po përballet me krizë të mbeturinave dhe transportit publik, me ndërmarrjet komunale që funksionojnë me burime të kufizuara.
Higjiena Komunale dhe Transporti Publik kanë borxhe të mëdha dhe pajisje të vjetruara, duke mos ofruar shërbime për të cilat paguajnë qytetarët.
“Pastrim gjeneral i Shkupit” në 72 orët e para të mandatit, “Shkupi – qytet pa deponi” dhe reformimi i sistemit të funksionimit dhe pagesës në higjienën komunale të qytetit, janë pjesë e premtimeve të kandidatëve për kryetar të kryeqytetit maqedonas, Orce Gjorgjievski dhe Amar Meçinoviq.

Ndërkohë, kryeqyteti maqedonas do të mbetet i mbuluar nga mbeturinat dhe pa transport publik të rregullt të paktën edhe për pesë ditë të tjera.

Duke pritur rundin e dytë të zgjedhjeve, disa nga kandidatët për kryetarë komunash në Shkup që garojnë në rundin e dytë, i kanë përveshur mëngët. Disa me kamionët e tyre, e disa me kamionë të huazuar nga komunat fqinje, kanë mbledhur dhjetëra tonë mbeturina, kryesisht nga rrugët kryesore të qytetit.

Komuna e Karposhit.
Komuna e Karposhit.
Mes premtimeve zgjedhore dhe realitetit urban
Ata u lavdëruan se kanë mbledhur rreth 100 tonë mbeturina, ndërsa ndërmarrja Higjiena Komunale, sipas raporteve të saj, në “ditë normale” mbledh mesatarisht rreth 450 tonë bërllok.

Qytetarët e Shkupit po presin që të marrin shërbimin për të cilin paguajnë rregullisht: mbledhjen e mbeturinave. Në vend të kësaj, koshat e tyre plot me plehra ende qëndrojnë para oborreve, ndërsa kontejnerët janë shndërruar në mini-deponi.

Kosha me mbeturina para shtëpive në Shkup. Tetor, 2025.
Kosha me mbeturina para shtëpive në Shkup. Tetor, 2025.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe shërbimet inspektuese, me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike, javën e kaluar njoftuan se po veprojnë dhe po ndërmarrin masa lidhur me problemin e mbeturinave në Shkup.

Prokuroria njoftoi më 27 tetor se janë arrestuar dy persona nga udhëheqja e Ndërmarrjes Publike Komunale, Higjiena Komunale. Njëri prej të arrestuarve është drejtori i ndërmarrjes, Sabahudin Rustemi.

Në qendër të qytetit, ditët e fundit, një mi e ka kafshuar një fëmijë, ndërsa mjekët paralajmërojnë për rrezik infeksionesh.

Megjithatë, ende nuk ka përgjigje për pyetjen kryesore të qytetarëve – pse mezi funksionojnë dy ndërmarrjet publike të qytetit, Transporti Publik (JSP) dhe Higjiena Komunale, të cilat janë një lloj barometri i funksionimit të kryeqytetit.

Higjiena Komunale: Një qytet që po mbytet në mbeturinat e veta
Ndërmarrja publike e qytetit, Higjiena Komunale, përveçse se ishte në shënjestër të kritikave të qytetarëve për punën e papërfunduar, është goditur edhe nga përplasjet politike midis kryetares aktuale të qytetit, Danela Arsovska, dhe partisë në pushtet VMRO-DPMNE.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara në raportet e Higjienës Komunale, kjo ndërmarrje funksionon me burime të kufizuara, pajisje të vjetruara dhe numër të pamjaftueshëm automjetesh.

Shkup, tetor 2025.
Shkup, tetor 2025.
Sipas raportit të fundit të muajit mars, ndërmarrja numëron 1 mijë punëtorë të rregullt dhe më shumë se 300 të tjerë me kontrata përmes Agjencisë për Punësime të Përkohshme. Megjithatë, në këtë raport nuk specifikohet se sa prej tyre janë punonjës administrativë dhe sa punëtorë në terren.

Gati asnjë nga premtimet të bëra gjatë zgjedhjeve paraprake për modernizim, digjitalizim dhe selektim të mbeturinave nuk është realizuar plotësisht. Sistemi i menaxhimit dhe riciklimit të mbeturinave është i publikuar në faqen zyrtare të ndërmarrjes, por në realitet funksionon në mënyrë të improvizuar dhe qytetarët e ndiejnë këtë çdo ditë, në çdo hap.

Një nga arsyet për gjendjen e keqe në të cilën ndodhet ndërmarrja është borxhi i madh që është akumuluar. Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Financave e Maqedonisë së Veriut, në gjysmën e parë të këtij viti borxhi i përgjithshëm arrin në 5.6 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar ndërmarrja e përfundoi me një deficit prej 7.7 milionë eurosh.

Nga Higjiena Komunale – Shkup (KHS) nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se pse gjatë dy deri në tre javët e fundit nuk janë mbledhur mbeturinat. Megjithatë, për borxhin shumëvjeçar, nga kjo ndërmarrje ia vunë fajin institucioneve shtetërore që, sipas tyre, nuk kanë paguar për shërbimet e marra.

“KHS i informon qytetarët për problemin financiar që zgjat për dekada, për shkak të të cilit gjatë 30 vjetëve të fundit KHS-ja ka punuar me borxhe, pasi Ministria e Shëndetësisë na detyrohet mbi 5 milionë euro. Ky borxh i papaguar ndikon direkt në likuiditetin e KHS-së”, thuhet në një nga njoftimet e fundit të ndërmarrjes.

Stojançe Kaçikovski, kryetar i organizatës sindikalë SUTKOZ, në të cilën bëjnë pjesë punonjësit e Higjienës Komunale, thotë se ata nuk kanë pajisje të mjaftueshme për punë, që do të thotë se një pjesë e madhe e kamionëve që përdoren për mbledhjen e mbeturinave nuk janë në gjendje pune.

“Ata po përballen me problem të mungesës së pjesëve rezervë, përballen me problem mungesë karburanti për kamionët dhe për këtë arsye gjatë periudhës së fundit kemi pasur problemin që e patëm me mbeturinat në qytetin e Shkupit”, thotë ai.

Kaçikovski shton se së voni kanë pasur probleme edhe me pagesën e rregullt të punonjësve, të cilat janë vonuar disa javë, duke shkaktuar revoltë në mesin e punëtorëve. Sipas Kaçikovskit, megjithëse Bordi Drejtues kishte marrë vendime për përmirësimin e gjendjes në ndërmarrje, drejtori, që duhej t’i zbatojë ato, nuk i ka zbatuar.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se përgjegjës për mosfunksionimin e ndërmarrjes publike komunale janë këshilltarët në kuvendin komunal nga VMRO-DPMNE dhe VLEN, duke pretenduar se ata kanë penguar modernizimin e Higjienës Komunale.

“Institucionet shtetërore janë borxhlinjtë më të mëdhenj, Qeveria i detyrohet JSP-së 8 milionë euro për standardet e studentëve dhe transportin, ndërsa në Higjienës Komunale – Shkup, përveç Ministrisë së Shëndetësisë, edhe institucione të tjera qeveritare i kanë borxh miliona”, thuhet në përgjigjen e shkurtër dërguar nga Qyteti i Shkupit.

Nga partia qeverisëse thonë se teza e Arsvoskës është sipërfaqësore, e palogjikshme dhe e rreme.

“Pse VMRO-DPMNE gjatë fushatës zgjedhore do ta linte Shkupin të mbushej me mbeturina, kur dihet se barra do të bjerë mbi VMRO-DPMNE-në? Le të thotë Arsvoska pse nuk po mblidhet mbeturinat dhe ku shkojnë paratë e qytetarëve që paguajnë për këtë shërbim?”, pyeti VMRO-ja përmes një përgjigje me shkrim.

Si eksperte e mjedisit dhe menaxhere e certifikuar e menaxhimit të mbeturinave, Irena Apostolova thotë se institucionet qendrore kanë më shumë fuqi kur pushteti lokal nuk është në gjendje që të zbatojë ligjet.

“Duhet të ndërhyjë Qeveria qendrore. Ka zgjidhje, nevojitet vullnet politik. Nuk bëhet fjalë për mungesë financash, ka grante dhe fonde. Duhet vetëm vullnet dhe dëshirë, që shëndetësia, mjedisi dhe arsimi të jenë prioritet. Projektet që janë tashmë në zbatim nuk po realizohen siç duhet sepse nuk ka bashkëpunim mes institucioneve”, thotë ajo për REL-in.

JSP: Transport që funksionon me inerci
Ndërmarrja publike e transportit (JSP) ka vite që përballet me probleme që e bëjnë jofunskionale, sipas raportit të fundit të auditimit.

Flota e autobusëve është e vjetër. Disa prej tyre janë prishur dhe qëndrojnë të parkuar në depo, ndërsa mungesa e shoferëve dhe e karburantit e bën rrjetin e transportit të paparashikueshëm. Në shumë lagje, qytetarët raportojnë se autobusët ose nuk vijnë fare, ose mbërrijnë me vonesë dhe të mbushur plot.

Auditorët shprehën mendim negativ për raportet financiare, duke vënë në dukje se ndërmarrja nuk është në gjendje të sigurojë shërbime cilësore dhe në kohë. Sipas tyre, në vitin 2023, JSP-ja e përfundoi vitin me një deficit prej 8.9 milionë eurosh.

“Evidentohet gjithashtu një paaftësi ekstreme: për çdo 2 denarë të shpenzuar për kilometër, arrihet vetëm 1 denar të ardhur nga transporti. Edhe pse Komuna e Shkupit subvencionoi ndërmarrjen me 10.96 milionë euro në vitin 2023, JSP-ja nuk mund të arrijë objektivat strategjike për transport urban të qëndrueshëm”, u tha në raportin e auditimit.

Gjithsej, borxhi i JSP-së në gjysmën e parë të vitit është 9.9 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar ndërmarrja përfundoi me detyrime të papaguara prej 13.4 milionë eurosh.

Njerëz duke votuar në Maqedoninë e Veriut.
SHIKONI EDHE:
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut: Kush, ku fitoi?
Problemet me menaxhimin e borxheve në JSP
Sipas auditorëve, ekziston edhe një krizë borxhi në ndërmarrje, e cila shkakton probleme me furnizimin me karburant.

“Për shkak të mospagesave të karburantit në kohë, janë lidhur marrëveshje të pafavorshme për borxhin, duke përfshirë edhe një kamatë penalizuese që ishte 50% më e lartë se norma ligjore”, thuhet në raport.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka paguar për dy vjet për transportin falas të studentëve të rregullt (për vitet akademike 2022/2023 dhe 2023/2024), pasi nuk janë parashikuar fonde në buxhet.

Flota e automjeteve është i vjetruar, me një moshë mesatare prej 12.05 vjetësh, pa investime për përmirësimin e tyre në vitet 2022 dhe 2023.

Punonjësit e JSP-së thonë se në këtë ndërmarrje gjithçka është urgjente. Kryetari i sindikatës, Miço Stojanovski, shton se problemet fillojnë që në bazën e autobusëve në lagjen Autokomanda të Shkupit.

“Ne punojmë në bazën e autobusëve në Autokomandë si në kampet në Treblinka. Për autobusët nuk dua të flas, pasi tani kemi vetëm gjysmën e autobusëve që kishim disa vite më parë. Ikja e stafit të kualifikuar, e inxhinierëve, largimi i punonjësve është i tmerrshëm”, shpjegon Stojanovski.

Sipas tij, aktualisht JSP-së i mungojnë rreth 200 shoferë për të arritur synimin e ndërmarrjes: ofrimin e transportit të rregullt sipas orarit të përcaktuar. Sa i përket parkut të automjeteve, Stojanovski thotë se në dispozicion janë 300 autobusë të blerë gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit dhe 30 gjatë mandatit të kryetarit të mëhershëm të Shkupit, Petre Shilegov. Por, ai shton se 40 për qind e tyre nuk përdoren për shkak të defekteve të mëdha.

“Megjithatë, furnizimi me ato autobusë padyshim do të zgjasë deri në një vit e gjysmë. Çfarë të bëhet deri atëherë? Do të thotë se duhet t’i vendosim në qarkullim edhe ato 100 autobusë me defekt, që kanë xhama të thyer, injektorë, kompjuterë të shkatërruar, goma dhe disa pjesë të tjera të dëmtuara, për të arritur që të amortizojmë situatën me transportin publik në qytet”, thotë ai.

Me çdo ndryshim të qeverisjes së qytetit, JSP dhe Higjiena Komunale do të kenë menaxhim të ri. Por, edhe pushtetit të ri do t’i duhet kohë për të përmirësuar gjendjen në të dyja ndërmarrjet publike, të cilat kurrë më parë nuk kanë qenë në një gjendje kaq të keqe.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Kasami: BDI e nxori Fatmir Deharin për ta humbur Kërçovën – a po përgatit terrenin VLEN dhe a është Kërçova e shitur tek VMRO?

Kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me garën zgjedhore në Kërçovë. Ai ka akuzuar BDI-në se...

Bilall Kasami nuk mbështet kandidatin e VLEN-it Haqim Ramadanin në Bërvenicë-frikë të dalë jashtë vijave të Mickoskit?

Një skandal politik trondit radhët e Koalicionit VLEN! Në intervistën e dhënë sot për Alsat M, kryetari i Lëvizjes BESA dhe një nga liderët e...

AKI akuzon VLEN-in për mashtrim: E kanë shitur kauzën shqiptare, tani janë vasalë të VMRO-së

Nga AKI në një reagim për media kanë thënë se Koalicioni VLEN vazhdon të bëjë atë që, sipas tyre di më së miri –...

Raportohet për vendososjen e bombave në disa shkolla fillore në Kumanovë

Në disa shkolla fillore në Kumanovë pasdite arritën alarme për gjoja bomba të vendosura në shkolla, konfirmuan nga Sektori për arsim në Komunën e...

Votimi në Çair: Diferencë e dyshimtë prej 2.267 votash mes Izet Mexhitit dhe listës së VLEN-it

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në Komunën e Çairit ekziston një dallim i dukshëm mes votave të kandidatit për kryetar...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu