Bugaqku: Dinari vazhdon të qarkullojë në Kosovë dhe jo vetëm në veri
Vullnet Bugaqku nga KDI, në emisionin “Click” në RTV21, deklaroi se ndonëse çështja e dinarit është përdorur politikisht, në praktikë dinari vazhdon të qarkullojë pa pengesa në Kosovë, përfshirë edhe komunat jashtë veriut.
Ai madje e tregoi një pervojë personale që i ka ndodhur para një jave në Kamenicë.
“Dinari nuk është hequr, është duke u përdorur jo vetëm në veri, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës, si në Graçanicë. Madje, para një jave, unë dhe një koleg paguam me euro në një dyqan në Kamenicë dhe na u kthyen paratë në dinar. Dinari është duke qarkulluar nuk ka ndonjë pengesë. Politikisht është shfrytëzuar si temë, por në praktikë nuk ka asnjë mjet të dinarit që nuk qarkullon në Republikën e Kosovës,” theksoi Bugaqku.
Bugaqku: Kurti mund të mandatohet vetëm një herë për kryeministër, nëse dështon, nuk ka rikthim
Vullnet Bugaqku nga KDI, në “Click” të RTV21, ka thënë se nëse Albin Kurti nuk merr votat në Kuvend për të formuar qeverinë, ai nuk mund të mandatohet përsëri për kryeministër, pasi Kushtetuta nuk e lejon një gjë të tillë.
“Nëse dështon mandatari i dekretuar nga Presidentja, mbetet që Presidentja të vlerësojë se ku janë gjasat më reale për të formuar një qeveri. Mandatari që është propozuar një herë dhe ka dështuar të votohet, nuk mund të rimandatohet. Nëse Kuvendi nuk ia jep 61 vota Kurtit, ai nuk mund të mandatohet sërish,” tha Bugaqku.
Bugaqku: Kurti nuk i ka votat, zgjedhjet, opsioni më i mundshëm
Vullnet Bugaqku nga KDI, në “Click” në RTV21, tha se Albin Kurti nuk i ka votat për të formuar qeverinë, duke vënë në dyshim mbështetjen e mundshme nga Nisma.
“Nuk besoj që Kurti i ka votat. Nuk po duket se i ka votat, marrë parasysh që edhe Nisma, ndonëse mund të ketë një lloj afrimi në kuptimin e hyrjes në qeveri, po e kushtëzon këtë. Mendoj se bëhet fjalë për një kushtëzim me qëllim që të mos hyjë fare në koalicion. Politikisht, mendoj që opsioni real është se do të përfundojmë me zgjedhje,” tha Bugaqku.
Bugaqku: Kurti po blen kohë, bashkëpunimi me LDK-në e PDK-në është i pamundur
Vullnet Bugaqku nga KDI në emisionin “Click” në RTV21, tha se balotazhi do ta ashpërsojë garën dhe gjuhën politike, dhe sipas tij, nuk do të ketë asnjë gatishmëri për afrim mes partive.
Ai komentoi edhe shtyrjen e krijimit të qeverisë nga kryetari i VV-së Albin Kurti deri në afatin e fundit, duke thënë:
“Nuk e di me çfarë logjike është bërë ai veprim. Në kuptimin praktik, në pamundësi për krijimin e numrave, kjo është edhe një blerje kohe. Nuk e përjashtoj mundësinë që të mos ketë fare formim të qeverisë.”
Bugaqku tha se Lëvizja Vetëvendosje është në balotazh në 12 komuna dhe në shumicën e tyre përballet me LDK-në:
“Nëse VV duhet të bashkëpunojë me LDK-në, atëherë duhet ta zbusë konkurrencën. Unë e shoh të pamundur një bashkëpunim me LDK-në. Nuk e shoh të mundshme as me PDK-në.”, tha Bugaqku./RTV21/21Media