Asllan Koka ka reaguar ndaj kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, duke deklaruar se ky i fundit ka qenë plotësisht i vetëdijshëm se kompania “Tetovo Tabak AD” ishte në proces likuidimi në momentin kur nënshkroi kontratën për shitjen e pronës publike të njohur si “Monopoli”.
Sipas Kokës, në vetë kontratën e shitjes emri i kompanisë blerëse është shkruar me prapashtesën “во ликвидација”, që në shqip do të thotë “në likuidim”. Ai thekson se ky status ka qenë i regjistruar publikisht në Regjistrin Qendror dhe është përfshirë në dokumentin e nënshkruar nga Kasami.
“Kur në dokument shkruan ‘Tetovo Tabak AD – në likuidim’, çdo nënshkrues e kupton se subjekti është në mbyllje ligjore dhe nuk mund të blejë pronë publike,” deklaron Koka.
Çfarë parashikon ligji
Sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut:
• Neni 51 kërkon që çdo shoqëri në likuidim ta përdorë këtë shtesë në të gjitha dokumentet zyrtare;
• Neni 542 përcakton se një shoqëri në likuidim mund të kryejë vetëm veprime që lidhen me përfundimin e punëve të hapura – jo blerje të reja, tenderë apo investime.
Në bazë të këtyre dispozitave, Koka argumenton se vetë fakti që kontrata për “Monopolin” përmban emrin me prapashtesën “në likuidim” e bën atë të pavlefshme në momentin e nënshkrimit.
Përgjegjësia ligjore
Asllan Koka kujton se Bilall Kasami, si ekonomist me profesion, ka ditur domosdoshmërisht kuptimin e termit “në likuidim”, dhe nënshkrimi i një kontrate të tillë përbën shkelje të vetëdijshme të ligjit.
Ai përmend edhe nenet përkatëse të Kodit Penal që mund të jenë relevante në këtë rast:
• Neni 353 – Keqpërdorim i pozitës zyrtare (deri në 10 vjet burg)
• Neni 354 – Përvetësim ose shpërdorim i fondeve publike (deri në 10 vjet burg)
Sipas Kokës, kontrata për “Monopolin” është juridikisht e pavlefshme, pasi është nënshkruar me një kompani që në atë kohë ka qenë në proces likuidimi.
“Nëse një kryetar komune me arsim ekonomik firmos një dokument ku kjo gjendje është shkruar me gërma të zeza, nuk bëhet fjalë për padije – por për abuzim me vetëdije,” përfundon Koka.