Në Dibër, atmosfera politike po nxehet ndërsa fushata hyn në fazën e saj më vendimtare. Kandidati për kryetar komune nga koalicioni VLEN, Fisnik Mela, po tregon qartë se besimin për fitore e ka vendosur në bashkëpunimin me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe me qeverinë e VMRO-DPMNE-së.
Gjatë vizitës së sotme në qytet, kryetari i Alternativës dhe njëri prej liderëve të koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, zhvilloi një takim të ngrohtë me qytetarët e Dibrës, i shoqëruar nga ministri Orhan Murtezani, deputeti Bekim Sali, dhe kandidati për kryetar komune, Fisnik Mela. Në një ndalesë të veçantë, delegacioni i VLEN-it u ul në një kafe miqësore me kryeministrin Mickoski, duke dërguar një mesazh të qartë: koha e izolimit ka mbaruar, Dibra duhet të lidhet drejtpërdrejt me qeverinë për të zhvilluar projekte konkrete.
Burime nga stafi i fushatës theksojnë se Mela e sheh mbështetjen e Mickoskit si çelës për suksesin e tij elektoral, duke synuar që pas zgjedhjeve, Dibra të përfshihet në projektet strategjike të zhvillimit që udhëhiqen nga qeveria.
“Vetëm përmes bashkëpunimit real me qeverinë mund të sjellim investime, punësim dhe infrastrukturë moderne në Dibër,” ka deklaruar Mela në bisedë me qytetarët.
Në fokus të diskutimit ka qenë modernizimi i pikës kufitare Bllatë, e cila pritet të shndërrohet në një ‘One Stop Shop’, duke lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe duke hapur rrugën për një lidhje më të fortë ekonomike me Shqipërinë.
Takimi me Mickoskin u lexua nga shumë si një sinjal politik i qartë se VLEN në Dibër po e pozicionon veten si partner serioz i qeverisë, jo si opozitë simbolike.
Në fund të ditës, Mela dha një mesazh të prerë:
“Pas 19 tetorit, Dibra do të shtohet në shije dhe hijeshi — dhe këtë herë, jo me premtime, por me punë konkrete.”