Presidentja e Kosovës thotë se hetimet e autoriteteve nuk kanë pasur për objekt gazetarët, por strukturat kriminale të Serbisë, që pastaj kanë rezultuar në zbardhjen e bashkëpunëtorëve të lidhur me veprimtaritë që kërcënojnë sigurinë e shtetit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar të enjten se autoritetet e sigurisë nuk i kanë hetuar gazetarët, por individë të caktuar të lidhur me grupin e banditit serb, Millan Radoiçiç, që ka rezultuar në zbardhjen e bashkëpunëtorëve të strukturave kriminale.
Osmani është pyetur për deklaratën e së mërkurës, në të cilën theksoi se “do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme” merren disa gazetarë në Kosovë. Megjithatë, ajo refuzoi të japë detaje rreth indentitetit të gazetarëve të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, ndonëse përmendi “plane për grusht shtet” në Kosovë.
“Nuk janë hetuar gazetarët, janë hetuar Radoiçiçat. S’ka pasur asnjëherë nevojë të hetohen disa gazetarë. Kur hetohen Radoiçiçat, dalin bashkëpunëtorët e tyre. Dhe natyrisht se institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, ligjore dhe morale, që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Republikën e Kosovës, përfshirë planet për grusht shtet”, nënvizoi Osmani gjatë një konference me gazetarë.
“Nuk janë hetuar gazetarët, janë hetuar njerëz të tjerë. Dhe pastaj kanë dalë shumë prova. Institucionet e sigurisë në Kosovë janë ende duke i vazhduar hetimet dhe ne nuk duhet të dalim publikisht me emra dhe me mbiemra sepse kjo do të pengonte hetimet, dhe unë nuk dua t’i pengoj hetimet. E dinë ata kush janë, ata e kanë mizën pas veshi. Prandaj më sulmojnë mua për shkak të qëndrimeve për Listën Serbe”, shtoi ajo.
“Nuk janë hetuar gazetarët, as unë si presidente kurrë nuk kam kërkuar të hetohet ndonjë gazetar nga institucionet tona të sigurisë, të cilat kanë bërë punë të jashtëzakonshme në parandalimin e shumë sulmeve të Serbisë. Dhe për ta parandaluar cdo sulm të Serbisë, natyrisht se duhet të hetohen armiqtë e Kosovës… përgjatë rrugës së hetimeve del se, për fatin e keq të këtij vendi, ka gjithçka aty që kanë bashkëpunuar”.