Për të gjallin kurorë me thera, për të vdekurin buqeta me lule!

Nga Kim Mehmeti

Shpesh më ndodhë që posa të arrijë më Tiranë, i pari që më kujtohet të jetë Andi Bejtja. Mbase pse pas rënies së murit të Xhaxhit Enver, ai është shqiptar i parë i mëmëdheut me të cilin jam njoftuar. Asokohe të dy ishim edhe më të ri edhe më të bukur.
Aq më shumë ai ishte edhe më i ri se unë, i mençur dhe gjithmonë i buzëqeshur. Ato vite ai e botoi përmbledhjen e parë me poezi e unë thash se ato poezi lajmëronin ardhjen e një poeti të madh. Sot jam edhe më i bindur se Andi është nga ata poet që dëshmojnë se, njësoj siç nuk matet jeta me vitet sa ke jetuar, por me përjetimet dhe ngjarjet që ke përjetuar, edhe vlera e një krijuesi nuk matet me numrin e veprave që ka botuar, ngaqë shpesh herë mjafton edhe një poezi e vetme, si për shembull poezia e tij ‘Atdhedashuri’, e jo më një përmbledhje me poezi, që të mbetesh si vlerë e dalluar e tërësisë letrare të një populli.
Kohëve të fundit Andin e kujtojë edhe sa herë që më shtrëngon diçka në gjoks dhe kur më përfshin një trishtim që nuk ka të bëjë me frikën nga vdekja, por me të jetuarit në shoqëri ku te gjallit i jepen vetëm kurora me thera e sharje, e të vdekurin e mbulojnë me lëvdata e buqete me lule aq sa të të duket se flasin për ndonjë të vdekur të imagjinuar, për çka dua ta lus atë të mos lejojë që sharjet e për së gjallit ndaj meje të përkthehen në lëvdatat të pasvdekjes. Ndërkohë ndjej keqardhje pse Andi e la pas dore poezinë dhe iu dorëzua mjeshtërisë të ngritjes së mediave elektronike. Me çka mbeti themeltar thuajse i të gjitha televizioneve që sot mburren me madhështinë e vet, e që në mas të madhe atë ia kanë borxh edhe Andit.
Dhe nga do që të shkonte, ai nuk harronte të më lajmërohej e të më ofronte bashkëpunim e madje edhe që të drejtoja ndonjë emision timin, nëse atë e dëshiroja. E unë gjithmonë ia thosha të njëjtën: Në emër të miqësisë sonë do pranoja të bëhem edhe rojtar i shtëpisë publike që ti do e hapje, por kursem nga një obligim i tillë sepse një katundari si unë nuk i jepen në duar kurvat e qytetit! Në të vërtet ai është nga ata miq që nuk presin t’u kërkosh diçka, por gjithmonë të afrojnë më shumë seç e meriton. Siç ma ofronte Andi sigurinë gjatë viteve kur në Maqedoni të gjithë njësoj nuk më donin e kur me ofertat e veta për t’u angazhuar në televizionet që ai drejtonte sa nuk më thoshte: sa të më kesh mua në Tiranë s’ke pse i nënshtrohesh Shkupit për një pagë mujore.

Me çka ai dhe dy tre të tjerë të mëmëdheut, më mundësonin të mos dorëzohesha, të qëndroja e të mbetesha atë që doja të jem. Vetëm me ardhjen e tij në TV Syri nuk kisha ku të ‘ikë’. Edhe atë jo pse besoja se do jem ndonjë vlere e shtuar e këtij televizioni, por pse e dija se Andit i ngutej që sa më shpejt ta mbush me diçka atë ekran. Thënë edhe më qartë, pas njoftimit tonë në Tiranë kur unë isha flokë gjatë e ai më i buzëqeshur se sot, ne vazhduam të shkojmë poshtë e lartë nëpër jetë, por duke mbetur gjithmonë këtu ku jemi edhe sot: miq të përjetshëm.

Ai ecte nëpër jetë si mjeshtër që e njehë gazetarinë, që dinë të ndërtojë media, e unë e jetoja rehatin që kamë pranë vetes një mjeshtër të tillë. Andi ende është ai mjeshtri i përhershëm që i njeh gjithë damarët e mediave elektronike, por ne të dy nuk jemi më ata të dikurshmit që na dukej e lehtë të shkojmë edhe përtej asaj që mundeshim dhe kishim.

Tani edhe unë edhe ai gjithnjë e më rrallë dalim nëpër ekranet televizive. Andaj disa kanë nisur edhe të na harrojnë, kështu që shpeshherë ndodh që të habiten kur na shohin së bashku në ndonjë kafene. E këtu te ne po nuk je në ekrane të gjithë të harrojnë. Siç e kanë harruar Andin edhe ata që atij ia kanë borxh famën dhe karrierën televizive.

Po pra, shpesh herë posa arrij në Tiranë i pari që më bie ndërmend është Andi. Dhe i lajmërohem jo vetëm që të çmallem duke biseduar, por edhe t’i them: ‘Ty mund të të harrojnë gjithë të tjerë, por jo edhe unë! Sa herë që kemi mundësi ulemi e bisedojmë për shumëçka, por jo si dikur për gjëra të lezetshme të jetës. Tani rëndom flasim për atë se Njeriu nuk duhet t’i frikohet vdekjes, por jetës, ngaqë jeta t’i merr të gjitha, përfshi edhe fytyrën, e vdekja vetëm të shkuarën që nuk e ke dhe të ardhmen që nuk të takon, se jeta të ofron vetëm pikëllim ndaj asaj që ka ndodhur e frikë nga të këqijat që do të mund të të ndodhin, e vdekja ta ushqen shpresën se shkojmë atje ku fëmijët nuk rriten, të rinjtë nuk plaken e pleqtë nuk sëmuren.

Po pra, në këtë mosh që jemi sot, ne e dimë atë që nuk e dinim përderisa unë isha flokë gjatë e ai më i buzëqeshur se sot: se jeta është spirale që gjithmonë të tërheq drejt fundit të saj, një spirale që nismën e ka te dënesja e të porsalindurit dhe që përfundon me heshtjen e të vdekurit, se jeta nuk është as vuajtje as festë, por vetëm një lutje që na mundëson ta shpërfaqim mirësinë tonë, është shpirtlidhje mes njerëzve që e duan njëri tjetrin. Dhe sado që më vjen turp, duhet pra ta pranojë se kohëve të fundit Andin shpesh e kujtoj edhe kur diçka ma shtrëngon gjoksin. Mbase pse nuk e di kur përfundon afati i përdorimit të stendeve të vëna në zemër dhe andaj kam frikë se do mund të mos kem kohë t’ia përcjellë të vërtetën se përpos tij dhe dy tre miqve tjerë, askush tjetër nuk e dinë se si kam jetuar e cili kam qenë. (Kim Mehmeti, nga dorëshkrimi ‘Mosha e kujtimeve të largëta’)

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Foto e shpërndarë nga takimet elektorale bëhet mollë sherri mes rivalëve politikë

Një fotografi dhe video e publikuar nga kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka ngjallur reagime dhe polemika në rrjete sociale. 🟢...

Republika Islamike pranë rënies në Iran, luftë civile e mundshme pas shkatërrimit të kapaciteteve bërthamore nga SHBA-të dhe Izrael

Regjimi aktual iranian "mbetet i lidhur me revolucionin iranian", sipas raportit Erërat e ndryshimit mund të fryjnë së shpejti mbi Iranin, sipas një raporti të...

Beogradi dhe Manastiri të rrezikshëm për shqiptarët!

Nga:Medai Shaholli Prej kohësh Beogradi dhe Manastiri janë bërë dy qendra të rrezikshëm për praninë e shqiptarëve në këto qytete që në momentin e parë...

Mbështetje nga larg, forcë për vendlindjen: Struga në qendër të Vjenës

Diaspora në Vjenë jep mbështetje për kandidatin për komunën e Strugës, Dr. Arsim Dalipi 🇦🇹 Në Vienë të Austrisë u zhvillua një takim i diasporës...

NË ÇAMËRI DHE PLOT 4 ORË NË KOMISARIATIN E IGUMENICËS

Nga:Xhuljano Fejzulla Vjet, për pushime, të cilat si çdo vit i kaloj në Shqipëri, shkova për herë të.parë në Kllogjer, ku së bashku me djalin...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu