Prishtinë, 6 Korrik 2025 – Kosova ka shënuar një rritje të ndjeshme të importit nga Serbia gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2025, duke kaluar mbi 116% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje ka ngjallur reagime të forta nga ekspertë të ekonomisë, të cilët e shohin si dëshmi të qartë të rënies së sektorit prodhues vendor dhe të mungesës së politikave mbështetëse.
Sipas të dhënave zyrtare nga Dogana e Kosovës, vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti janë importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 91 milionë euro, krahasuar me 42 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ndryshimi i masës së sigurisë nga ndalesa e plotë në kontroll të shtuar, ka ndikuar dukshëm në kthimin e mallrave serbe në tregun kosovar.
Eksportet në rënie, importet në rritje
Nga janari deri në maj 2025, eksportet e Kosovës kanë rënë me 12.7 milionë euro, duke zbritur në 356 milionë euro, ndërkohë që importet janë rritur me rreth 380 milionë euro, duke arritur në mbi 2.76 miliardë euro. Ky bilanc i thelluar negativ tregtar ka shqetësuar ekonomistët dhe përfaqësuesit e biznesit.
Gërxhaliu: Politika po ngulfat ekonominë
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerëson se ky trend është pasojë e ndërhyrjes së politikës në ekonomi dhe mungesës së dialogut me sektorin privat.
“Një agjendë politike që po e ngufatë zhvillimin ekonomik dhe po e shkatërron sektorin privat. Rënia e eksporteve dhe rritja enorme e importit e dëshmon më së miri këtë realitet. Nuk ka motivim për sektorin privat që të jetë më kreativ apo inovativ,” – theksoi Gërxhaliu.
Ai gjithashtu apelon për stabilitet politik dhe një diplomaci më aktive për të përmirësuar imazhin ekonomik të vendit dhe për të tërhequr investime të huaja.
Vokrri: Problemet janë strukturore
Nga ana tjetër, Visar Vokrri, drejtor programor në Institutin Riinvest, thekson se rënia e eksporteve dhe deficiti tregtar janë pasojë e sfidave strukturore në ekonomi, si mungesa e një baze prodhuese të fortë dhe boshllëqet në tregun e punës.
“Investimet jo të mjaftueshme në inovacion dhe mungesa e konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare e bëjnë Kosovën të varur nga importi,” – tha Vokrri.
Partnerët kryesorë tregtarë
Sipas Doganës së Kosovës, vendet nga të cilat importohen më së shumti mallra janë:
Gjermania – 384 milionë euro
Turqia – 381 milionë euro
Kina – 329 milionë euro
Pasojnë Shqipëria, Italia dhe Maqedonia e Veriut.
Në eksport, partnerët kryesorë janë:
Maqedonia e Veriut – 54 milionë euro
Shqipëria – 52 milionë euro
Gjermania, Zvicra, dhe Mali i Zi.
Deficiti tregtar në rritje
Deficiti tregtar i Kosovës është thelluar ndjeshëm në pesëmujorin e parë të vitit 2025, duke arritur në 2.4 miliardë euro.
Gjatë vitit 2024, vendi shënoi një rekord të ri me 6.38 miliardë euro import dhe vetëm 889 milionë euro eksport. Statistikat tregojnë një trend të vazhdueshëm negativ në bilancin tregtar që nga viti 2020.
Thirrje për politika të favorshme për prodhuesit
Prodhuesit vendorë vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet kosovare politika fiskale stimuluese, subvencione, dhe një klimë më të favorshme për eksport, por deri më tani, rezultatet në terren nuk po e pasqyrojnë këtë.