Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka theksuar nevojën për një marrëveshje midis Iranit dhe SHBA-së, pasi të dyja kanë vullnetin për t’u angazhuar në negociata pas një periudhe sulmesh ajrore dhe tensionesh të larta, transmeton Anadolu.
Fidan iu përgjigj pyetjeve në lidhje me ngjarjet aktuale gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv, ku tha se ishte planifikuar takimi midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në samitin e NATO-s në Hagë.
Ai tha se çështjet rajonale, veçanërisht Rripi i Gazës, Rusia-Ukraina dhe Irani, u diskutuan dhe se takimi ishte shumë konstruktiv dhe shkoi mirë.
Ministri turk gjithashtu tha se liderët evropianë e kishin vënë re mesazhin e Trumpit se shpenzimet e mbrojtjes nga anëtarët e NATO-s ishin të pamjaftueshme.
Në samitin në Hagë anëtarët e NATO-s arritën një konsensus për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind në dy pika të veçanta për 10 vitet e ardhshme, respektivisht 3,5 për qind për shpenzimet kryesore të mbrojtjes dhe deri në 1,5 për qind për sigurinë kibernetike, infrastrukturën kritike dhe ndërtimin e kapaciteteve industriale.
I pyetur lidhur me samitin e NATO-s të vitit të ardhshëm në Turqi, Fidan theksoi se ai për herë të fundit në vendin e tij u mbajt në vitin 2004.
“Tani është në vitin 2026 dhe siç e dini ne aplikuam vitin e kaluar dhe u pranuam ta organizonim atë në Stamboll. Presidenti ynë aktualisht po shqyrton dhe po konsultohet nëse do të jetë Stambolli apo Ankaraja. Aktualisht ka dy mendime të ndara për këtë çështje. Ata do ta marrin vetë vendimin”, tha Fidan.
Lidhur me konfliktin që filloi me e sulmet dhunshme të Izraelit ndaj Iranit, Fidan tha se, “Siç e dini, ne bashkë po ndjekim nga afër dhe jemi të përfshirë në të gjitha zhvillimet në rajon. Shumicën e kohës si ndërmjetës. Sepse është në interesin tonë dhe në interes të rajonit tonë që luftërat të mos shpërthejnë dhe ato ekzistuese të marrin fund”.
Ai theksoi se në javën e parë të sulmeve në Gaza tha se “një luftë midis Iranit dhe Izraelit po vinte”, duke shtuar se, “Sulmi i Izraelit ndaj Iranit e shtyu Iranin në një pozicion të mbrojtjes legjitime dhe u bë e qartë se Izraeli nuk është një vend aq i fuqishëm sa pretendon të jetë në aspektin e shkatërrimit të aftësive bërthamore të Iranit. Ai vetëm sa ekspozoi llogaritë e veta”.
Fidan tha se lëvizjet politike të brendshme nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, gjithashtu luajtën një rol në politikën e jashtme izraelite.
Siç theksoi ai, bota pa se “ekziston një mendje politike atje që nuk ngurron t’i vërë flakën rajonin për interesat e veta”.
“Rajoni duhet të jetë në gatishmëri”
“Kjo luftë është ndalur përkohësisht në 12 ditë, por ekziston një armëpushim i bazuar në supozimin se kapacitetet bërthamore janë eliminuar. Në fakt, rajoni duhet të jetë në gatishmëri kundër mundësisë së shkeljes së armëpushimit dhe rifillimit të sulmeve të ndërsjella”, tha Fidan.
Ministri turk theksoi se lufta imponoi një kosto të madhe jo vetëm për dy vendet, por edhe për rajonin.
“Siç e dini, ekziston një distancë prej mbi 1 mijë kilometrash midis dy vendeve dhe nuk ka kufi. Prandaj, është një luftë që kalon kufijtë dhe përfshin vende të ndryshme. Aktualisht ka një periudhë të heshtjes, por për ta bërë këtë më të përhershme, është e nevojshme një marrëveshje midis Iranit dhe SHBA-së”, tha Fidan.
Lokacionet bërthamore iraniane pësojnë dëme
Në përgjigje të pyetjeve lidhur me kapacitetin bërthamor iranian, Fidan tha se çështja bërthamore është vetëm një aspekt i procesit të vazhdueshëm midis Izraelit dhe Iranit, pasi sipas tij, ka faktorë të tjerë të përfshirë.
“Është e qartë se si rezultat i operacionit ushtarak të kryer nga SHBA-ja, objektet bërthamore në Iran kryesisht janë dëmtuar dhe janë bërë të papërdorshme”, tha ai.
Duke theksuar se programi bërthamor ka shumë komponentë dhe objektet janë dëmtuar rëndë, Fidan pranoi se ka pasur një goditje të qartë dhe serioze për programin bërthamor të Iranit.
“Sfida më e madhe që kemi përpara janë negociatat. Të them të drejtën, kur Irani të ulet në tryezë, a do ta ngrenë amerikanët vetëm çështjen bërthamore apo do të ngrenë edhe çështje të tjera… nëse ata ngrenë çështje të tjera, nuk mendoj se iranianët do t’i diskutojnë ato, të them të drejtën. Megjithatë, për çështjet bërthamore, besoj sinqerisht se do të ketë një përpjekje për të arritur një mirëkuptim, të ngjashëm me marrëveshjen që ekzistonte gjatë administratës Obama”, tha ai.
Megjithatë, Fidan theksoi se nuk mendon se propozimet që do të nënkuptonin dorëzim të plotë dhe që kërkojnë eliminimin e aftësive të tjera përveç atyre bërthamore do të mirëpriten ngrohtësisht nga Teherani në këtë pikë.
Mundësia e pajtimit SHBA-Iran
I pyetur nëse negociatat rreth programit bërthamor të Iranit do të rifillojnë dhe nëse Turqia do të luajë një rol ndërmjetësues nëse bisedimet zhvillohen, Fidan përmendi se presidenti Erdoğan ka deklaruar gatishmërinë e Turqisë për çdo rol.
“Por ka indikacione paraprake se procesi i nisur në Oman disa vjet më parë do të ri-aktivizohet. Ndoshta ata do të duan ta provojnë përsëri. Sinqerisht, mendoj se ata mund të arrijnë një marrëveshje për çështjet bërthamore”, tha Fidan.
“Siç thashë, ekziston mundësia e kompromisit këtu. Sidomos pas sulmit të fundit ndaj objekteve bërthamore. Por sigurisht, nuk mund të flas në emër të të dy vendeve. Kur fola me zyrtarë nga të dy vendet, pata disa ide që do t’i ndihmonin ata të takoheshin në mes”, tha ai.
Shefi i diplomacisë turke theksoi nevojën për ide krijuese për të trajtuar çështjen, sepse të dyja palët vijnë nga pozicione fillestare shumë të largëta.
“Pozicioni fillestar i amerikanëve është se nuk duhet të ketë aktivitete pasurimi në Iran. Iranianët argumentojnë se pasurimi bërthamor paqësor është një e drejtë që rrjedh nga e drejta dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Siç e dini, ata janë mbështetës të marrëveshjes bërthamore dhe NPT-së (Traktatit të Mos-Përhapjes)”, tha Fidan.