Vjollcë Berisha i përgjigjet ashpër ministres së arsimit: “Sillni librat, jo përçmimet!”

Hakërrimi i ministres së Arsimit nga pozicioni i të “fortit” se do të merren masa të rrepta për shkollat që organizojnë shfaqje duke sjellë në mendje luftëtarët e tyre të lirisë, është krejtësisht ksenofobe dhe pa fijen e respektit ndaj bashkështetasve të vet shqiptarë.

Nuk ka nevojë ta sqaroj se në asnjë moment nuk jam për të stimuluar kurrnjëlloj dhune, por nuk mendoj se atë e ka bërë ndonjë shkollë që ka kremtuar me shfaqje festive 28 Nëntorin, aq më pak shkolla që u paskësh lëvduar së fundmi për kultivim të barazisë, miqësisë e demokracisë, siç pretendon shefja e Arsimit.

Liria është njëra nga vlerat themelore të njerëzimit, lufta për ta pasur atë është frymëzim që në radhë të parë jepet në shkollë. Mirënjohja si vlerë e lartë qytetëruese, është gjithashtu ndjenjë që ushqehet kundrejt luftëtarëve të lirisë. Shkollat i kanë edhe në programet e tyre mirënjohjet për ata që i çliruan, mirënjohje që artikulohen e mëkohen në radhë të parë me këngë, poezi, recitale e pjesë skenike.

Kostumografia dhe rekuizitat skenografike janë mjetet kryesore për një shfaqje teatrale siç ka qenë ajo e nxënësve që kanë qenë në rolin e luftëtarëve për ta mbajtur lart krenarinë dhe kujtesën kombëtare, pa fyer askend, pa sharë e urrejtur njeri. Thjesht, duke himnizuar, siç është bërë e bëhet kudo.

Ata kanë shkërbyer (imituar) ushtarë, ushtarë si ata bustet e të cilëve me qindra vjet shenjojnë sheshet e botës pa nxitur kurrfarë dhune e keqedukimi.

Nëse ky vend pati nevojë për një luftë, për një ushtri, më së paku janë fajtorë ata fëmijë dhe prindërit e mësuesit e tyre, ndaj të cilëve ministrja “fjalëshumë e punëpak” drejtohet me ton përçmues, për nivelin e tyre kulturor, përgatitjen profesionale dhe aftësitë prindërore.
Ajo duhet ta dijë më së mirë se edhe lufta, edhe pasojat, edhe ushtria e armët erdhën për shkak të mënyrës armiqësore, ksenofobe, plot të meta trashëguar nga sistemi jugosllav i mosnjohjes së shqiptarëve si komb shtetformues, erdhi nga zemërngushtësia dhe paaftësia e shtetit të ri për ta mbajtur veshur petkun e udhëheqësit të moderuar, demokrat, pa paragjykime, me nivel e kulturë evropiane. U pa në dritë të diellit se hegjemonizmi primitiv dhe opinga me të cilën i shkilnin shqiptarët në tokën e tyre, e solli edhe atë nevojë për armë, të cilën më së paku e dëshironin shqiptarët.

Edhe sot, nga kjo distancë kohore, toni ofendues i ministres për bashkëqytetarët e saj mjerisht flet se asgjë s’ka ndryshuar në mendësinë e tyre, madje edhe në atë të elitave politike e arsimore të shumicës prej tyre.

Toni i tekstit të saj tregon se i tërë problemi qëndron mu te ky mosndryshim. Edhe 23 vjet pas luftës, në vend që të reflektohet për gabimet e së kaluarës që sollën deri në rrokje armësh e viktima, ajo i drejtohet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare si “grupacione ushtarake joformale nga e kaluara”, me qëllim të minimizimit, ofendimit e mospranimit, duke harruar se mospranimet e mosnjohjet e tjetrit janë pengesat më të mëdha drejt dashurisë. Kështu që burimi i urrejtjes primitive duhet kërkuar te qasja që ka elita maqedonase, në krye me ministren e Shkollës, ndaj historisë sonë të re, e cila është mjaft e qartë për të nxjerrë mësime.

Megjithatë, ky ton ofendues vetëm sa e turpëron atë. Patetika e veshur me gjasme qytetërim është më e pështira shfaqje e injorancës politike.

Ministrja e Arsimit kur ta ketë bërë punën e saj si duhet, kur ta ketë ngritur cilësinë e arsimit, kur ta ketë ndaluar emërimin e drejtorëve ekskluzivisht nga radhët e partisë së vet që (ia kujtoj) mban emrin e një organizate revolucionare, kur të mundësojë nxënësit të kenë libra, atëherë nëse do t’i ngelet kohë, mund të mbajë leksione qytetërimi e të bëjë gjykatësin, ekzekutuesin apo analistin sociopsikoligjik të nxënësve shqiptarë dhe prindërve të tyre.

Më parë librat sillni, ministre, më pas fjalët e përçmimet!

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Kina vazhdon furnizimin me armë dhe municione për Iranin, Rusia gjithashtu në përpjekje për të rimbushur arsenalin iranian

Burime ndërkombëtare raportojnë se Kina po përshpejton dërgesat e armëve dhe municioneve drejt Iranit, në kuadër të mbështetjes së një aleati strategjik dhe anëtari...

Një raketë sapo ka goditur qendrën e Microsoft në Be’er Sheva

Një raketë sapo ka goditur qendrën e Microsoft në Be'er Sheva, e cila ofron shërbime kritike për ushtrinë izraelite në fusha të tilla si...

14 aeroplanë mallrash nga SHBA-ja dhe Gjermania mbërrijnë në Izrael me pajisje ushtarake

Katërmbëdhjetë aeroplanë ushtarakë mallrash nga SHBA-ja dhe Gjermania, të ngarkuar me pajisje dhe furnizime për të mbështetur ushtrinë, kanë mbërritur në Izrael mes konfliktit...

Eksluzive: BDI arrin marrëveshje me dy krahët e ASh-së, nga 3 komuna për Selën dhe Taravarin

Pas një takimi të zhvilluar ndërmjet kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, dhe dy grupimeve të ndara të Aleancës për Shqiptarët,...

Skender Rexhepi-Zejd: Fronti për Europë do të jetë fitues apsolut i të gjitha komunave

Kryetari i partitë Populli, Skender Rexhepi ka theksuar se Fronti për Europë në zgjedhjet e Tetorit do të jetë fitues apsolut i zgjedhjeve pasi...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu