Sot filloi zhvatja selektive e kamufluar me emrin “Qyteti i sigurtë”, por që në fakt i bën qytetarët, veçanërisht shqiptarët, më të pasigurtë, të shkelur, të plaçkitur, nën presion dhe të ndjehen të padrejtë në këtë shtet. Bëni kujdes dhe keni durim derisa bashkërisht të fitojmë këtë betejë ndaj këtij projekti diksirminues. Unë jam i bindur që secili prej nesh kemi vetëdije të mjaftueshme për sigurinë tonë. Besoj që për ata përjashtime që nuk kanë aq kujdes nevojiten edhe gjoba dhe sanksione, por asnjëherë nuk pajtohem që në emër të tyre të përndiqen e zhvaten edhe të tjerët për lëshime, pakujdesi të vogla të cilat as nuk cënojnë sigurinë.
Pa dashur të ndërhyj në pavarësinë e gjyqësorit, parim që ne e kemi promovuar vazhdimisht, por që në realitet është ende shumë larg, dua tu bëj një thirje gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Shqyrtoni sa më shpejtë iniciativën të cilën e dorëzuam ditë më parë, ku qartë do të shihni edhe vetë ju arsyet e shumta për të sjellë vendimin për shfuqizimin e ndryshimeve ligjore për projektin “Safe City”. Thireni seancën sa më shpejtë që të mos lejojmë as një ditë më shumë të lindin komplikime, të lëshohen gjoba e të plaçkiten qytetarët përmes një mekanizmi që në fund jemi të bindur se do të rrezultojë antikushtetues. T’i çlirojmë qytetarët nga ky ankth një ditë e më parë e të mbyllim përfundimisht këtë temë!
