Kryetari i Aleancës PërShqiptarët, Ziadin Sela uroi votuesit e Frontit Europian dhe Aleancës për Shqiptarët dhe tha se kjo lshtl një fitore historike.
Sela tha se dallimi me mbi 30 mijë vota dhe me 6 deputetë më shumë, i bën përfaqësues legal dhe legjitim të shqiptarëve, por edhe të komuniteteve të tjera më të vogla në vend
Shkrimi i plotë i Ziadin Selës:
Të dashur qytetarë, votues të Frontit Europian dhe Aleancës për Shqiptarët
Urime fitorja historike!
Faleminderit të gjithë juve që koalicionin tonë, Fronti Europian, për herë të parë në histori e radhitët si forcë të dytë politike në nivel vendi, si fitues në pjesën dërmuese të komunave, njësive zgjedhore dhe fitues absolut në bllokun politik shqiptar.
Dallimi me mbi 30 mijë vota dhe me 6 deputetë më shumë, na bën përfaqësues legal dhe legjitim të shqiptarëve, por edhe të komuniteteve të tjera më të vogla në vend. Të jeni të bindur se do tu përfaqësojmë me dinjitet ashtu si edhe deri më tani dhe amanetin tuaj, verdiktin tuaj dhe besimin tuaj do ta trajtojmë me shumë përgjegjësi dhe kujdes, në të mirën tuaj.
Shqiptarët sot zgjodhën jo vetëm përfaqësuesit politik, por edhe rrugën kah duhet të vazhdojë vendi. Kjo është më e rëndësishme se gjithçka tjetër për ne.
Të dashur anëtarë të Aleancës për Shqiptarët. Ju që ua dhatë përgjigjen më të mirë të gjithë atyre që na luftuan, sabotuan dhe tentuan të na shuajnë. Ju jeni më meritorët që jo vetëm mbajtët gjallë, por edhe e ngritët shtëpinë tonë të përbashkët në një forcë serioze dhe të fuqishme politike. Faleminderit për çdo mbështetje, sakrificë e rrezistencë si gjithmonë, edhe tani në këto kohëra të sfidave e përballjeve të vështira.
Me ju dhe për ju do të vazhdojmë që nesër, betejën politike dhe obligimet që na dhatë sot ju përmes verdiktit tuaj.
Faleminderit nga zemra dhe na priftë e mbara!