Burime të besueshme për in7.tv bëjnë të ditur se ditët në vijim pritet një “transfer” i bujshëm politik drejt koalicionit VLEN. Sipas informacioneve nga brenda, bëhet fjalë për një funksionar të lartë të Aleancës për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit.
Personi në fjalë mban një pozitë të rëndësishme partiake dhe aktualisht është kryetar i një dege të Aleancës në Shkup. Kalimi i tij në VLEN, sipas burimeve, nuk do të bëhet në mënyrë të thjeshtë, por pritet të shfrytëzohet si moment fushate, me një prezantim publik dhe me theks të veçantë në prurjet e reja.
Për momentin, emri i funksionarit nuk bëhet i ditur, pasi drejtuesit e VLEN duan që akti të shoqërohet me një organizim politik dhe mediatik që do të forcojë narrativën e tyre për rritje dhe zgjerim.
Ky zhvillim vjen në prag të intensifikimit të përgatitjeve për zgjedhje, ku lëvizjet e tilla konsiderohen vendimtare për balancat politike mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut.