Koalicioni shqiptar VLEN do ta përkrahë kandidatin e Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Kumanovës. Dimitrievski i cili kërkon mandatin e tretë në krye në Kumanovës, njihet për retorikën e tij nacionaliste dhe deklaratat kundër shqiptarëve, shkruan Portalb.mk.
Dimitrievski viteve të fundit ka shfaqur shqetësime lidhur me projektet rajonale që përfshijnë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke i paraqitur si rrezik për vendin.
Më 23 prill 2023, në edicionin qendror të lajmeve në televizionin Sitel, ai ngriti dyshime në lidhje me Korridorin 8, i cili lidh Shkupin me Prishtinën dhe Tiranën, duke e krahasuar këtë me hartën e “Iliridës”.
“Ky korridor lidh një drejtim Shkup–Prishtinë–Tiranë. A është vizatimi i korridorit njësoj si ai i ‘Iliridës’? Pse disa individë të privilegjuar në Qeveri po lënë hapësirë që populli të mendojë gjëra të tilla? Ky është një korridor i rëndësishëm, por Maqedonia ka edhe korridore të tjera të rëndësishme. A kemi bërë ndonjë sondazh për të parë se ku po shpenzojmë 1.2 miliardë euro nga paratë e qytetarëve?”, pati thënë Dimitrievski.
Një vit më vonë, në korrik 2024, si partner në koalicionin qeverisës me VMRO-DPMNE dhe VLEN, Dimitrievski kërcënoi se do të largohej nga qeveria nëse flamuri shqiptar vendosej si dekor në kabinetet e ministrave shqiptarë nga koalicioni VLEN.
“Nëse vazhdon mungesa e respektit dhe ky lloj qëndrimi, ne nuk do të jemi pjesë e Qeverisë. Nuk do të lejoj që të ndodhin gjëra të tilla që tregojnë mungesë respekti ndaj shtetit dhe popullit maqedonas”, u shpreh Dimitrievski.
Ai gjithashtu ka kritikuar mekanizmin e Badenterit për përfaqësim të drejtë të komuniteteve, respektivisht shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke e konsideruar të papërshtatshëm dhe duke vënë në dyshim funksionalitetin e shtetit.
“Marrëveshja Kornizë është e përfunduar dhe e zbatuar, por rregulli i Badenterit në momente të caktuara vë në dyshim funksionalitetin e shtetit”, pati deklaruar Dimitrievski.
Përkundër deklaratave paraprake, për koalicionin VLEN, Maksim Dimitrievski shihet si “e keqja më e vogël”. Lideri i LD-së, Izet Mexhiti, në paraqitjen e tij të fundit televizive, në Alsat-M, shpjegoi se mbështetja ndaj tij lidhet me nevojën për të siguruar votat shqiptare në Kumanovë, pavarësisht nga qëndrimet e tij të mëparshme nacionaliste.
Mexhiti theksoi se Dimitrievski ka reflektuar dhe e kupton rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin shqiptar.
“Flamuri shqiptar përdoret edhe sot. Unë nuk them se është ëngjull në qëndrime. Jemi partner në qeveri. Mendoj se ka reflektuar dhe ka kuptuar se edhe në Kumanovë i duhet vota shqiptare. Kundërkandidati i tij është vijë drejtpërdrejt e eksponuar e “botës serbe”. Këtu zgjidhja është e keqja më e vogël”, tha Mexhiti.
Dimitrievski i cili në rrethin e parë të zgjedhjeve mori 16.391 vota, në balotazh shkon me Goran Stojanovskin, kandidat i pavarur, i cili ka marrë 5.973 vota. Nga ana tjetër, VLEN në Kumanovë kandidat e kishte Arben Etemin, i cili mori 3.860 vota dhe nuk arriti të futet në rrethin e dytë.
Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Raundi i dytë do të mbahet më 2 nëntor.
