Gjatë javës së kaluar, në mediat e Kosovës u dha lajmi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe të tjerët nuk po trajtohen mirë.
Gjegjësisht, gazetari Vehbi Kajtazi në emisionin “VV Show”, ka thënë se në Dhomat e Paraburgimit në Hagë, të akuzuarit po trajtohen “çnjerëzisht” e deri edhe në “mungesë ushqimi”.
“Ka shumë vjet që unë alarmoj për shkelje të të drejtave të njeriut për të paraburgosurit në Hagë. Mënyra si trajtohen ata është çnjerëzore. Kanë mungesë ushqimi, u shërbehet ushqim ushtarak, konzerva. U duhen para për të pasur një trohë mirëqenie brenda atyre kushteve. Dhe kjo ka hasur në vesh të shurdhër. Madje edhe PDK-ja nuk është marrë shumë me këtë punë, sporadikisht ndonjëri është marrë”, deklaroi Vehbi Kajtazi.
Por gazeta “Bota sot” ka kontaktuar me Gjykatën Speciale lidhur me këtë çështje.
Nga Specialja i kanë mohuar në tërësi pretendimet e Kajtazit.
“Në objektin e paraburgimit, të paraburgosurve u shërbehen tri shujta në ditë me shumëllojshmëri, të përgatitura dhe të shërbyera mirë, si edhe në cilësi dhe sasi të kënaqshme në përputhje me standardet e ushqyeshmërisë. Në rast se dëshirojnë ta përgatisin vetë ushqimin e tyre, të paraburgosurit mund të përdorin pajisjet dhe mjediset për gatim dhe mund të blejnë me shpenzime të tyre artikujt në dyqanin e burgut”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjen e Speciales.
Sipas tyre, objekti i paraburgimit operon në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare për të siguruar mirëqenien e të gjithë të paraburgosurve në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur.
“Të paraburgosurit kanë mundësi çdo ditë të dalin në ajër të pastër dhe të kryejnë ushtrime fizike, si edhe mundësi të marrin pjesë në veprimtari të tjera të përshtatshme të kohës së lirë. Atyre u lejohet të kenë materiale për lexim dhe shkrim dhe kanë qasje në një bibliotekë me libra, revista dhe gazeta në gjuhën e tyre. Gjithashtu, ata mund të përcjellin programe në radio dhe televizion dhe të marrin pjesë në shërbesa fetare apo shpirtërore që ofrohen”, kanë thënë nga Gjykata Speciale.
“Rregullorja e Paraburgimit e Dhomave të Specializuara të Kosovës është hartuar në këshillim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (‘KNKK’). KNKK-ja kryen inspektim dhe monitorim të objektit të paraburgimit. Kjo do të thotë se KNKK-ja mund të kryejë rregullisht vizita të palajmëruara dhe të pavarura të objektit të paraburgimit për këqyrjen e kushteve të paraburgimit dhe për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut, të së drejtës ndërkombëtare dhe të standardeve të pranuara për trajtimin e të paraburgosurve”, thuhet në një përgjigje ekskluzive dhënë për “Bota sot”, nga Gjykata Speciale.
Kujtojmë se Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit e të tjerëve, të cilët ndër të tjerash po akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtarë të LDK-së.