Në Qendrën Përkujtimore Srebrenicë – Potoçari, sot do të prehen edhe shtatë viktima të tjera të gjenocidit të kryer në korrik të vitit 1995.
Tridhjetë vite pas vrasjes sistematike të mijëra boshnjakëve në një zonë “nën mbrojtje ndërkombëtare”, në luginën e Potoçarit ende jehon heshtja e atyre që nuk patën rastin të shohin drejtësinë.
Sot, edhe shtatë arkivole të reja do të gjejnë prehje të përjetshme. Shtatë varre të reja, shtatë plagë të reja në kujtesën kolektive të një populli që kurrë nuk ka ndalur së kërkuari eshtrat e më të dashurve të tij.
Mbrëmë, pjesëmarrësit e Marshit të Paqes, së bashku me familjarët e viktimave, sollën arkivolet me mbetjet mortore deri në Potoçari. Rruga që përshkuan është e gjatë 100 kilometra – rruga e vdekjes që, tridhjetë vite më parë, mijëra banorë të Srebrenicës e ndoqën përmes pyjeve, me shpresë për të shpëtuar. Nuk ia dolën.
Ndër ata që do të varrosen sot janë dy të rinj: Senajid Avdiq dhe Hariz Mujiq, të dy të lindur në vitin 1976. Kishin vetëm 19 vjeç kur u ndërprenë ëndrrat, rinia dhe jeta e tyre. Mbetjet e tyre mortore u gjetën në varreza masive, të zhvendosura për të fshehur gjurmët e krimit. Sot, tri dekada më vonë, ata do të varrosen ashtu siç meritojnë – me emër, dinjitet dhe lutje.
Së bashku me ta, do të prehen edhe Fata Bektiq (1928), Hasib Omeroviq (1961), Sejdalija Aliq (1961), Rifet Gabeljiq (1964) dhe Amir Mujçiq (1964).
Organizatorët presin mbi 150 mijë persona në Potoçari, ku do të shënohet 30-vjetori i gjenocidit në zonën e mbrojtur të OKB-së – krimi më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Gjenocidi në Srebrenicë nuk është vetëm fakt moral, por edhe ligjor: është vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), si dhe Gjykata e Bosnje e Hercegovinës. Srebrenica nuk është “tragjedi” apo “krim” në ndonjë kuptim abstrakt – ajo është gjenocid, i planifikuar, urdhëruar dhe zbatuar.
Deri më tani, 54 persona janë dënuar me gjithsej 781 vite burg, përfshirë pesë dënime të përjetshme. Ndër të dënuarit janë udhëheqësit më të lartë ushtarakë dhe politikë të Republikës Serbe dhe të ushtrisë serbe të Bosnjës, përfshirë:
Ratko Mladiq, komandant i Ushtrisë së RS – burgim i përjetshëm
Radovan Karaxhiq, president i RS – burgim i përjetshëm
Vujadin Popoviq, shef i sigurisë në Korpusin e Drinës – burgim i përjetshëm
Lubisha Beara, shef i sigurisë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së RS – burgim i përjetshëm
Drago Nikoliq, oficer sigurie – 35 vite burg
Shumë pjesëtarë të tjerë të ushtrisë, policisë dhe strukturave civile janë dënuar në Tribunalin e Hagës dhe në gjykatat vendore.
Gjenocidi që u planifikua dhe u fsheh
Gjenocidi në Srebrenicë ishte kulmi i një politike shumëvjeçare të spastrimit etnik ndaj boshnjakëve. Ai u planifikua dhe u zbatua nga autoritetet e Republikës Serbe, me mbështetjen direkte të regjimit të Slobodan Milosheviqit dhe të Ushtrisë së atëhershme të Jugosllavisë. U vranë burra, djem të rinj, por edhe gra, pleq dhe vajza të mitura.
Pas ekzekutimeve, trupat u zhvendosën në varreza sekondare e terciare. Qëllimi ishte i qartë – të fshihej krimi, të mohohej e vërteta, të vritej edhe kujtimi.
Tridhjetë vjet luftë për të vërtetën
Tridhjetë vjet pas gjenocidit, lufta për njohje, drejtësi dhe kujtesë vazhdon. Në disa pjesë të Bosnje e Hercegovinës, veçanërisht në entitetin e Republikës Serbe, gjenocidi ende mohohet në mënyrë sistematike. Në shkollat e këtij entiteti nuk mësohet e vërteta. Rrugët mbajnë emrat e kriminelëve. Politikanë që madhërojnë kriminelë të dënuar mbajnë funksionet më të larta.
Por ka edhe shpresë. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vitin e kaluar shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Mesazhi i këtij përvjetori është “Historia jonë, premtimi ynë”. Të mbijetuarit, familjarët dhe të rinjtë që ruajnë të vërtetën e kujtesën japin një premtim – që do ta ruajnë të vërtetën nga harresa, nga relativizimi dhe nga mohimi.
Simboli i lules së Srebrenicës – petale të bardha që përfaqësojnë pafajësinë, me një rreth të gjelbër në mes që simbolizon shpresën dhe jetën – sot do ta mbajnë mijëra njerëz.
Gjenocidi në Srebrenicë nuk ishte një incident i veçuar, por kulmi i një politike të gjerë të spastrimit etnik në Bosnje e Hercegovinë. Prandaj, lufta për të vërtetën rreth Srebrenicës nuk është vetëm një luftë për të kaluarën – është një luftë për të tashmen dhe për të ardhmen.