Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, pas takimeve me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenten Vjosa Osmani, ka shprehur urimin që gjatë vitit 2026 Kosova dhe Serbia të ulen në tavolinë për të vazhduar procesin e dialogut.
“Ne kemi shpresë të madhe, natyrisht, personalisht, që viti 2026 të na sjellë atë që 2025-a nuk e solli. Kjo është arsyeja pse kam nisur punën këtu, me një vizitë pune këtu dhe më pas në Beograd gjatë javës”, deklaroi ai para gazetarëve.
Sorensen shtoi se qëllimi i tij është të bindë palët që të ulen dhe të bisedojnë, si dhe të arrijnë dakordime për çështje të caktuara.
“Ajo që do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bota përmes lehtësimit të dialogut, të sigurohemi që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë”.
Ndër të tjera, është shprehur se pret me padurim që të sheh institucionet e reja të Kosovës të formohen.
“Pres me padurim të shoh një parlament të formuar, një qeveri në vend, por natyrisht, siç ka ndodhur gjatë 2025-ës, pavarësisht gjithçkaje, ne vazhdojmë të punojmë për çështjet e dialogut që kemi përpara”.
Sorensen u takua fillimisht me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe më pas me presidenten Vjosa Osmani.
Pas përfundimit të vizitës njëditore në Prishtinë, diplomati danez do udhëtojë drejt Beogradit për takime me liderët e Serbisë, në përpjekje për të shtyrë përpara agjendën e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet dy fqinjëve armiqësorë.
E përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë përballë mungesës së besimit të ndërsjellë dhe pasigurive që rrethojnë Evropën, krahas ngjyrimeve të reja gjeopolitike, mbetet për t’u parë kursi i BE-së në procesin e dialogut.
