Burime të sigurta konfirmojnë se Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka refuzuar të marrë pjesë në mbrëmjen solemne në Manastir për Ditën e Alfabetit, pas një akti flagrant mosrespekti nga ana e përfaqësuesve shqiptarë në qeveri, konkretisht nga funksionarët e VLEN-it.
Sipas informacioneve, ambasadori është pritur gjatë ditës vetëm nga një zv/ministër, duke u lënë plotësisht jashtë vëmendjes nga zyrtarët e lartë shqiptarë në qeveri dhe në Kuvend. Mospjesëmarrja e tyre në pritjen zyrtare konsiderohet shkelje e hapur e protokollit diplomatik dhe nënvleftësim i përfaqësimit shtetëror të Republikës së Shqipërisë.
I revoltuar nga trajtimi i paprecedentë dhe nga thyerja e normave të diplomacisë, Ambasadori Meidani ka marrë pjesë vetëm në aktivitetet protokollare të ditës, ndërsa ka bojkotuar mbrëmjen solemne – një hap i rëndë, por i detyruar, për të mos legjitimuar mosrespektin.
Kjo ngjarje ngre seriozisht pikëpyetje mbi qasjen e VLEN-it ndaj marrëdhënieve me Tiranën dhe sjelljes së tyre ndaj protokolleve zyrtare, duke krijuar një precedent të rrezikshëm në raportet institucionale mes dy shteteve shqiptare.
