Serbi, studentët të vendosur për vazhdimin e protestave

Pas tre muajsh protesta dhe dy dorëheqjeve nga politikanë të nivelit të lartë, protestuesit në Serbi janë të gatshëm të vijojnë rezistencën. A do të ketë ndryshim të vërtetë në Serbi?

Saktësisht tre muaj pasi 15 vetë mbetën të vrarë nga shembja e tavanit në stacionin e trenit në Novi Sad dhjetëra mijëra protestues bllokuan tri urat mbi lumin Danub fundjavën e kaluar në Serbi. Qytetarët pretendojnë se korrupsioni në nivelet e larta qeverisëse është shkaktari i tragjedisë dhe se protestat mund t’i hapin rrugë një shoqërie më të mirë.

Protestuesit flasin për DW: “Shpresoj që fëmija im të rikthehet dhe të jetojë në një Serbi të lirë”, thotë një grua e moshuar. Një protestues thekson, se: “krimi s’mund të qeverisë përjetësisht. Duhet të mbizotërojë ndershmëria dhe dashuria.”

Protestuesit thuajse njëzëri kërkojnë që të zbatohet ligji. Bllokada e së shtunës (01.02.2025) ishte e fundit e një serie protestash të organizuara nga studentët, të cilët në dy muajt e fundit kanë ndërprerë mësimin në thuajse të gjitha universitetet shtetërore në Serbi.

Studentët vendosmëri deri në realizimin e kërkesave

Ata thonë se nuk do të tërhiqen derisa kërkesat e tyre të miratohen. Studentja Natalija Petroviç: “Së pari duam që të mbahet përgjegjësi ligjore dhe politike. Kemi parë dorëheqjet e kryeministrit dhe kryebashkiakut të Novi Sadit, por nuk kemi parë procedim penal ndaj tyre. Kërkojmë gjithashtu edhe dokumentacionin e plotë të restaurimit në stacionin hekurudhor.”

Ekspertët na thonë, se jo vetëm ky dokumentacion është i paplotë por ai është edhe i manipuluar. Inxhinieri Zoran Xhaçiç, i cili ishte pjesë e ekipit restaurues të godinës ka qenë ndër të parët që bëri publike parregullsitë e rindërtimit. Tani ai është pjesë e komisionit të pavarur hetimor që po mbledh prova, të cilat sipas tij shkojnë deri në nivelet më të larta të qeverisë. Zoran Xhaçiç, Inxhinier gjeolog: “Prokuroria s’do të bëjë asgjë për aq kohë sa Vuçiç është kreu i qeverisë. Kjo nënkupton se na duhet ta bëjmë gjithçka vetë bashkë me studentët dhe t’i shkojmë kësaj gjëje deri në fund dhe të gjejmë fajtorin. Shpresojmë të gjejmë ndonjë prokuror të ndershëm, sepse kjo është e vetmja mënyrë.Vetëm kështu mund të arrestohen fajtorët e vërtetë dhe pjesa tjetër zhbëhet si një shtëpi prej letre.”

Protestat kanë ngritur edhe pikëpyetje të reja. Si do të kalohet nga bllokimi i institucioneve, rrugëve dhe urave tek ndryshimi i vërtetë? Për këtë, Dusan Spasojeviç, analist politik vëren: “Tani është e nevojshme për të gjetur mënyra që institucionalizojnë krizën. Një ide që po diskutohet gjerësisht është ajo e qeverisë së tranzicionit ose e qeverisë teknike, e cila do të ishte një pikë lidhëse mes qeverisë dhe komunitetit akademik, duke krijuar një lidhje me universitetin.”

Vuçiç në tur sensibilizimi në mbarë vendin

Por presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka refuzuar menjëherë këtë propozim. Aktualisht ai po zhvillon një tur në mbarë vendin, gjatë së cilit u tregon qytetarëve arritjet e qeverisjes së tij 12-vjeçare dhe protestat i konsideron si të organizuara nga shërbimet e huaja sekrete. Aleksandar Vuçiç: “Nuk do ta jap kurrë dorëheqjen dhe nuk do të ketë qeveri tranzicioni ose teknike. Këtë e garantoj me jetën time. Nuk do të ketë qeveri teknike apo tranzicioni. Do të ketë qeveri serbe. Zgjedhje? Po! Referendum? Po! Demokraci? Po! Gjithçka! Por s’do të ketë qeveri që është shërbëtore e dikujt tjetër.”

Nga ana e tyre, opozita dhe studentët e kundërshtojnë idenë e zgjedhjeve të reja dhe çdo formë dialogu me qeverinë. Analisti politik, Dusan Spasojeviç shpjegon, se “një problem tjetër është se mungon një ndërmjetës neutral, siç do të ishte BE. Deri tani Bashkimi Europian ka qenë shumë pasiv dhe duket se mbështet qeverinë.

Studentët po mendojnë tashmë lëvizjen e tyre të radhës. Disa thonë se ka ardhur koha për përshkallëzim të protestave. Ata do të vendosin për këtë përmes votës demokratike në mbledhjen e tyre të radhës. /DW/

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Depërtimi i “botës serbe” me protagonistë shqiptarë!

Megjithse vredistë po shfajësohen për lidhjet e tyre me "srpski svijet", pasi thonë se ata nuk e sollën "botën serbe" por e gjetën...

Zyrtarizohet lista e VLEN për Komunën e Çairit: Kandidat Izet Mexhiti, bartës liste po ashtu nga LD

Pas debatit të ndezur për listën e VLEN në Shkup, tashmë ka dalë edhe lista për Komunën e Çairit, një nga bastionet kryesore të...

SKANDALOZE: Kuadri i VLEN-it nënshkruan marrëveshje me “Republikën Srpska”

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur ditët e fundit në Shkup. Nehat Mustafa, kuadër shqiptar i koalicionit qeveritar VLEN, në cilësinë e drejtorit të...

Kur Meidani nga Tirana apelonte për mençuri dhe largpamësi në Rambuje

Albanian Post ka arritur të sigurojë letrën që Meidani u pati dërguar delegatëve shqiptarë të Kosovës në Rambuje, me detajet tepër largpamëse për kohën Në...

Pakënaqësi në LD për listën e VLEN në Shkup: “Bastioni ynë, por të tjerët përfitojnë”

Në rrjetet sociale po qarkullon një foto e listës së kandidatëve të koalicionit VLEN për Qytetin e Shkupit, e cila ka ndezur debate dhe...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu