Ziadin Sela: Projekti “Safe City” po përdoret për zhvatje të shqiptarëve
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së implementimit të projektit “Safe City” në Maqedoninë e Veriut, duke e akuzuar qeverinë se po e përdor këtë projekt, i promovuar si masë për sigurinë publike, për zhvatjen financiare të një kategorie të caktuar qytetarësh – shqiptarëve.
Sipas Selës, mjafton të shihet harta e zbatimit të projektit për të kuptuar se kush është në shënjestër. Ai thekson se “Safe City” po implementohet kryesisht në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, ndërsa brenda Shkupit, kamerat janë të përqendruara në mënyrë disproporcionale në komunat Çair, Saraj dhe Butel – zona me shumicë shqiptare.
“Janë hyrje-daljet e shqiptarëve për në Shkup, janë lagjet me infrastrukturë të vjetër rrugore, pa semaforë, pa sinjalistikë, pa parkingje – por me kamera për gjoba dhe dënime të majme”, shkruan Sela, duke e cilësuar këtë praktikë si shfrytëzim dhe jo si rritje të sigurisë.
Ai shton se qytetarët po ndëshkohen financiarisht në zona ku mungojnë kushtet bazë për qarkullim të sigurt, ndërsa përgjegjësia institucionale për investime infrastrukturore po anashkalohet. Sipas tij, ky është modeli klasik i “eksploatimit pa brina”, ku barra financiare bie mbi ata tek të cilët është investuar më pak.
Sela e lidh këtë situatë edhe me nevojat financiare të shtetit, duke kujtuar se Maqedonia e Veriut këtë vit duhet të kthejë rreth 2 miliardë euro kredi. “Paratë do të mblidhen pikërisht aty ku është investuar më pak – edhe përmes projektit ‘Safe City’”, thekson ai.
Në reagimin e tij, Sela parashikon edhe kritikat se po i jep çështjes konotacion etnik, por e hedh poshtë këtë akuzë, duke theksuar se nuk është opozita ajo që e politizon realitetin, por politikat selektive të qeverisë.
“Ne nuk kemi heshtur dhe nuk do të heshtim kurrë”, përfundon Sela, duke paralajmëruar vazhdim të kundërshtimit politik ndaj, siç e quan ai, një projekti që po shndërrohet nga instrument sigurie në mjet ndëshkimi ekonomik.
