Shkup, 29 korrik 2025 – Tensionet mes partive partnere brenda koalicionit VLEN kanë arritur pikën më të lartë ditëve të fundit, sipas burimeve të in7.tv. Shkak janë bërë kërkesat e Alternativës, e cila synon që në zgjedhjet e ardhshme lokale të ketë kandidatë të vet në disa komuna nën emrin e përbashkët të koalicionit.
Krerët e Alternativës, të vendosur për të dëshmuar se kanë bastionet e tyre, janë shprehur të pakënaqur me qasjen dominante të partive të tjera në vendimmarrje, duke reaguar ndaj perceptimeve publike – si ai i Kim Mehmetit, i cili më herët kishte deklaruar se Alternativa është “një parti që mund të fusësh në një autobus”.
Sipas informacioneve të siguruara, kërkesa e Alternativës për të kandiduar në komuna si Tearca dhe Çairi ka hasur në rezistencë të fortë. Bilall Kasami nuk lëshon pe për Tearcën, ndërsa Mexhiti nuk e pranon idenë e dorëzimit të Çairit – bastioni i tij i deklaruar.
Situata u përshkallëzua edhe më tej kur në opinion publik u përfol për një takim të mundshëm të Afrim Gashit me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Në këtë takim, Gashi ka kërkuar disa komuna si kusht për të kaluar në opozitë dhe për t’iu bashkuar Frontit Evropian. Sipas burimeve, oferta nga ana e BDI-së ishte vetëm Tearca dhe Studeniçani – një propozim që Gashi e ka refuzuar, duke e konsideruar të papranueshëm në raport me peshën aktuale të Alternativës në qeveri dhe numrin e funksionarëve që përfaqëson.
Për të shmangur përçarjen, në horizont duket një kompromis: Ministria e Ekologjisë ose kompania shtetërore MEPSO, dhe disa drejtori të tjera mund të jenë pozitat që koalicioni është i gatshëm të lëshojë për të qetësuar situatën.
Në qarqet politike këto zhvillime janë përkufizuar si “kërkesat e autobusit të mbushur me funksionarë”, një referencë ironike për ndikimin real të Alternativës në raport me përfaqësimin që kërkon.
Mbetet të shihet në ditët në vijim nëse koalicioni do të ruajë unitetin, apo do të përballet me një çarje të re politike.