Anketa e Portalbit tregon se shumica e maturantëve në Maqedoninë e Veriut kanë shpenzuar mbi 500 euro për mbrëmjen e maturës, duke përfshirë veshjen, fotografitë, restorantin dhe shpenzime të tjera. Ata shprehen se shënimi i fundit të një procesi akademik po shndërrohet në një garë luksi dhe krijon presion financiar mbi familjet. Disa thonë se mbrëmja e maturës duhet të organizohet në mënyrë më të thjeshtë dhe simbolike. Edhe udhëheqësit e shkollave thonë se shpenzimet janë të tepërta dhe theksojnë se nxënësit shpesh ndikohen nga trendet dhe dëshira për luks, shkruan Portalb.mk.
Çfarë thonë maturantët?
Të anketuarit përmes një ankete publike për Portalb.mk kanë shprehur shqetësim për shpenzimet e larta që nevojiten për organizimin e mbrëmjes së maturës. Sipas tyre kjo ngjarje, e cila dikur kishte një vlerë simbolike për përmbylljen e një kapitulli të rëndësishëm të jetës, sot është shndërruar në një garë luksi që rëndon ndjeshëm buxhetin e familjarëve të tyre.
Deklaratat e maturantëve:
“Mos e glorifikojnë aq shumë në mendjen e tyre, vetëm ta konsiderojnë si një natë që do të kalojnë bukur dhe ta shijojnë më shumë”
“Të mos përpiqen këtë mbrëmje ta shndërrojnë në vend ku do të shfaqin “pasurinë” që se kanë të tyren por në kurriz të prindërve harxhojnë deri në 800 euro për një fustan që do e veshin një ditë”
“Si dhe mbrëmja të bëhet pas provimeve, këtu pa e ditur kush do të kaloj vitin festohet”
“Mos bëhet kaq e madhe sa me thjeshtë”
“Të jetë vetëm një festë e thjeshtë dhe komode”
“Mos i bëni si dasma”
Maturantët e anketuar ndanë me Portalb.mk edhe shumën totale që kanë harxhuar për mbrëmjen e maturës.
“Shpenzime mbi 500 euro”
Të anketuarit u shprehën se shuma totale që kanë harxhuar për mbrëmjen e maturës ka qenë mbi 500 euro, duke përfshirë veshjen, fotografitë, rezervimi i restorantit, transportin dhe shpenzimet e tjera.
Ata thonë se për restorantin kanë paguar nga 1800 denarë deri në 2800 denarë për person.
Sipas shumicës së të anketuarve, ata nuk kanë pasur shpenzime për transport gjatë mbrëmjes së maturës, ndërsa njëri prej tyre kishte paguar 600 denarë për transport.
Disa nga të anketuarit janë shprehur se prindërit u kanë ndihmuar në organizimin dhe mbulimin e shpenzimeve të mbrëmjes së maturës, ndërsa dy të tjerë thonë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë.
Disa nga të anketuarit theksuan se ua kanë paguar darkën e maturës profesorëve, ndërsa njëri prej tyre jo. Disa prej tyre e quajtën këtë veprim traditë, njëri e cilësoi si dhuratë, ndërsa dy të tjerë e konsideruan të panevojshëm.
Gjysma e të anketuarve theksuan se shpenzimet për maturën ishin të arsyeshme, ndërsa gjysma tjetër thonë se këto shpenzime ishin të tepruara dhe të panevojshme.
Të gjithë të anketuarit u shprehën se do të dëshironin që organizimi i maturës në të ardhmen të ishte më i thjeshtë dhe më ekonomik.
Të anketuarit u shprehën se në të ardhmen mbrëmja e maturës të mos organizohet në mënyrë kaq të madhe dhe e ngjashme me dasmat, por të jetë një festë më e thjeshtë, më komode dhe më e përmbajtur, ndërsa disa prej tyre theksojnë nevojën për përmirësim e organizimit në përgjithësi, si dhe për zgjedhje më të përshtatshme të muzikës dhe ambientit, ndërsa njëri prej tyre tha se nuk do të donte ndryshonte asgjë.
Portalb.mk bisedoi edhe nga afër me disa maturantë. Ata thonë se mbrëmja e maturës iu ka kushtuar shumë shtrenjtë.
Blerim Islami nga Tetova theksoi se mbrëmja e maturës i ka kushtuar 500 euro.
“Mbrëmja e maturës ishte një natë fantastike, dhe një kujtim shumë i mirë për ne. Besoj që ka vlerë dhe nuk është luks i tepruar pasi që është nata ku mbyllim një faze të jetës sonë, dhe ja vlen që “çke me të “haha”, dhe se kjo mbrëmje më ka kushtuar 500 euro”, tha Islami.
Ndërsa maturantja Jasmine Shabani nga Kumanova për mbrëmjen ne maturës tregoi se kishte shpenzuar mbi 300 euro.
“Mbrëmja e maturës më kushtoi mbi 300 euro, një shpenzim i madh që më bëri të kuptoj se ndoshta nuk ia vlen të harxhojmë kaq shumë. Duke qenë se vajzat shpenzojnë dyfish më shumë se djemtë, sidomos për flokët dhe fustanet, këto çmime të larta ndikojnë ndjeshëm në presionin ekonomik mbi prindërit dhe shpesh përbëjnë një barrë të rëndë. Për këtë arsye, do të doja që në të ardhmen organizimi i maturës të jetë më i thjeshtë dhe më ekonomik, duke ruajtur vlerën simbolike të këtij eventi pa shkaktuar shpenzime të mëdha që shumë familje nuk mund t’i përballojnë,” tha Shabani.
Një prind i një maturanti nga Shkupi u shpreh i pakënaqur për shpenzimet e tepruara për mbrëmjen e maturës.
“Mendoj se ekziston një presion i madh shoqëror për këtë mbrëmje, sepse fëmijët e sotëm shpenzojnë shumë, dhe shpesh nuk mendojnë për pasojat e tjera, por insistojnë të kenë gjithçka dhe të mos dallohen nga shoqëria e tyre. Edhe pse mbrëmja e maturës përbën një moment të rëndësishëm kalimtar për ta, fëmijët ndihen të detyruar të shfaqin pamje të shtrenjta dhe të konkurrojnë me njëri-tjetrin. Kjo krijon një garë të panevojshme dhe të padrejtë, që në fund rëndon vetëm mbi buxhetet tona,” tha prindi.
Çfarë thonë udhëheqësit e shkollave?
Portalb.mk bisedoi me Adelina Behlulin drejtoreshën e shkollës së mesme të mjekësisë “Nace Bugjoni” në Kumanovë e cila theksoi se maturantët kanë shpenzime të mëdha.
“Mbrëmja e maturës organizohet për nxënësit e viteve përfundimtare, qoftë me shkollim katërvjeçar apo trevjeçar, organizimi bëhet nga nxënësit, të ndihmuar për problemet eventuale nga mësimdhënësit, duke formuar ekipe të veçanta që kanë të bëjnë me përcaktimin e lokalit, muzikës, fotografin e të tjera. Për çdo hap të organizimit prindërit njoftohen. Duke u nisur nga koha kur vet ne ishim maturantë dhe duke e krahasuar me kohën e tanishme shpenzimet janë marramendëse. Nxënësit janë të kuruar deri në detaje të hollësishme në këtë mbrëmje dhe pamja e tyre tregon për shpenzimet, e mos të flasim por të bisedosh me maturantë se çfarë janë në gjendje të shpenzojnë”, deklaroi Behluli.
Gjithashtu biseduam edhe me Gani Asllanin drejtorin e shkollës së mesme komunale “Cvetan Dimov” në Shkup. Ai tha se shpenzimet e një maturanti janë të larta.
“Sot, shpenzimet e një maturanti janë dukshëm më të larta, duke pasur parasysh kostot e ndryshme. Problemi i viteve të fundit është se shumë nxënës mezi marrin pjesë në këtë mbrëmje, përfshirë edhe ata që i kanë kushtet financiare, sepse iu duket se nuk është më në modë. Mendoj se, me rastin e përfundimit të shkollës së mesme, maturantët duhet të zgjedhin drejtimin e duhur që do t’iu shërbejë në jetë, për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme. Duhet të orientohen drejtë profesioneve deficitare, të cilat rrisin mundësitë për punësim në të ardhmen”, tha Asllani.
Hava Hasani drejtoreshë e shkollës së mesme ekonomike “8 shtatori” në Tetovë tha se nuk kanë një pasqyrë të saktë mbi shpenzimet mesatare të nxënësve sepse ajo varet nga dëshirat e tyre personale dhe mundësive ekonomike.
“Në disa raste mësimdhënësit, prindërit dhe vetë nxënësit kontribuojnë për të mbuluar shpenzimet e shokëve të klasës që kanë vështirësi ekonomike. Disa shkolla gjithashtu përpiqen të gjejnë sponsorë lokalë për këtë qëllim. Shpenzimet shpesh janë më të larta se sa duhet dhe ndikohen nga presioni shoqëror dhe dëshira për të qenë “në modë”. Megjithatë, me organizim më racional dhe vetëdije, ato mund të reduktohen ndjeshëm. Mbrëmja e maturës ka një rëndësi emocionale për nxënësit. Është një moment simbolik që shënon përfundimin e një etape dhe fillimin e një tjetre”, tha Hasani.