Prezantimi i Projektligjit të Rezolutës, i iniciuar nga Kongresmeni amerikan Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, i cili më 21 janar 2026, në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-së, e inicoi duke prezantuar Rezolutën me numër H.R. 6411.
Përmes dëshmive të bollshme u paraqit diskriminimi sistematik i komunitetit etnik shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Kështu, Rezoluta, pasi të kalojë vlerësimin e komisionit, do të raportohet nga Komiteti i Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe do të dërgohet në të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së për votim.
Pasi të miratohet sipas propozimit të parashtruar, Rezoluta i kalon Senatit të SHBA-së dhe, pas miratimit nga Senati, si projektligj do t’i dërgohet Presidentit të SHBA-së për nënshkrim.
Miratimi i Projektligjit të Rezolutës përbën një akt me rëndësi të veçantë juridike dhe politike, i cili synon ndalimin e çdo forme diskriminimi dhe garantimin e të drejtave themelore të popullsisë shqiptare.
Kjo rezolutë krijon bazë normative për trajtimin e çështjes së Krahinës Shqiptare në përputhje me parimet universale të të drejtave të njeriut dhe barazisë para ligjit, ashtu siç përcaktohen nga e drejta ndërkombëtare dhe instrumentet përkatëse ndërkombëtare.
Zbatimi i kësaj rezolute do të kontribuojë në një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe ligjërisht të bazuar të çështjes së Krahinës Shqiptare, duke respektuar standardet ndërkombëtare dhe rendin juridik demokratik.
Është një hap i rëndësishëm drejt llogaridhënies, mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtave kolektive të shqiptarëve etnikë në Serbinë Jugore.
Njëkohësisht, kjo rezolutë është në mbrojtje të vlerave demokratike dhe ka veçori të veçanta për Krahinën tonë, pasi jemi popull autokton, kemi shprehur vullnetin plebishitar dhe kemi manifestuar sakrificë, duke mbrojtur pragun përmes luftës së armatosur.
Ky është një zhvillim me trajtim dhe vlerë historike, pasi ndërkombëtarizimi ka arritur nivelet më të larta të vendimmarrjes së politikës së jashtme të SHBA-së, duke e çuar çështjen e Krahinës sonë në instancat dhe mekanizmat më të lartë të Senatit, Kongresit dhe Presidencës së SHBA-së.
Kjo dëshmon se në këtë Krahinë ekziston diskriminim sistematik dhe, mbi të gjitha, se statusi politik dhe juridik nuk është i zgjidhur. Prandaj, ky përbën një kapitull të ri dhe një moment shumë domethënës për shqiptarët e kësaj Krahine.
Rezoluta përbën një mbështetje thelbësore, pasi nga tani e tutje do të ketë përkrahje edhe nga Administrata më e lartë amerikane, përfshirë Capitol Hill dhe Shtëpinë e Bardhë.
Kjo vjen pas Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, sakrificës dhe kryengritjes së armatosur përmes luftës së UÇPMB-së, e cila mbrojti pragun, dinjitetin dhe identitetin e Krahinës, si dhe pas arritjes së Marrëveshjes së Konçulit.
Zbatimi i Rezolutës së miratuar është një veprim konkret me efekte dhe ndikim ndërkombëtar dhe do të reflektojë pozitivisht në ndërkombëtarizimin e mëtejmë të çështjes së pazgjidhur të kësaj Krahine, duke pritur intensifikim dhe dinamizim jo vetëm nga SHBA-ja, por edhe nga instancat e BE-së dhe OKB-së.
Serbia vazhdon me shkelje të rënda dhe mohim sistematik shtetëror, duke mos zbatuar marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të këtij rajoni në vitet 2001, 2009, 2013 dhe 2022.
Këto përfshijnë mospërfaqësimin me vende të rezervuara në Parlamentin e Serbisë, moszbatimin e Marrëveshjes së Konçulit të 20 majit 2001, militarizimin e Zonës Tokësore të Sigurisë me 48 minibaza ushtarake, mospërfaqësimin proporcional në gjyqësor, mungesën e një spitali rajonal, pasivizimin e adresave të mbi 25 mijë qytetarëve shqiptarë, mungesën e arsimit universitar, mosintegrimin proporcional në strukturat e sigurisë, moskthimin e Lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, moskompensimin e dëmeve të luftës, mungesën e investimeve, përdorimin e gjuhës së urrejtjes, diskriminimin në kulturë dhe informim, si dhe tendencat e vazhdueshme për shpërngulje, asimilim dhe pastrim etnik.
Kjo dëshmon se Krahinë ka shprehur vullnetin plebishitar, i përket Evropës dhe kërkon një zgjidhje të drejtë, të pranueshme dhe të garantuar me ndërmjetësim ndërkombëtar politik dhe ushtarak.
Pas kësaj Rezolute nga SHBA-ja, procesi duhet të vazhdojë edhe në nivelin më të lartë të BE-së dhe OKB-së, me qëllim që Serbia të kushtëzohet dhe detyrohet në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, dhe që kjo Krahinë të zgjidhë përfundimisht statusin e saj politik dhe juridik.
Vështrim nga:Refik Hasani
