Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk tregon se ku ka ngecur procesi për investimin italian në Kodrën e Diellit. Pavarësisht se thonë që mundohen të gjejnë zgjidhje, nuk japin informata konkrete, por arsyetohen. Që ky proces po zvarritet me vite e konfirmojnë edhe deklaratat e njëpasnjëshme të kompanisë italiane. Qendra e skijimit të paktën edhe këtë sezon do të përballet me problemet e njëjta, shkruan Portalb.mk.
Më 19 dhjetor 2024 u bënë dy vjet që kur kompania italiane ‘TechnoAlpin’në vitin 2022 prezantoi planin dhe projektin për zhvillimin e qendrës turistike ‘Kodra e Diellit’.
Për dy vite me radhë negociatat janë zvarritur dhe pa epilog deri më tani, ndërsa institucionet e vendit kanë mbajtur këtë temë ‘top sekret’ për opinionin, kanë dhënë shumë pak informata për procesin.
Për të mos përfunduar me kaq, para pak ditëve ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti për Portalb.mk njoftoi se “kanë rifilluar bisedimet”.
Qeveria aktuale e RMV-së akuzon qeverinë paraprake se nuk kanë bërë asgjë për këtë projekt, por edhe ata vetë nuk japin informata për ngecjet në këtë proces.
“Si Qeveri jemi duke punuar në të gjitha proceset që kanë ngecur për shkak të dështimeve të mëdha të qeverisë së kaluar. Jemi duke biseduar me të gjitha palët e interesuara për të gjetur zgjidhjen më të mirë në interes të të gjithë qytetarëve. Në momentin kur të ketë ndonjë informacion më të detajuar, do ta informojmë publikun në kohë”, thanë për Portalb.mk nga Qeveria.
Kërkuam nga Qeveria që të jenë më konkret dhe të tregojnë detajisht ngecjet, por nga atje rezistuan të japin përgjigje.
“Në lidhje me pyetjet tuaja, dëshirojmë të theksojmë se i qëndrojmë përgjigjes që ju dërguam më parë”, thanë nga Qeveria.
Që ky projekt po zvarritet që dy vjet e konfirmojnë edhe nga kompania italiane ‘TechnoAlpin’. Portalb.mk tani e dy vjet është në komunikim të vazhdueshëm me ata.
“Për fat të keq, ne ende nuk kemi ndonjë përditësim të ri për të ndarë në lidhje me kërkesën tuaj”, thanë nga TechnoAlpin.